Në ajetet e mësipërme, Allahu i Madhëruar na konfirmoi për ata të vetëmashtruar që bëjnë dy të liga: së pari, shpërfillin të vërtetën dhe Shpalljen e Zotit, duke mos denjuar ta njohin dhe të jetojnë sipas saj dhe, së dyti, janë të vetëkënaqur dhe pretendojnë se, meqë Allahu po u jep të mira në këtë jetë, ky është argument se ata janë të mirët dhe të zgjedhurit e Allahut. Në vijim, Allahu i Lartësuar përmend besimtarët e mirë dhe të zgjedhur, që janë krejtësisht ndryshe nga të vetëkënaqurit. Këta fatbardhë, edhe pse i binden Zotit dhe pasojnë profetët dhe shpalljet e Tij, përsëri janë të frikësuar dhe të mbushur me përunjësi ndaj Zotit. Ai thotë:
Vërtet, ata të cilët nga frika prej Zotit të tyre, janë të përulur,... –
Ata janë të frikësuar e të përulur para Zotit, sepse ata e njohin mirë Atë. Frika e tyre quhet ‘el hashjeh’, pra, një frikë që buron nga dituria e thellë dhe e hollësishme për madhështinë e Zotit, dituri e cila mund të përfitohet veçse nga shpallja dhe të medituarit gjatë në të. Ata e dinë se Zoti është i Drejtë dhe e dinë po aq mirë se, nëse Ai i trajton ata me drejtësinë e Tij, do të jenë të shkatërruar dhe nuk do t’u mbetet asnjë e mirë që të mund të shpresojnë. Nga ana tjetër, ata e njohin mirë vetveten, padrejtësinë dhe injorancën që i karakterizon si krijesa të brishta dhe e shohin se janë shumë të mangët në plotësimin e hakut të Zotit. Gjatë gjithë kohës ata janë të frikësuar se mos nga gjynahet dhe padrejtësia e tyre, nga dobësia dhe pafuqia e tyre para armikut, mund t’u largohet imani nga zemra. Ata e dinë mirë se çfarë meriton Zoti i tyre dhe kanë frikë nga mangësitë dhe gjynahet. Kjo frikë i bën që gjithmonë të jenë të kujdesshëm nga gjynahet dhe të përkushtuar që t’i zbatojnë sa më mirë urdhëresat e Zotit. Këta Zoti i përshkruan: