Allahu i Madhëruar betohet në këto krijesa madhështore, të cilat bartin shumë urtësi të mëdha. Ato tregojnë për vërtetësinë e ringjalljes dhe shpërblimit me drejtësi si për të devotshmit, ashtu edhe për mohuesit.
Betohem për malin Tur... - Ky është betim në malin Tur, mal në të cilin Allahu i Lartësuar i foli profetit të Tij Musa, birit të Imranit (a.s.), duke i shpallur ligje dhe dispozita të ndritshme. Kjo qe një mirësi e madhe, që Zoti ia dhuroi profetit Musa dhe ymetit të tij, e gjithashtu një shenjë e mrekullueshme e përkujdesjes së Zotit për ta, dhuratë për të cilën ata kurrë nuk mund ta falënderojnë ashtu si e meriton.