Allahu i Madhëruar na njofton për madhështinë e këtij Kur'ani dhe për rëndësinë e tij të madhe. Ai na njofton se Kur'ani është fjala e Tij, që Ai e ka folur, dhe Shpallje e zbritur nga i Madhërishmi. Ai thotë:
Shpallja e këtij Libri është prej Allahut, Ngadhënjimtarit, të Urtit. -
Kur'ani është shpallja e Allahut, që është i vetmi i Adhuruar me meritë nga krijesat. Ai është i vetmi i Adhuruar me meritë, sepse është i Plotë, Absolut dhe i Madhëruar në të gjitha emrat dhe cilësitë e Tij. Ai është Krenari, Ngadhënjimtari e i Plotfuqishmi, që ka nënshtruar çdo krijesë me fuqinë dhe krenarinë e Tij. Para Tij është përulur çdo gjë. Ai është i Urti dhe urtësia e Tij shpaloset qartë në krijimin dhe në ligjin e Tij. Ky Kur'an është shpallur nga Allahu, që është i përshkruar me të tilla cilësi. Ai është fjala e Allahut. Të folurit është cilësi e atij që flet dhe cilësia e tij vlerësohet sipas atij që e ka folur. Kështu, duke qenë se Allahu është i plotë dhe absolut në çdo aspekt dhe nuk ka shembull dhe të ngjashëm me të, po kështu edhe Fjala e Tij është e plotë dhe absolute në çdo këndvështrim dhe nuk ka të ngjashme ose si shembulli i saj. Vetëm ky detaj do të mjaftonte në përshkrimin e Kur'anit, për të treguar gradën dhe rëndësinë e tij të lartë dhe të jashtëzakonshme. Por Allahu i Madhëruar na sjell edhe më shumë sqarime dhe lëvdata për Kur'anin. Ai na përmend faktin se kujt iu zbrit ky libër. Ndër faktet që e shtojnë edhe më shumë mirësinë dhe gradën e Kur'anit është edhe fakti ai që iu shpall Muhamedit (a.s), më të nderuarit të krijesave. E si mund të ndodhte ndryshe, kur ky libër është fjala më e nderuar dhe më e rëndësishme! Ndër faktet që tregojnë madhështinë dhe rëndësinë e Kur'anit është edhe përmbajtja e tij.