Sot u lejuan për ju (të gjitha) ushqimet e mira (e të pastra). -
Lejimin e të mirave për ne Allahu i Lartësuar e ka bërë për të na mëshiruar dhe nderuar. Ai e përsërit shpalljen e kësaj dispozite, për të treguar mirësinë e Tij dhe për t’i ftuar adhuruesit që të jenë mirënjohës dhe ta kujtojnë Atë sa më shpesh, ashtu siç i ka mësuar dhe udhëzuar. Është Allahu i Lartësuar Ai që bëri të lejueshme çdo gjë të mirë, të këndshme, të pastër dhe të dobishme. Të gjitha mirësitë e kanë pikënisjen nga bujaria dhe mëshira e Tij.
Edhe ushqimet e ithtarëve të Librit janë të lejuara për ju, ashtu si edhe ushqimet tuaja janë të lejuara për ta. -
Kuptimi: Kafshët e therura nga çifutët dhe krishterët janë hallall për ju, o besimtarë muslimanë! Por nuk kanë të njëjtin gjykim kafshët e therura nga kategoritë e tjera të qafirëve, veç dy grupeve të mësipërme. Kafshët e therura nga të tjerët nuk janë të lejueshme për ne. Arsyeja e këtij dallimi është se ithtarët e Librit pretendojnë se pasojnë profet dhe libra qiellorë. Të gjithë profetët, pa përjashtim, i kanë konsideruar haram kafshët e therura për hir të dikujt tjetër veç Zotit, sepse kjo vepër është idhujtari. Çifutët dhe të krishterët e pranojnë dhe e besojnë faktin që flijimet për hir të dikujt tjetër veç Zotit janë të ndaluara. Për këtë arsye, të therurat e tyre janë lejuar, ndërsa të therurat e të tjerëve janë të ndaluara. Në ajet thuhet: “Edhe ushqimet e ithtarëve të Librit janë të lejuara për ju…”. Me “ushqimet e ithtarëve të Librit” pa dyshim që është për qëllim: “të therurat e tyre”, sepse për sa u përket ushqimeve të tjera, si farëra, fruta, perime etj., ato sigurisht që janë të lejuara, qofshin nga ithtarët e Librit, qofshin nga të tjerë. Po ashtu, ushqimet e muslimanëve janë të lejuara për ta dhe lejohet që t’u japim atyre prej ushqimeve tona.
Është e lejuar për ju të martoheni me gratë e ndershme besimtare dhe me gratë e ndershme të atyre që u është dhënë Libri para jush, … -
Kuptimi: Ju është lejuar të martoheni me gratë e lira (jo skllave) dhe të ndershme besimtare muslimane dhe me gratë e lira dhe të ndershme prej atyre që iu është dhënë Libër hyjnor më parë, domethënë, që janë hebreje ose të krishtera. Në suren Bekare, Allahu i Lartësuar thotë: “Mos u martoni me idhujtare, derisa ato të besojnë”, kurse në këtë ajet, Allahu i Lartësuar e kufizon gjykimin përjashtues të ajetit të sures Bekare, duke na lejuar që të martohemi me një kategori të caktuar idhujtaresh, që janë gratë e lira (jo skllave) dhe të ndershme hebreje ose të krishtera. Nga ajeti kuptohet që martesa me një skllave hebreje ose të krishterë është e palejueshme për një burrë të lirë besimtar, sepse Allahu i Lartësuar, kur e ka lejuar martesën e një të liri me një skllave, ka thënë: “Ai i cili nuk ka mundësi materiale që të martohet me femra të lira besimtare, le të martohet me besimtaret që i keni nën pushtetin tuaj (robëreshat)...”. Pra, Allahu i Lartësuar ka vendosur si kusht që skllavja të jetë besimtare muslimane. Përfundimisht, nuk lejohet martesa e një burri të lirë musliman me një skllave prej ithtarëve të Librit. Ndërsa për sa i përket martesës së një besimtari të lirë me një besimtare muslimane skllave, kjo është e lejueshme nëse plotësohen dy kushte:
1. Burri nuk ka mundësi për t’u martuar me një grua të lirë, jo skllave.
2. Burri e ka nevojë të domosdoshme martesën dhe frikësohet seriozisht se do të bjerë në imoralitet.
Ndërsa me gra jo të ndershme, që janë të papërmbajtura dhe nuk ruhen nga imoraliteti, martesa është e palejueshme, pavarësisht në janë muslimane, të krishtera apo çifute, sepse Allahu i Lartësuar thotë: "Laviri nuk mund të martohet veçse me një lavire ose idhujtare. Dhe me laviren nuk mund të martohet kush, veçse një lavir ose idhujtar. Ajo (imoraliteti ose martesa me ta) është e ndaluar për besimtarët. [El Nur 3.] Dhe thotë gjithashtu: “Gratë e këqija janë për burra të këqij dhe burrat e këqij janë për gratë e këqija, ndërsa të ndershmet janë për të ndershmit dhe të ndershmit janë për të ndershmet...” [El Nur 26.]
…nëse u jepni atyre (mehrin) dhuratën martesore, …. -
Përveç kushteve të mësipërme, Allahu i Lartësuar tregon edhe një kusht tjetër, që martesat tona të jenë të lejueshme dhe të drejta, dhe ky është mehri. Pra, nëse një burrë është i vendosur paraprakisht se nuk do t’ia japë mehrin gruas, ajo është e palejueshme ose jo hallall për të. Kështu, Allahu i Lartësuar na urdhëron që gruas t’i japim mehrin e saj. Sigurisht, në rast se ajo është e përgjegjshme dhe e aftë për të vepruar drejt dhe me maturi me këtë pasuri; në të kundërt, mehri i jepet kujdestarit ligjor të saj. Ajeti tregon qartë se mehri është i tëri pasuri e gruas. Askujt nuk i lejohet që të marrë diçka prej tij, veç nëse vetë gruaja e lejon me kënaqësi dhe me dëshirën e saj.
…por duke pasur për qëllim martesën, e jo imoralitetin dhe as (shfrytësimin e tyre) si të dashura (të fshehta)... -
Kuptimi: Me martesën tuaj të keni për qëllim të ruani veten tuaj dhe gruan prej imoralitetit. Në kohën e injorancës paraislamike, imoraliteti ishte i shfaqur në dy forma. Disa bënin imoralitet me çfarëdolloj gruaje dhe quheshin musafih, ndërsa një lloj tjetër ishin ata që përzgjidhnin e mbanin dashnore të rregullta. Që të dyja këto forma Allahu i Lartësuar i ndaloi dhe na urdhëroi që të martohemi me gra të ndershme e të pastra, për të qenë mburojë të njëri-tjetrit kundër asaj sëmundjeje të rëndë, që shkatërron familjen dhe shoqërinë. Ky është pikërisht një nga synimet dhe urtësitë e ligjërimit të martesës. Besimtarët duhet të martohen me qëllimin që, nëpërmjet martesës, të arrihet ruajtja dhe ndërtimi i një shoqërie të dëlirë, të pastër dhe të shëndetshme.
E, kush e braktis besimin, vepra e tij është asgjësuar dhe në botën tjetër do të jetë prej të humburve. -
Çdokush që e mohon Zotin e Madhëruar, ose mohon ndonjë prej kushteve të imanit si: besimin në shpalljet e Zotit, besimin te profetët etj., ose mohon ndonjë nga dispozitat e Allahut të Lartësuar, dhe nëse vdes në këtë gjendje, pra, si jobesimtar, atëherë të gjitha veprat e tij kanë për t’u asgjësuar, sikurse thotë Allahu i Lartësuar në suren Bekare, ajeti 217: “E kush zmbrapset nga feja e tij dhe vdes si jobesimtar, veprat e tij janë të pavlera në këtë jetë dhe në Jetën tjetër. Këta janë banorë të Zjarrit dhe në të do të jenë përjetësisht.” Në këtë mënyrë, në ahiret ai do të jetë prej të shkatërruarve dhe të dëshpëruarve, të cilët do të kenë humbur dhe shkatërruar vetet e tyre, pasuritë e tyre, madje dhe familjet e tyre, duke u zhytur në ndëshkimin e përjetshëm.