Thuaj: “Kur'ani është zbritur nga Ai, që e di të fshehtën në qiej e në Tokë. -
Kur'anin e ka shpallur Ai i cili ka përfshirë me diturinë e Tij gjithçka që gjendet në qiej dhe në tokë, të fshehtën dhe të dukshmen, atë që thuhet haptazi dhe atë që mbahet në gjoks. Allahu i Lartësuar thotë në një ajet tjetër: “Pa dyshim, ai (Kur'ani) është shpallje e Zotit të botëve. Atë e solli Shpirti besnik (Xhibrili) në zemrën tënde, për t’u bërë paralajmërues, me gjuhë të kulluar arabe. Me të vërtetë, ai është i përmendur edhe në librat e mëparshëm.” [Shuara 192 - 195]. Ndërsa këtu thotë: "Kur'ani është zbritur nga Ai, që e di të fshehtën në qiej e në Tokë.". Kështu, Allahu i Lartësuar, për të hedhur poshtë pretendimet e tyre, argumenton me faktin se Ai ka dituri të plotë për gjithçka që ndodh në qiell dhe në Tokë, apo për atë që e flasin dhe pretendojnë krijesat. Duke qenë i Tillë, është e pamundur që ndonjë krijesë të shpifte dhe pretendonte që ky libër është fjalë e Zotit, nëse nuk do të ishte i tillë. Si është e mundur që në emër të këtij pretendimi, një mashtrues të luftonte dhe të derdhte gjakun e kundërshtarëve të tij, të lejonte marrjen e pasurisë së tyre dhe të pretendonte se Allahu e kishte urdhëruar për një gjë të tillë dhe, nga ana tjetër, Allahu i Lartësuar, i Cili di gjithçka dhe është i Plotpushtetshëm për gjithçka, ta mbështesë një njeri të tillë, t’i japë mundësinë të triumfojë mbi armiqtë e këtij njeriu dhe t'ia mundësojë që ai t'i marrë nën sundim pasuritë, vendet dhe jetët e tyre?! Allahu i Lartësuar kurrë nuk mund të mbështesë një të padrejtë dhe trillues të këtyre përmasave, sepse Ai është Zoti i botërave, i Gjithëditur dhe i Gjithëpushtetshëm, i Drejtë dhe Ngadhënjimtar, dhe askush nuk mund të dalë mbi vullnetin e Tij. Askush nuk mund ta mohojë këtë Kur'an, vetëm nëse do të mohonte të besonte diturinë absolute të Zotit. Nga ana tjetër, kur Allahu i Lartësuar na kujton diturinë e Tij absolute për gjithçka, në fakt, na ka nxitur që të meditojmë rreth këtij Kur'ani. Nëse bëjmë diçka të tillë, do të shohim brenda tij diturinë e madhe të Zotit dhe do të mësojmë shumë ligje dhe dispozita, të cilat na tregojnë në mënyrë shumë të qartë dhe të prerë se ky Libër mund të vinte veçse nga Ai që është i Gjithëdituri rreth të fshehtës dhe asaj që shfaqet, që është i Urtë dhe i Mëshirshëm.
Ai është Falës i Madh, e Mëshirëplotë”. -
Edhe pse ata njerëz të padrejtë dhe keqbërës refuzojnë ta njësojnë Zotin dhe të pranojnë shpalljen e Tij, i Lartësuari përsëri tregohet i Dashur dhe i Mëshirshëm me ta. Kjo ftesë duket qartë në ajet, sepse Allahu i Madhëruar nuk i braktis dhe nuk i lë në padrejtësi, por i fton të pendohen dhe të kthehen tek Ai të nënshtruar, për ta adhuruar si një të vetëm, dhe u premton atyre falje gjynahesh dhe mëshirë, nëse pendohen. Allahu thotë: "Ai është Falës i Madh e Mëshirëplotë”. Zoti është Falës i Madh për të gjithë ata që bëjnë padrejtësi dhe gjynahe, nëse plotësojnë kushtet për faljen e Tij. Kushtet për faljen nga Zoti janë lënia e gjynaheve dhe pendimi i sinqertë për to. Allahu i Lartësuar është gjithashtu i Mëshirshëm me ata, dhe mëshira e Tij duket qartë në faktin që nuk ua përshpejton ndëshkimin, edhe pse e kanë bërë plotësisht të meritueshëm. Gjithashtu, mëshira e Allahut duket edhe në faktin që Ai ua pranon pendimin pas gjithë atyre poshtërsive dhe ua fshin të këqijat që kanë kaluar. Ai ua pranon veprat e mira, edhe pse të mangëta dhe shumë të pakta. Allahu është Mëshirëplotë, sepse Ai e kthen në rrugë të drejtë atë që është harruar dhe larguar shumë prej saj, derisa e bën të përkushtuar në adhurim edhe atë që dikur i pati kthyer shpinën. Ai i jep mundësinë edhe gjynahqarit më të madh që të bëhet i bindur, nëse kthehet i penduar dhe kryen atë që është e nevojshme për këtë.