O ti i mbuluar! –
I mbuluar (el muzzemmil), domethënë: “i mbuluar me rroba”. El muzzemmil ka të njëjtin kuptim me “ muddeththir ”. Ky është një cilësim i Profetit të Zotit në momentet e para të Shpalljes. Kur Zoti e nderoi atë me Shpalljen, i dërgoi melekun Xhibril, i cili filloi t’i zbriste ajetet e para. Kur Xhibrili (a.s.) u afrua, Profeti (a.s.) pa diçka që, sikur të mos ishte profet, nuk do të arrinte ta përballonte. Kontakti i parë me melekun madhështor i krijoi atij një gjendje frike të fortë, të pa ndier më parë, aq sa filloi të dridhej. Në atë gjendje, Profeti (a.s.) nxitoi për te familja e tij, te Hadixhja (r.a.). Atje, duke u dridhur, thoshte: “Më mbuloni, më mbuloni!”. Profetit (a.s.) i erdhi Xhibrili dhe i tha: “Lexo!”. Më pas, Allahu i Lartësuar e bëri atë që të ishte i qëndrueshëm dhe ta përballonte Shpalljen e Tij. Kështu, Profeti i zgjedhur vazhdoi ta përhapte mesazhin e Zotit, derisa arriti gradën më të lartë mes të dërguarve dhe profetëve të Zotit. Subhanallah! Sa i madh është ndryshimi mes gjendjes fillestare dhe përfundimtare të profetësisë së tij! Kështu, Allahu i Lartësuar i drejtua Profetit të Tij me atë cilësi të fillimit të profetësisë. Fillimisht, Allahu i Lartësuar e urdhëroi që t’i përkushtohej Atij me adhurime, dhe pastaj për të qenë i durueshëm kundrejt padrejtësive dhe mundimeve që do t’i jepnin armiqtë e besimit dhe të Allahut. Ai duhej të bënte durim në ftesën e njerëzve për të adhuruar vetëm Zotin dhe për të lartësuar fjalën e Tij. Ai duhej të bënte durim në zbatimin e plotë të porosive të të Madhëruarit. Allahu i Lartësuar e urdhëroi së pari për më të dashurin, më të nderuarin dhe më të zgjedhurin e adhurimeve: e urdhëroi për namazin. Dhe jo për çdo lloj namazi, por për namazin në kohën më të nderuar dhe më të zgjedhur: namazin e natës.