Këto ajete flasin për disa virtyte të larta, që Zoti e urdhëron Profetin e Tij t’i ketë. Ai thotë:
Ktheje të keqen me atë që është më e mira! -
Nëse armiqtë e tu të rëndojnë e sillen keq kundër teje me fjalë ose me vepra, ti mos ua kthe po me të keq. Edhe pse dënimi me barazi i keqbërësit është i lejuar dhe drejtësi, morali i lartë kërkon që ligësisë së tyre t’i kundërpërgjigjesh me mirësi. Kjo është një lloj bamirësie ndaj keqbërësit. Ndër të mirat që sjell kjo sjellje është edhe reduktimi e zbutja e ligësisë së tjetrit mbi ty. Ai do të zbutet që në atë moment, madje edhe më shumë më pas. Kjo mirësjellje e afron keqbërësin më afër të mirës dhe drejtësisë dhe e bën më të gatshëm për të pranuar prej teje. Kjo do të bëjë, gjithashtu, që ai të ndiejë më shumë keqardhje dhe pendesë për sjelljen e padrejtë të tij. Nëse bamirësi pajiset me durim e mirësjellje, me falje e moral të mirë, ka për ta mposhtur shejtanin e mallkuar dhe ka për të marrë shpërblim të madh nga Zoti i tij, siç thotë i Lartësuari: " Ndëshkimi i së keqes (lejohet të) bëhet me një të keqe në të njëjtën masë; por kush fal e përmirëson, shpërblimin e ka tek Allahu. Vërtet, Ai nuk i do të padrejtët." [Shura 40]. Gjithashtu: "E mira nuk mund të jetë e barabartë me të keqen. Largoje atë (të keqen) me çfarë është më e mirë, sepse atëherë, edhe ai, me të cilin ke njëfarë armiqësie, do të të bëhet mik i afërt. Mirëpo këtë nuk mund ta arrijë askush, përveç atyre që janë durimtarë; dhe askush, përveç atyre që kanë fat të madh. E, nëse ndonjëherë ty të bëhet ndonjë ngacmim prej Shejtanit, kërko mbrojtje prej Allahut, sepse Ai është Gjithëdëgjuesi e i Gjithëdituri." [Fusilet 34 – 36].
Ne e dimë më së miri atë që shpifin ata. -
Allahu i Madhëruar i di mirë të gjitha ato fjalë kufri të mohuesve. Por Ai është Halim - Falës i dashur dhe i mëshirshëm, që nuk nxiton në ndëshkimin e tyre. Allahu është i duruar dhe i afatizon ata. Ata mohojnë të vërtetën që Zoti e solli, dhe kështu janë duke refuzuar dhe mohuar vetë Zotin, por Ai bën durim. Pra, o Muhamed, edhe ti duhet të bësh durim për ç’thonë ata, madje t’u kundërpërgjigjesh me bamirësi e moral të lartë. Ky është detyrimi kundrejt mundimeve që të japin njerëzit keqbërës. Ndërsa për sa i përket keqbërësve xhindë, me ta nuk vlen morali i mirë, mirësjellja dhe bamirësia. Shejtani e fton palën e vet për të qenë banorë të Zjarrit. Me ta, e vetmja mënyrë që sjell dobi është ajo që Zoti e porosit Profetin e Tij kur thotë: