Allahu i Lartësuar u tregon njerëzve për mirësitë e Tij dhe i fton e inkurajon ata për t’u treguar mirënjohës e jo të tregohen të pavëmendshëm ndaj tyre. Ai thotë:
A nuk e shihni ju se si Allahu e nënshtroi për të mirën tuaj gjithçka ka në qiej e në tokë... -
A nuk e shihni me sytë e zemrat tuaja se Allahu nënshtroi për të mirën tuaj gjithçka ka në qiej e në tokë? Ai nënshtroi diellin, hënën, yjet. Në Tokë, Ai vendosi krijesa të shumta, kafshë, pemë, bimë, lumenj, minerale etj. Të gjitha këto Zoti i ka nënshtruar që të jenë në dobi të njerëzve, sikurse thotë i Madhëruari: "Gjithçka që ka në Tokë, Ai (Allahu) e krijoi për ju, pastaj iu drejtua qiellit dhe i përsosi shtatë qiejt. Ai është i Gjithëditur për gjithçka." [Bekare 29].
dhe i plotësoi ndaj jush mirësitë e Tij, të dukshme e të padukshme! -
Ai i ka përfshirë të gjithë me mirësitë e Tij të shfaqura dhe të fshehura, të cilat i dimë, por edhe me shumë mirësi që ne nuk i dimë. Ai na ka mbuluar me mirësitë e dynjasë dhe mirësitë e fesë e të besimit. Mirësitë e Tij na vijnë ose si begati, ose si ruajtje nga të këqijat. Kështu, ne duhet të përkushtohemi për të shprehur mirënjohjen ndaj këtyre mirësive, duke treguar dashurinë për Allahun dhe përunjësinë ndaj Tij. Ne duhet që këto mirësi t'i përdorim për t'iu bindur Allahut dhe jo për të bërë poshtërsi ndaj Allahut.
Megjithatë, ka njerëz të tillë që polemizojnë për Allahun pa patur aspak dituri, pa udhëzim të qartë dhe pa ndonjë libër të ndritshëm. -
Megjithë këto mirësi, ka përsëri njerëz që nuk tregohen mirënjohës, madje tregohen mohues të këtyre mirësive, duke mos njohur as Atë që ua dhuroi. Këta nuk e pranojnë mesazhin që Zoti e dërgoi me profetët dhe librat që i shpalli për njerëzit, që ata t'i përmbahen. Këta njerëz: "...polemizojnë për Allahut pa patur aspak dituri, pa udhëzim të qartë dhe pa ndonjë libër të ndritshëm." Ata polemizojnë me të kotën, për të hedhur poshtë të mirën. Nëpërmjet kotësive, ata synojnë që të hedhin poshtë urdhrat që profetët e Zotit sollën ndër njerëz për të adhuruar Zotin si një të vetëm. Por këta polemizues me të kotën janë të verbër dhe nuk kanë asnjë argument nga Zoti. Polemikat e tyre nuk janë të mbështetura në të vërtetën dhe të drejtën dhe as në dituri e dritë nga Zoti. Prandaj këtyre njerëzve nuk u dëgjohet fjala dhe as duhen lënë që të llomotitin me kotësitë e tyre, por u duhet dalë përpara me prova e fakte. Ata nuk ofrojnë ndonjë udhëzim, nëpërmjet të cilit të udhëzohen të diturit. Ata nuk bazohen në ndonjë libër të ndritur, që qartëson të vërtetën. Ata nuk mbështeten në argumentet tradicionale, as në argumente logjike dhe nuk marrin për bazë rrugën e të udhëzuarëve. Polemikat e këtyre në kundërshtim të Zotit, janë ndërtuar dhe mbështetur veçse në pasimin e verbër të të parëve të tyre, që nuk ishin të udhëzuar në rrugën e drejtë, por ishin të humbur dhe të devijuar, të zhytur në errësirat e mohimit dhe idhujtarisë.