Vetëm të Allahut janë ç’ka në qiej dhe në tokë. -
Ai përmend pushtetin, sundimin dhe mbretërimin e Tij gjithëpërfshirës. Gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë, si bota e sipërme, ashtu edhe ajo e poshtme janë pronë dhe krijim i Tij. Ai vepron ndër ta me ligjin e Tij të krijimit dhe përcaktimit të gjërave. Është po Ai që vendos mes njerëzve ligjin e Tij të Sheriatit, sipas të cilit njerëzit duhet ta adhurojnë dhe sipas të cilit duhet të jetojnë. Është po Ai që ka vendosur ligjin e shpërblimit dhe ndëshkimit. Të gjitha këto janë në dorë të Tij. Të gjitha pa përjashtim janë pronë dhe krijesa të Tij, që i janë nënshtruar sundimit dhe ligjit të Tij. Të gjithë kanë nevojë për përkujdesin dhe mëshirën e Allahut. Asgjë dhe asnjë prej krijesave nuk ka gjë në dorë prej pushtetit dhe sundimit.
Allahu është Ai, i Pasuri dhe i Lavdëruari. -
Allahu është i Pasur dhe pasuria e Tij është e gjerë dhe e paanë. Ai nuk ka nevojë për asgjë për të cilën kanë nevojë krijesat. Allahu i Madhëruar thotë: "Unë nuk i krijova xhindët dhe njerëzit për gjë tjetër, por veç që të më adhurojnë. Unë nuk kërkoj prej tyre ndonjë furnizim e as kërkoj që të më ushqejnë. Allahu, Ai është Furnizuesi i madh e Fuqiploti. [Dharijat 56 - 58.] Gjithashtu, edhe veprat e mira dhe adhurimet e profetëve, të sinqertëve, dëshmorëve dhe punëmirëve nuk i sjellin Allahut asnjë shtesë e dobi në pushtetin e Tij. Ato i sjellin dobi veçse atyre që i punojnë dhe Allahu është i Pasur dhe s’ka nevojë për robërit e Tij dhe për veprat e tyre të mira. Tregues se Allahu është i Pasur është fakti se Ai i pasuron dhe begaton ata me mirësi të shumta të dynjasë dhe të ahiretit. Allahu i Madhëruar na tregon për Lavdinë dhe Madhërinë e Tij. Ai është i lavdëruar vetvetiu, pra, lavdërimi është i pandashëm nga Ai. Ai është i lavdëruar në të gjitha aspektet. Ai është i lavdëruar në Qenien e Tij, është i lavdëruar në cilësitë e Tij. Për çdo cilësi të Tij, Allahu meriton më të lartat dhe më të plotat lavdërime e madhërime, sepse ato janë cilësi madhështore dhe të plota. Po kështu, Ai është i lavdëruar dhe meriton të lavdërohet për gjithçka që ka krijuar dhe për çdo vepër të Tij. Ai meriton të lavdërohet dhe është i lavdëruar për çdo urdhër që ka dhënë dhe çdo ndalesë që ka ligjëruar. Allahu është i lavdëruar për çdo gjë që ka përcaktuar mbi njerëzit dhe për çdo gjykim mes njerëzve në dynja dhe në ahiret. Ai është i lavdëruar për gjithçka. Më pas, Allahu na flet për diturinë dhe fjalët e Tij, që nuk kanë fund, me një përshkrim që hyn thellë në zemër dhe që çudit mendjen. Vetë të urtët dhe të mençurit mbeten pa fjalë. Ai thotë: