Pasi idhujtarët u mposhtën në Bedër, Allahu i Madhëruar u thotë besimtarëve:
Nuk ishit ju që i vratë ata, por ishte Allahu Ai që i vrau ata... -
Kjo është e vërteta. Allahu i shkatërron gjithmonë kurthet e jobesimtarëve. Kështu, nuk ishin muslimanët, me forcën e tyre, që i vrisnin armiqtë, por ishte Allahu i Madhëruar Ai që i ndihmonte dhe u dha sukses, nëpërmjet shkaqeve të përmendura më lart.
...Nuk ishe ti ai që i gjuajte, atëherë kur i gjuajte, por ishte Allahu Ai që gjuajti... -
Gjatë betejës, Profeti (a.s)hyri në çadrën e tij dhe filloi të luste me përgjërim e këmbëngulje Allahun e Madhëruar për fitoren kundër armikut. Më pas, ai doli jashtë, mori një grusht rërë dhe e flaku atë në drejtim të idhujtarëve. Allahu i Madhëruar bëri që kokrrizat e rërës të binin në fytyrat e të gjithë armiqve. Askush prej tyre nuk mbeti pa u goditur në fytyrë, gojë dhe sy. Pas kësaj, forca e idhujtarëve ra dhe po dukeshin shenjat e humbjes së tyre.[1] Kjo goditje ndodhi me fuqinë dhe përcaktimin e Zotit, me një urtësi të madhe:
...për t’i shpërblyer besimtarët me një dhuratë të mirë prej Tij. -
Nuk ka dyshim se Allahu i Madhëruar është i Plotfuqishëm që t’i bënte besimtarët triumfues mbi mohuesit edhe pa u zhvilluar kjo luftë, por Allahu dëshiroi të sprovonte besimtarët me xhihad dhe, nëpërmjet tij, t’u ngrinte gradat dhe imanin në majat më të larta. Kësisoj, Allahu dëshironte që t’u dhuronte shpërblime dhe nderime të mëdha.
Nuk ka dyshim se Allahu dëgjon dhe di gjithçka. -
Allahu i Lartësuar e dëgjon dhe e di mirë atë që robi e shfaq dhe atë që ai e mban fshehur. Ai i di mirë qëllimet që robi i mban fshehur në gjoks, si të mirat ashtu edhe të kundërtat e tyre dhe kur dëshiron i sprovon ata sipas diturisë dhe urtësisë së Tij të pakufijshme. Ai i sprovon robërit përmes përcaktimeve të Tij të urta, përcaktime të cilat pa dyshim janë dobiprurëse për adhuruesit e sinqertë. Të gjithë do të bëjnë vepra sipas imanit të tyre, ndërsa Allahu i Madhëruar do ta shpërblejë secilin sipas qëllimit dhe sipas veprave të bëra.
[1] Gjuajtja me dhé që bëri Profeti a.s.
Gjatë betejës, Profeti a.s. mbushi grushtin e tij me dhé, dhe e flaku atë në drejtim të fytyrave të armikut. Nuk mbeti njeri prej tyre që të mos i mbusheshin sytë me dhe. Ata ecnin të çoroditur, duke fërkuar sytë e mbushura me dhe, kurse muslimanët korrnin armiqtë me shpatat e tyre. Rreth kësaj goditjeje të bërë nga Profeti a.s., Allahu i Lartësuar thotë: “Nuk ishit ju që i vratë ata, por ishte Allahu Ai që i vrau ata. Nuk ishe ti ai që i gjuajte, atëherë kur i gjuajte, por ishte Allahu Ai që gjuajti, për t’i shpërblyer besimtarët me një dhuratë të mirë prej Tij. Nuk ka dyshim se Allahu është Gjithëdëgjues dhe i Gjithëditur.” (Enfal 17). Disa mendojnë se ky ajet argumenton se ai që vepron në të vërtetë është Allahu dhe jo njeriu, pra sipas tyre ajeti mohon ndërmarrjen e veprimeve nga njeriu dhe ia atribuon ato Allahut. Porse ky mendim është i gabuar në shumë aspekte, sqarimi i të cilave nuk mund të bëhet këtu. Shpjegimi i vërtetë i ajetit është: Allahu i Lartësuar tregon se fillimisht ishte Profeti a.s. që gjuajti, por ajo që Allahu tregon se nuk u bë nga ana e Profetit a.s., ishte pikëmbërritja e dheut thjesht dhe vetëm me gjuajtjen e Profetit a.s. Dihet se një goditje kalon në dy procese: së pari, në lëshimin e mjetit me të cilin goditet, dhe, së dyti, mbërritja e tij tek objektivi. Hedhjen e bëri fillimisht Profeti a.s., gjë të cilën Allahu i Lartësuar e konfirmon në ajet, ndërsa ajo të cilën Allahu tregon se nuk e bëri Profeti a.s., ishte pikërisht mbërritja e dheut tek objektivi, sepse këtë e bëri Allahu i Lartësuar. Shkëputur nga “Zadul mead” vell 3