O i Dërguar! Përcille me qartësi shpalljen që t’u zbrit prej Zotit tënd! -
Ky është një urdhër që Allahu i Madhëruar ia drejton të Dërguarit të Tij për të realizuar detyrën më të rëndësishme dhe më të nderuar për profetët: përcjelljen e qartë të Shpalljes te njerëzit. Ai i përfshin të gjithë urdhrat dhe porositë që umeti ka marrë prej Profetit a.s. Profeti (a.s)e zbatoi në mënyrë të përkryer detyrën e përcjelljes së Shpalljes hyjnore te populli i tij. Ai i ftoi njerëzit në rrugën e Zotit, i përgëzoi me premtimet e Zotit, nëse do bindeshin, dhe i kërcënoi me ndëshkimin dhe zemërimin e Tij, nëse do kthenin shpinën. Profeti (a.s)ua lehtësoi rrugën drejt Zotit dhe Xhenetit, drejt lumturisë së dynjasë dhe ahiretit, e nuk ua vështirësoi. Ai arriti të edukojë një popull analfabet, të paditur, derisa ata u bënë edukatorë të botës. Ai e përcolli të vërtetën e Zotit të tij me fjalë, me vepra, me letra e mesazhe, nëpërmjet të dërguarve e korrierëve të tij. Pas kësaj, nuk mbeti mirësi dhe rrugë për arritjen e saj pa u sqaruar, e nuk mbeti e keqe dhe rrugë për t’u mbrojtur prej saj pa u bërë e ditur dhe pa u paralajmëruar. Për këtë kumtim të qartë e të plotë dëshmuan njerëzit më të mirë të këtij umeti, sahabët e zgjedhur dhe të nderuar dhe imamët e mëdhenj që erdhën pas tyre. Për të dëshmuan brezi më i zgjedhur dhe burrat më të spikatur të këtij umeti.
Nëse nuk e bën këtë, atëherë nuk e ke kryer detyrën! -
Nëse nuk e transmeton qartë mesazhin e Zotit tënd, atëherë nuk e ke kryer detyrën e ngarkuar.
Allahu të garanton mbrojtjen prej njerëzve. -
Allahu i Madhëruar i ofron profetit të Tij mbrojtje dhe siguri prej njerëzve. Pra, kuptimi është: Qëllimi yt të jetë përcjellja e qartë e të vërtetës dhe edukimi i njerëzve. Të të mos largojë nga kjo përgjegjësi frika nga e keqja që vjen prej krijesave, sepse ata janë në dorën e Allahut, i Cili premton të të ruajë prej tyre. Ti ke detyrë veçse transmetimin e qartë të së vërtetës. Së fundmi, çdokush që beson, beson për veten e vet.
Nuk ka dyshim se Allahu nuk e udhëzon në rrugën e drejtë popullin që mohon (të vërtetën).” -
Ndërsa mohuesit, të cilët nuk kanë asnjë qëllim tjetër, veç plotësimit të epsheve dhe dëshirave të tyre të shfrenuara, Allahu i Madhëruar nuk ka për t’i udhëzuar në rrugën e besimit dhe nuk ka për t’u dhënë sukses për të arritur mirësinë, për shkak të mohimit të fortë që ata shprehin.