Në gjithë këto (ngjarje) ka Argumente për ata që besojnë. -
Në këtë ndodhi ka shumë mësime dhe dobi, por në mënyrë të veçantë theksohet përkujdesja e madhe e Allahut të Lartësuar për të dashurin e Tij, Ibrahimin (a.s), dhe për Lutin (a.s), i cili ishte një nga pasuesit dhe nxënësit e afërt dhe të bindur të Ibrahimit. Për këtë arsye, kur Allahu i Lartësuar vendosi ta shkatërronte popullin e Lutit me ndëshkimin e merituar, i urdhëroi melekët e Tij që fillimisht të shkonin te Ibrahimi (a.s), ta përgëzonin për lindjen e një djali dhe ta njoftonin për misionin e tyre. Ibrahimi (a.s) u përpoq të polemizonte me mysafirët rreth çështjes së shkatërrimit të qytetit, por ata e bindën atë me argumente nga Zoti, duke ia qetësuar zemrën. Kështu u kujdes Allahu i Lartësuar për Ibrahimin (a.s), duke e qetësuar për atë që do të ndodhte. Po kështu u kujdes Allahu i Lartësuar edhe për Lutin (a.s). Duke qenë se bëhej fjalë për shkatërrimin e popullit të tij, ndoshta Luti do të ndiente keqardhje dhe dhembshuri për ta. Atëherë, Allahu i Lartësuar bëri të mundur disa shkaqe, që Luti të ndiente zemërim dhe urrejtje për ta, aq sa po i dukej larg koha e ndëshkimit të tyre, edhe pse Allahu i Lartësuar i tha: "Afati i tyre është mëngjesi. A nuk është afër mëngjesi?!” Kur Allahu i Lartësuar vendos për të shkatërruar një vend, atëherë në atë vend, fillimisht, do të shtohet ligësia dhe teprohet me kalimin e kufijve. Pas këtyre, pritet ndëshkimi i dhimbshëm dhe i meritueshëm.