Ky quhet “ajeti i borxhit”, i cili është ajeti më i gjatë në Kur’ân. Në të sqarohen rregulla e ligje shumë të rëndësishme.
O ju që keni besuar! Kur merrni hua prej njëri-tjetrit për një afat të caktuar, shkruajeni atë! -
Lejohet dhënia dhe marrja e të gjitha llojeve të borxhit, sepse Allahu i Lartësuar i ka miratuar besimtarët në këto marrëveshje mes tyre, duke treguar rregullat që lidhen me mbarëvajtjen e tyre. Për sa i përket shitblerjes që quhet selem[1] (shitblerja me porosi), ajo ka dy kushte që të konsiderohet e lejueshme:
1. Të shlyhet në një afat kohor, pra, jo në moment.
2. Ky afat duhet të jetë i përcaktuar dhe i qartë nga palët. Nuk lejohet që afati të jetë i papërcaktuar. Ajeti na urdhëron që të mbajmë procesverbal për çdo lloj borxhi. Ky urdhër mund të jetë ose në formën e prerë, pra, i detyrueshëm për t’u zbatuar, ose i pëlqyeshëm. Kjo varet nga shkalla e nevojës për një procesverbal. Nëse do të neglizhonim dokumentimin e këtyre kontratave, do të ishim të ekspozuar ndaj ngatërresave të ndryshme, ndaj gabimeve, harresave etj., të cilat do të sillnin grindje e mosmarrëveshje, e ky do të ishte një gabim i rëndë.
Le të mbajë shënim me drejtësi një shkrues! Shkruesi të mos ngurrojë të shkruajë ashtu si e ka mësuar Allahu! -
Është detyrë për shkruesin që të shkruajë procesverbalin, nëse ftohet për një vepër të tillë. Shkruesi duhet të jetë i drejtë, i devotshëm dhe i ruajtur nga gjynahet e shfaqura. Pra, nuk duhet të jetë fasik, nuk duhet të jetë një njeri që njihet si gjynaqar dhe që shkel urdhrat dhe kufijtë e Zotit haptazi. Prej fasik-ut nuk pranohet dëshmia as me gojë, as me shkrim. Ai është i detyruar që të mbajë drejtësi për të dyja palët. Atij nuk i lejohet që të anojë nga njëra palë, për asnjë shkak apo arsye. Shkruesi duhet të jetë specialist në fushën e dokumentimit. Ai duhet të dijë se çfarë konsiderohet si dokument që vërteton marrëveshjet dhe saktësinë e tyre, sepse drejtësia mund të vihet në vend vetëm nëpërmjet kësaj rruge e mënyre. Nëse një dokument i tillë është i nënshkruar dhe i saktë, ai merret gjithmonë për bazë, edhe nëse dëshmitarët mund të kenë vdekur. Allahu i Lartësuar thotë: “Shkruesi të mos ngurrojë të shkruajë ashtu si e ka mësuar Allahu!” Pra, nuk lejohet për një njeri të cilit Allahu i Lartësuar i ka dhuruar dije në përpilimin e aktmarrëveshjeve, që të refuzojë të kryejë këtë punë, nëse ajo i kërkohet. Ashtu sikurse Allahu i Lartësuar i ka falur të tilla aftësi të mrekullueshme, ashtu duhet që edhe ai të tregohet bamirës ndaj atyre që kanë nevojë për të tilla shërbime.
Ai le të shkruajë, ndërsa ai që merr borxh të diktojë, duke iu frikësuar Allahut, Zotit të tij, e duke mos lënë mangët asgjë. -
Allahu urdhëron që shkruesi të mbajë shënim veçse ato fjalë që ia dikton ai që merr borxhin, pra, huamarrësi. Ai që dikton tekstin e procesverbalit është huamarrësi, i cili e ka për detyrë që ta shlyejë plotësisht borxhin. Ai është i urdhëruar, gjithashtu, që, gjatë diktimit, të qartësojë në detaje huanë që duhet ta shlyejë. Ajeti tregon se dëshmia e njeriut për vetveten është e pranueshme dhe e vlefshme, sepse kur ai firmos dokumentin të cilin vetë e ka diktuar, dokumenti ka forcë ligjore, edhe nëse më pas ai pretendon se është bërë gabimisht apo se ka paqartësi. Për sa u përket hollësirave rreth huasë në aspektin e masës, cilësisë, afatit të saj etj., nëse ka kundërshtime mes dy palëve nënshkruese, atëherë fjala që merret në konsideratë dhe që pranohet ligjërisht është fjala e huamarrësit, i cili e ka për detyrë që ta shlyejë huanë. Nëse fjala e tij do të ishte e pavlefshme, atëherë urdhri i Allahut për të mos pakësuar asgjë prej borxhit do të ishte pa vlerë. E thënë ndryshe, nëse pohimi i borxhliut do të ishte i pavlefshëm ligjërisht, atëherë edhe urdhri i Allahut për të mos lënë gjë mangët gjatë diktimit do të ishte i pavlefshëm dhe i kotë. Por meqë kjo nuk ka mundësi të jetë, atëherë në rast kundërshtimesh mes nënshkruesve (dhe në mungesë të dokumentit) merret parasysh pohimi i huamarrësit (ndërsa huadhënësi duhet të sjellë dokumentin, për të vërtetuar pretendimin e tij). Huamarrësi e ka haram që të fshehë ndonjë gjë prej pikave të kontratës, në çdo aspekt qoftë ajo.
Në qoftë se ai që ngarkohet me borxh është i papjekur mendërisht, ose i mitur, ose nuk është në gjendje të diktojë, atëherë le të diktojë me drejtësi kujdestari i tij ligjor! -
Nëse huamarrësi nuk mund ta diktojë procesverbalin, për shkak të moshës së vogël apo të paaftësisë së tij mendore ose fizike, apo për shkaqe të tjera si këto, atëherë lejohet që në vend të tij, të diktojë përfaqësuesi i tij ligjor. Ai dikton dhe firmos dokumentin, duke mbajtur përgjegjësi ligjore në vend të të paaftit. Përfaqësuesi ligjor është përgjegjës për të gjitha detyrimet e huamarrësit, sepse Allahu e ka përcaktuar se ky përfaqësim duhet të jetë me drejtësi. Është kusht që përfaqësuesi ligjor të jetë i ndershëm, sepse diktimi me drejtësi nuk mund të bëhet nga një fasik ose nga një njeri që i thyen haptazi urdhrat dhe dispozitat e Zotit. Nga ajeti kuptohet se roli i kujdestarit ligjor njihet edhe në fushën e pasurive dhe të nënshkrimit të marrëveshjeve. Detyrimi për larjen e borxhit nuk rëndon kurrsesi mbi përfaqësuesin ligjor, por mbi pajtuesin e këtij përfaqësuesi ligjor. Marrëveshjet e nënshkruara nga të paaftët ligjërisht konsiderohen si të pavlefshme, sepse e drejta për të diktuar procesverbalin i takon përfaqësuesit të tyre ligjor, e jo vetë atyre. Kjo dispozitë është si mëshirë dhe butësi e Allahut të Lartësuar për krijesat e Tij. Ai përkujdeset për ta, që t’ua ruajë pasurinë dhe të drejtat e tyre. Nga ajeti kuptohet se çdo veprim i përfaqësuesit ligjor me pasuritë e të paaftëve ligjërisht, është i saktë dhe i pranueshëm nga drejtësia. Është e lejueshme për njeriun që të mësojë gjithçka që i nevojitet rreth palës tjetër, për të bërë të mundur që dokumenti të jetë sa më i saktë, më i sigurt dhe më i plotë ligjërisht, sepse nëse një urdhër i caktuar mund të përmbushet vetëm nëpërmjet një mënyre tjetër, atëherë edhe kjo mënyrë tjetër është e detyrueshme që të kryhet. Ndjekja e mënyrave nëpërmjet të cilave plotësohen urdhrat e Zotit është farz kifaje, pra, një detyrim kolektiv që patjetër duhet përmbushur. Nëse e lënë të gjithë njerëzit pa e zbatuar, të gjithë marrin gjynah, por nëse e kryen dikush mjaftueshëm, përgjegjësia e të tjerëve bie. Kështu, duke qenë se Allahu i Lartësuar ka urdhëruar që për huatë dhe për kontratat e tjera të mbahet procesverbal, dhe duke qenë se kjo mund të arrihet veçse duke mësuar mënyrën e ndërtimit të kontratave, atëherë kjo e fundit është e detyrueshme që të mësohet dhe të kryhet nga dikush prej muslimanëve.
Kërkoni që të dëshmojnë dy burra nga mesi juaj! -
Ajeti na urdhëron për të marrë dëshmitarë gjatë kontratave dhe marrëveshjeve tregtare. Megjithatë, ky urdhër nuk është i formës së prerë, pra, nuk është i detyrueshëm që të zbatohet. Ai është thjesht i pëlqyeshëm që të bëhet. Qëllimi i këtij urdhri është që të na udhëzojë për të qenë të kujdesshëm në ruajtjen e të drejtave dhe detyrimeve të ndërsjellta. Pra, të gjitha këto dispozita janë vetëm në dobi të të përgjegjshmëve ligjërisht. Megjithatë, ka raste kur prania e dëshmitarëve gjatë një aktmarrëveshjeje është e detyrueshme, si për shembull, kur ato kryen nga kujdestarët ligjorë të jetimit apo kur kemi të bëjmë me një kontratë vakëfi. Dëshmitarët në të tilla raste janë të domosdoshëm, me qëllim që të drejtat e palëve të përcaktohen dhe të ruhen të paprekura. Numri i domosdoshëm i dëshmitarëve gjatë kontratave është dy burra, ose një burrë dhe dy gra. Duke u mbështetur në argumentet e transmetuara në traditën profetike, pranohet edhe dëshmia e një dëshmitari të vetëm, por duke u betuar. Dëshmia e të miturve nuk pranohet, sepse ajeti e përcakton që duhet të jetë ‘burrë’ ose ‘grua’.
Nëse nuk bëhen dy burra, atëherë, duke rënë dakord për njerëzit e zgjedhur, merrni një burrë e dy gra... -
Dëshmia e grave pa praninë e një dëshmitari mashkull në marrëveshjet e ndryshme nuk pranohet, sepse Allahu i Lartësuar e ka marrë në konsideratë dëshminë e tyre vetëm kur është edhe prania e burrave. Dikush mund të shprehet se Allahu i Lartësuar ka thënë që, në dëshmi, dy gra zëvendësojnë një burrë, dhe ky kusht mund të plotësohet njëlloj, qofshin apo jo burrat aty. Megjithatë, Allahu e di më mirë. Dëshmia e skllavit në moshë madhore është njëlloj e pranueshme si dëshmia e të lirit, sepse thënia e Allahut: “Kërkoni që të dëshmojnë dy burra nga mesi juaj” i përfshin si të lirët, ashtu dhe skllevërit, pa u bërë ndonjë dallim mes tyre. Dëshmia e jobesimtarëve, burra apo gra qofshin, është e papranueshme dhe e pavlefshme ligjërisht, sepse ata nuk janë prej nesh, ndërsa Allahu i Lartësuar thotë: “...dy burra nga mesi juaj”. Gjithashtu, dihet se dëshmia ka si kusht të domosdoshëm që dëshmitari të jetë i drejtë e i ndershëm, dhe qafirët nuk e plotësojnë këtë kusht. Ajeti tregon përparësinë e burrit kundrejt gruas në këtë çështje. Pra, në rastin e dëshmisë, një burrë zëvendësohet me dy gra. Ky dallim bëhet sepse burri është kryesisht më i fortë dhe më i qëndrueshëm në kujtesën dhe, rrjedhimisht, në dëshminë e tij.
...në mënyrë që, nëse njëra prej tyre harron, t’ia kujtojë tjetra. –
Ky ajet tregon se, nëse dikush e harron për momentin dëshminë që ka bërë, por pastaj arrin ta rikujtojë i ndihmuar nga një tjetër, dëshmia e tij është e saktë dhe e vlefshme ligjërisht, sepse Allahu i Lartësuar thotë: “...nëse njëra prej tyre harron, t’ia kujtojë tjetra.”. Sipas nënkuptimit të ajetit, nëse dëshmitari ka frikë se e harron dëshminë rreth një të drejte të detyrueshme për t’u plotësuar, atëherë ai e ka detyrë që ta shkruajë atë, sepse çdo gjë pa të cilën nuk mund të arrihet diçka e detyrueshme, është edhe vetë e detyrueshme.
Dëshmitarët nuk duhet të refuzojnë kur ftohen për të dëshmuar. -
Nuk i lejohet dëshmitarëve që t’i bëjnë bisht dëshmisë, pa pasur justifikim të pranueshëm nga Sheriati. Megjithatë, nëse personi nuk i plotëson kushtet si dëshmues, nuk e ka të detyrueshme që të dëshmojë, sepse edhe nëse dëshmon, ajo dëshmi do të ishte e pavlefshme ligjërisht.
Dhe mos përtoni ta shkruani atë (borxhin) dhe afatin e tij, qoftë i vogël apo i madh. -
Ajeti na ndalon që të ngurrojmë të shkruajmë çfarëdolloj kontrate borxhi, i vogël apo i madh qoftë si, afatshkurtër apo afatgjatë, nëse këtë e kërkojnë palët. Ne nuk duhet të bezdisemi nga të tilla procedura, se, në fund të fundit, janë për të mirën tonë.
Kjo është më e drejtë tek Allahu, më e vlefshme si dëshmi dhe më larg dyshimeve. -
Ajeti sqaron urtësinë e mbajtjes me shkrim të procesverbaleve për marrëveshjet tregtare dhe për huamarrjet. Ai thotë se, në këtë mënyrë mund të vendoset drejtësia mes njerëzve dhe të ruhet qetësia mes palëve. Nuk ka dyshim se kontratat dhe dëshmitë më shkrim janë më të sigurta dhe më larg dyshimeve e keqkuptimeve, të cilat janë gjithmonë burim polemikash dhe mosmarrëveshjesh. Ajeti tregon se, ai që dyshon dhe nuk ka siguri për dëshminë që do të japë, e ka të ndaluar të dëshmojë, derisa të sigurohet plotësisht për të.
Nëse është shitblerje e atypëratyshme midis jush, atëherë nuk është ndonjë gjynah të mos e shënoni. Megjithatë, kur bëni shitblerje, dëshmojeni me dëshmitarë. -
Siç shihet, lejohet mosmbajtja e procesverbaleve për shitblerjet e shpejta, që bëhen atypëraty, sepse në këto raste të drejtat e ndërsjellta plotësohen totalisht dhe në moment. Megjithatë, edhe pse procesverbali me shkrim i këtyre lloj kontratave tregtare të shpejta nuk është i detyrueshëm, përsëri është e ligjshme që aty të ketë dëshmitarë.
Nuk duhet të dëmtohen as shkruesi, as dëshmitarët... -
Nuk lejohet që shkruesi të dëmtohet duke u detyruar, për shembull, që të shkruajë në kohë të papërshtatshme për të, kur ai është i zënë me diçka tjetër të rëndësishme etj. Po kështu, nuk lejohet të dëmtohet as dëshmitari, sido që të jetë, për shembull, duke e thirrur të dëshmojë ndërkohë që ai është sëmurë, kur ka vështirësi të ndryshme etj. Por folja judar-ra (dëmtohen) mund të merret edhe si në formë veprore, pra mund të jetë edhe: “dëmtojnë”. Me këtë kuptim, ajeti ndalon shkruesin dhe dëshmitarin që të jenë dëmtues të palëve, për shembull, duke mos u shërbyer atyre ose duke u kërkuar shpërblim shumë të lartë për punën e ofruar.
...prandaj, nëse e bëni, do të jetë tejkalim nga ana juaj. -
Kush i shkel këto dispozita është fâsiķ, domethënë, njeri që i kalon kufijtë e Zotit. Një i tillë është paralajmëruar për dënim. Nga ajeti kuptohet se cilësitë pozitive mund të gjenden ndonjëherë bashkë me ato negative tek një njeri. Për shembull, nuk është e pamundur që te dikush që ka iman të gjendet edhe ndonjë masë hipokrizie (që shfaqet në punë). Në këtë ajet, Allahu i Lartësuar thotë: “nëse e bëni, do të jetë tejkalim nga ana juaj”. Pra, Ai nuk ka thënë që: “do të bëheni tejkalues, të prishur”. Ai u është drejtuar besimtarëve dhe i ka konsideruar ata si të tillë por ka pohuar gjithashtu edhe praninë e tejkalimit përveç besimit. Nga ajeti mësojmë, gjithashtu, se “el adaletu” ndershmëria dhe pastërtia e dëshmitarit është kusht për pranimin e dëshmisë së tij. Sepse Allahu i madhëruar thotë: “mim-men terđaune minesh-shuhedãi duke rënë dakord për njerëzit e zgjedhur.”.“El adaletu” ndershmëria dhe pastërtia e njeriut përcaktohet nga qëndrimi dhe tradita e përgjithshme e shoqërisë në atë vend dhe në atë kohë që jeton njeriu. Atë që njerëzit e një kohe apo vendi e konsiderojnë “të ndershëm”, ai është i pranueshëm si dëshmitar. Nga ana tjetër, ajeti tregon se dëshmia e një personi të cilit nuk ia njohim ndershmërinë është e papranueshme, derisa të dëshmohet se ai është vërtet i ndershëm e i drejtë.
Kijeni frikë Allahun dhe Allahu do t'ju dhurojë dituri. Allahu Di çdo gjë. -
Këto ishin vetëm disa nga dispozitat e përfituara prej këtij ajeti të mrekullueshëm, nga mendja dhe përpjekjet tona modeste. Në Librin e Allahut ka urtësi dhe dispozita të shumta, kuptimin e të cilave, Allahu i Lartësuar i nderon dhe ua mundëson që t’i zbulojnë atyre adhuruesve të Tij që Ai dëshiron.
[1] Shitblerje me porosi, sipas legjislacionit Islam është çdo lloj akti shitblerje në të cilin malli porositet me cilësi të caktuara, me pagesë në vendin e aktit, por që malli të dorëzohet në një afat kohor të pranuar nga të dyja palët. Profeti a.s. ka thënë: "Kush parapaguan për një mall të vonuar le të përcaktojë masën, peshën dhe kohën."