Allahu i Lavdëruar na njofton se Ai është i vetmi që administron dhe rregullon çështjet e robërve të Tij, qoftë kur janë zgjuar dhe në aktivitet, qoftë kur janë në gjumë, kur janë gjallë në këtë jetë dhe pas largimit nga kjo jetë. Ai thotë:
Allahu ua merr shpirtrat robërve kur u vjen çasti i vdekjes. -
Kjo është vdekja e madhe, që e largon njeriun nga kjo jetë. Fakti që Allahu thotë se është Ai që i merr dhe ngre shpirtrat nuk bie ndesh me faktin se Ai ka ngarkuar Melekun e Vdekjes me detyrën e marrjes së shpirtit dhe melekë të tjerë si ndihmës të këtij meleku, siç thotë Zoti në një ajet tjetër: "Thuaj: “Ka për t’jua marrë shpirtrat Meleku i Vdekjes që është caktuar për ju, e pastaj, te Zoti juaj do të ktheheni të gjithë” (për gjykimin dhe shpërblimin me drejtësi)”. [Sexhde 11]. Pra, nuk ka asnjë kontradiktë në këtë mes, sepse ndonjëherë Allahu ia atribuon këto vepra Vetes së Vet me pozitën e Tij si Ai që kujdeset dhe administron të gjitha çështjet e krijesave dhe herë të tjera ia atribuon ndonjë krijese apo sebepeve, parë nga këndvështrimi se ato janë rregulla dhe ligje që vetë Ai i ka vendosur dhe që funksionojnë me urtësinë e Tij. Allahu ka bërë shkak për çdo pasojë. Ky është ligji shkak-pasojë, që Ai ka vendosur në këtë jetë.
Dhe po kështu, edhe atyre që janë në gjumë e nuk kanë vdekur. -
Kjo është vdekja e vogël. Allahu e ngre dhe e mban shpirtin, që ende nuk ka dalë e kaluar në vdekjen e madhe.
Shpirtrat e atyre që u është caktuar vdekja i mban (nuk i kthen), ndërsa shpirtrat e të tjerëve (që nuk u është caktuar vdekja) i lë (të kthehen), deri në afatin e caktuar. -
Kështu, Allahu i Lartësuar i mban ata shpirtra që ka vendosur të kalojnë në ahiret dhe i lëshon disa të tjerë që të vazhdojnë jetën në këtë botë, deri në afatin e caktuar. Ai i lë të vazhdojnë jetën për të marrë të plotë rizkun këtu, derisa të përfundojë koha e tyre.
Vërtet, në këto çështje ka argumente për ata që mendojnë. -
Domethënë, për ata njerëz që mendojnë për pushtetin e Tij të plotë për të ringjallur të vdekurit pasi të largohen nga kjo jetë. Kjo tregon se shpirti është diçka që qëndron vetë dhe që përmbajtja e tij është ndryshe nga ajo e trupit. Shpirti është i krijuar nga Zoti dhe nën pushtetin e Tij. Është Ai që vepron në të gjatë jetës, gjatë gjumit të njeriut. Shpirti është diçka Allahu e merr, e ngre, e lëshon, ose e nxjerr nga trupi i njeriut. Shpirtrat e të gjallëve dhe të vdekurve takohen në jetën e berzah-ut dhe tubohen bashkë e komunikojnë. Allahu i Lartësuar i lëshon dhe i kthen mbrapsht shpirtrat e të gjallëve dhe nuk i kthen ata që Ai ka vendosur të vdesin.