Betohem për erërat, që ngrenë grimcat dhe i shpërndajnë,
Për retë e ngarkuara rëndë,
Për lundruesit, që lëvizin lehtë,
dhe për melekët, që zbatojnë urdhrat.
S’ka dyshim se ajo që ju premtohet është e vërtetë.
S’ka dyshim se gjykimi (dhe shpërblimi) me drejtësi do të ndodhin. -
Këto janë betime të rëndësishme prej Allahut të Madhëruar, i Cili është më i vërteti në betimet e Tij. Ai betohet në këto krijesa madhështore dhe aq të domosdoshme për robërit, për një çështje shumë të rëndësishme: premtimi i Tij për Ditën e Kijametit është i vërtetë dhe llogaria me drejtësi e veprave të robërve nuk ka dyshim se do të ndodhë. Askush nuk mund ta pengojë këtë vendim të Zotit të Madhëruar. Kur ky lajm vjen prej të Madhëruarit, të Vërtetit në fjalët e Tij dhe, përveç kësaj, Ai betohet në vërtetësinë e kësaj ngjarjeje dhe sjell prova të pamohueshme, që tregojnë pushtetin dhe dijen e Tij absolute, atëherë si mundet që këtë fakt ta mohojë dikush; si mundet që dikush të mos nënshtrohet dhe të mos punojë i bindur ndaj të Madhëruarit?!
- El dharijat janë erërat e lehta, që me butësi dhe shpejtësi transportojnë pjalmin dhe kokrriza të ndryshme nëpër tokë, duke bërë një punë shumë të madhe, që njeriu nuk do të mundej kurrë ta bënte.
- El hamilati uikra janë retë e zeza të rënda, që bartin ujin, aq të domosdo-shëm për jetën e tokës dhe të gjitha krijesave.
- El xharijati jusra janë yjet, që lundrojnë me lehtësi dhe hijeshi në rrugën e tyre. Me këto yje, Allahu i Urtë zbukuron qiellin, ndërsa robërit orientohen gjatë natës, në tokë dhe në det. Ato dëshmoj-në për madhështinë e Krijuesit të tyre, për diturinë dhe pushtetin e Tij të pamatë.
- El mukassimati janë melekët, të cilët, me lejen e Zotit, zbatojnë të gjitha urdhrat e Tij. Secilin prej melekëve, Zoti i Madhëruar e ka ngarkuar me një detyrë të caktuar të dynjasë ose të ahiretit. Askush prej tyre nuk e tejkalon kufirin dhe nuk i cenon urdhrat e të Madhërua-rit, por i zbaton ato me përpikmëri.