O turma e xhindeve dhe e njerëzve, nëse keni mundësi të dilni përtej kufijve të qiejve e të Tokës, dilni! Por ju nuk mund ta bëni këtë, veçse me ndonjë fuqi të madhe. Atëherë, cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni?! -
Kur t’i mbledhë të gjithë në Ditën e Gjykimit, Allahu i Madhëruar do t’u tregojë njerëzve dhe xhindëve për dobësinë e tyre dhe për fuqinë absolute të Tij. Ai do t’ua bëjë të qartë se vendimtar dhe i padiskutueshëm është vullneti i Tij. Asgjë nuk del jashtë vullnetit dhe pushtetit të Allahut. Duke u treguar dobësinë e pafuqinë e tyre, Allahu i Madhëruar do t’u thotë krijesave: “Nëse keni mundësi të dilni përtej kufijve të qiejve e të Tokës, atëherë dilni! Por ju nuk mund ta bëni këtë, veçse me ndonjë fuqi të madhe.” Pra, nëse gjeni ndonjë rrugë e mundësi për të dalë jashtë fushës së sundimit të Allahut, bëjeni! Por ju nuk do mund të dilni kurë, veçse nëse do të kishit fuqi të madhe. Por nga mund t’u vijë kjo fuqi, ndërkohë që ata nuk mund t’i bëjnë as vetes së vet dëm apo dobi, nuk mund të japin jetë e vdekje dhe nuk mund të ringjallin?! Ditën e Gjykimit, në atë vendqëndrim të frikshëm, askush nuk flet pa lejen e Allahut. Atje do të jenë të barabartë mbretërit dhe skllevërit, udhëheqësit dhe masat, të pasurit dhe të varfërit. Më pas, Allahu i Madhëruar tregon se çfarë ka përgatitur atë ditë të madhe për ta: