Al-Hashr Ayah 1
سَبَّحَ لِلّٰهِ مَا فِى السَّمٰوٰتِ وَمَا فِى الْاَرْضِۚ وَهُوَ الْعَزِيْزُ الْحَكِيْمُ ( الحشر: ١ )
Sabbaha lillaahi maa fissamaawaati wa maa fil ardi wa Huwal 'Azeezul Hakeem (al-Ḥašr 59:1)
English Sahih:
Whatever is in the heavens and whatever is on the earth exalts Allah, and He is the Exalted in Might, the Wise. (Al-Hashr [59] : 1)
Sherif Ahmeti:
All-llahun e madhëron me tesbih (duke i mohuar ato që nuk i takojnë atij) gjithçka ka në tokë, e Ai është i fuqishmi, i urti (Al-Hashr [59] : 1)
1 Feti Mehdiu
All-llahun e lartëson gjithçka ka në qiej dhe në tokë. Ai është i forti, i urti
2 Hassan Efendi Nahi
Allahun e lartëson çdo gjë në qiej dhe çdo gjë në Tokë. Ai është i Plotfuqishmi dhe i Urti.
3 Tafsir as-Saadi
Kjo sure quhet ndryshe surja e Benu Nadirit. Këta ishin një fis i madh jehudësh, që jetonin në njërin krah të Medinës, në kohën e Profetit (a.s.). Kur Muhamedit (a.s.) i erdhi Shpallja dhe emigroi për në Medinë, ata e mohuan dhe e refuzuan atë si profet, ashtu sikurse vepruan edhe shumë fise të tjera jehudësh. Pasi mbërriti në Medinë, Profeti (a.s.) lidhi pakt me të gjitha fiseve e jehudëve që jetonin pranë tij në Medinë. Pas ngjarjes së Bedrit, rreth gjashtë muaj ose më shumë pas saj, Profeti (a.s.) shkoi te fisi i Beni Nadirit dhe bisedoi me ta që ta ndihmonin në lidhje me kompensimin e vrasjes së dy idhujtarëve të fisit Kelabije nga Amër Ibn Umeje Ed-Damrij.[1] Ata iu përgjigjën pozitivisht kërkesës së Profetit (a.s.), duke thënë: “Po, do ta bëjmë ne, o Ebu Kasim! Mund të ulesh këtu, derisa të bëjmë gati atë që kërkon.” Atëherë, ata u veçuan me njëri-tjetrin dhe shejtani i mallkuar filloi t’i nxiste dhe t’u zbukuronte një veprim, i cili do të ishte dëshpërimi i tyre. Atë e meritonin dhe kështu ishte e shkruar për ta. Duke planifikuar vrasjen e Profetit (a.s.), thanë: “Cili nga ju do ta marrë këtë rrasë guri, të ngjitet mbi mur dhe t’ia shtypë kokën me të?” Më fatziu i tyre, Amër Ibn Xhehashi, u hodh e tha: “E marr unë përsipër ta kryej!” Këtu ndërhyn Selam Ibn Mishkemi, që thotë: “Mos e bëni! Betohem në Allah, se atij do t’i përcillet shumë shpejt ky plan i juaj! Nuk ka dyshim se kjo do të thotë thyerje e paktit, që ne kemi bërë me të.” Ndërkohë, Profetit (a.s.) i zbriti menjëherë Shpallja prej Zotit të tij, duke e njoftuar për komplotin e jehudëve. Ai u ngrit me të shpejtë prej atij vendi dhe u nis për në Medinë.[2] Pas tij shkuan edhe sahabët, të cilët i thanë: “Ti brofe me të shpejtë që andej, kurse ne as nuk e ndiem se si u largove!”. Dhe Profeti (a.s.) u kallëzoi për kurthin e jehudëve. Më pas, Profeti (a.s.) u dërgoi një ultimatum Benu Nadirëve, ku thuhej: “Largohuni nga Medina dhe nuk keni për të jetuar më kurrë aty, pranë meje! Ju jap afat dhjetë ditë. Çdokush që gjendet në të pas këtij afati, do të ekzekutohet!” Dhe, vërtet, për disa ditë me radhë, ata nisën të përgatiteshin për largimin, por, papritur, munafiku Abdullah Ibn Ubej Ibn Seluli u dërgoi atyre një mesazh, ku u thoshte: “Mos u largoni nga vendi juaj, sepse me mua janë 2000 luftëtarë, që do të hyjnë në ndërtesat tuaja dhe janë gati të luftojnë deri në vdekje, së bashku me ju. Në ndihmë do t’ju vijnë edhe Benu Kurejdhat me aleatët e tyre nga Gatafani.” Ky mesazh i dha shpresë udhëheqësit të Benu Nadirëve, Hujej Ibn Ahtabit, i cili i dërgoi fjalë Profetit ( a.s) dhe i tha: “Ne nuk kemi për të dalë nga vendet tona! Vepro çfarë të duash!” Pasi mori këtë mesazh, Profeti (a.s.) dhe shokët e tij thanë: “Allahu Ekber”, dhe u nisën drejt tyre. Ishte Ali Ibn Ebu Talibi ai që mbante flamurin. Benu Nadirët, në pritje të ndihmës së aleatëve të tyre, rezistuan në fillim, duke mbrojtur muret me shigjeta e gurë. Por ndihma e premtuar nuk erdhi. Benu Kurejdhat u distancuan, ashtu si Ibn Ubeji me aleatët e tij prej Gatafani nuk e mbajtën fjalën. Benu Nadirët qëndruan të rrethuar, derisa u dorëzuan, duke kërkuar që të largoheshin nga Medina. Profeti (a.s.) gjykoi që ata të lejoheshin të dilnin së bashku me familjet e tyre, duke marrë me vete aq plaçka, përveç armëve, sa mund të mbanin devetë e tyre. Kështu, Profeti (a.s.) mbajti pasurinë që ata lanë dhe armët e tyre. Plaçka e luftës e marrë nga Benu Nadirët ishte e veçantë vetëm për Profetin (a.s.) dhe ishte ai që e përcaktoi ndarjen e saj në dobi të muslimanëve. Kjo pasuri nuk iu nënshtrua rregullit të zakonshëm të ndarjes së plaçkës së luftës, sepse Allahu i Lartësuar ia dhuroi atë Profetit të Tij, pa qenë e nevojshme që muslimanët të luftonin me kalorësinë dhe këmbësorinë e tyre. Jehudët u larguan në drejtim të Hajberit me në krye Hujej Ibn Ahtabin, ndërsa Profeti (a.s.) mori në sundim tokën e tyre. Gjithashtu, ata lanë edhe shumë armatim, si 50 mburoja, 50 përkrenare dhe 340 shpata. Kjo qe shkurtimisht ngjarja me Benu Nadirët, sikurse e kanë përshkruar historianë të ndryshëm.
Allahun e madhëron me (tesbih) përlëvdim gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë. Ai është Ngadhënjimtari, i Urti. -
Allahu i Lartësuar e hap këtë sure duke na bërë të qartë se gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë i bën tesbih Atij, duke e falënderuar e lavdëruar, duke e lartësuar Atë nga çdo mangësi që nuk i shkon madhështisë së Tij, duke e adhuruar Atë me nënshtrim dhe drojë. Allahu është El Aziz – Krenari e Ngadhënjimtari, i Cili ka nënshtruar gjithçka dhe asgjë nuk është e pamundur për fuqinë e Tij. Askush nuk mund t’i shpëtojë pushtetit dhe sundimit të Tij. Allahu është El Hakim - i Urti, si në krijimin e Tij, edhe në ligjet e vendosura prej Tij. Ai nuk ka krijuar asgjë më kot dhe nuk ka bërë asnjë ligj që të mos jetë me dobi. Të gjitha veprat e Allahut janë bërë me urtësinë e Tij. E tillë ishte edhe ndihma që Allahu i Lartësuar i dhuroi Profetit (a.s.) kundër qafirëve të fisit Benu Nadir. Kur ata tradhtuan, duke e shkelur paktin me Profetin (a.s.), Allahu i nxori nga vendi i tyre, të cilin e donin dhe ishin të lidhur aq shumë:
[1]
Këtu flitet për ngjarjen e Pusit të
Maunas. Kjo ndodhi në muajin sefer të
vitit të katërt të Hixhrit. Shkurtimisht, kjo
ngjarje zuri fill me vizitën e Ebu Bera
Amër Ibn Malikut, që thirrej me nofkën
Mulaibul Esineh. Profeti (a.s.) e ftoi atë të
pranonte Islamin, por ai për momentin
nuk pranoi, ndonëse nuk u duk ndonjë
refuzim i fortë prej tij. Ai i tha Profetit
(a.s.): “O i Dërguari i Allahut, do të ishte
më mirë sikur te populli i Nexhdit të
dërgoje shokët e tu, me qëllim që t’i
ftojnë ata në përqafimin e fesë tënde.
Unë shpresoj që ata të përgjigjen
pozitivisht.” Profeti (a.s.) ia ktheu: “Kam
frikë nga populli i Nexhdit, se mos u bën
gjë atyre!” Por Ebu Berai i tha: “Dal unë
dorëzanë për ta!” Atëherë, Profeti (a.s.)
dërgoi te populli i Nexhdit (sipas versionit
të Ibn Ishakut) dyzet burra, ndërsa në
Sahih-un e Buhariut dhe të Muslimit
thuhet se ishin shtatëdhjetë burra
(sigurisht, ky variant i fundit është më i
saktë). Profeti (a.s.) i dërgoi ata nën
komandën e El Mundhir Ibn Amrit, një
nga bijtë e Benu Saides, i ashtuquajturi El
Mu'nik li Jemute. Ata ishin nga më të
mirët e muslimanëve, për sa i përket
diturisë, moralit dhe fisnikërisë. E kështu
nisën marshimin, derisa mbërritën te Pusi
i Maunas. Ky pus ndodhej ndërmjet
trojeve të fisit Benu Amir dhe krastës së
Benu Sulejmit. Pasi u vendosën aty,
delegacioni i dijetarëve dërgoi Haram Ibn
Melhanin, vëllain e Ummu Sulejmit, që t’i
paraqiste mesazhin e Profetit (a.s.)
armikut të Allahut, Amir Ibn Tufejlit. Ky i
fundit as nuk denjoi të shikonte letrën e
dërguar nga Profeti (a.s.), madje urdhëroi
një nga të tijët për ta goditur lajmëtarin
me shtizë pas shpine. Kur shtiza përshkoi
tej e tej trupin e lajmëtarit të Profetit
(a.s.) dhe gjaku i tij vërshoi, lajmëtari i
Profetit, plot kënaqësi, tha: “Fitova,
pasha Zotin e Qabes!” Menjëherë pas
kësaj, armiku i Allahut u organizua shumë
shpejt për të vrarë pjesën tjetër të
muslimanëve. Ai thirri në ndihmë fisin e
Benu Amirit, por ata nuk iu përgjigjën
ftesës së tij, për shkak të besës së dhënë
nga Ebu Berai, për të siguruar
muslimanët. Atëherë, Amir Ibn Tufejli iu
drejtua për aleancë fisit Benu Sulejm, dhe
prej këtij fisi arriti të siguronte aleancën e
Usejjes, Ri’alit dhe Dhekuanit. Këta u
grumbulluan dhe rrethuan shokët e
Profetit (a.s.), të cilët luftuan si burrat,
derisa u vra edhe i fundit i tyre. I vetmi që
shpëtoi, ishte Kab Ibn Zejd Ibn Nexhari. Ai
mundi të shpëtonte, duke u shtirë si i
vrarë, i mbuluar nga plagët e rënda. Ai
jetoi pas kësaj ngjarjeje, derisa u vra në
betejën e Hendekut. Ndërkohë, Amër Ibn
Umeje el Damri dhe Mundhir Ibn Ukbete
Ibn Amiri, të cilët ishin duke ruajtur
bagëtitë e muslimanëve, kur panë zogjtë
që vërtiteshin sipër vendit të betejës,
brofën për te fushëbeteja. Kështu,
Mundhir Ibn Muhamedi zbriti dhe luftoi
kundër idhujtarëve, derisa u vra bashkë
me shokët e tjerë. Ndërsa Amër Ibn
Umeje el Damri ra rob në duart e tyre.
Kur morën vesh se ai ishte prej Mudari,
Amiri ia preu balluket dhe e liroi, për
shkak të betimit të nënës së tij se do të
lironte një rob nga Mudari. Amër Ibn
Umeje mori rrugën e kthimit dhe, kur
arriti në një vend të quajtur Karkaratu, në
hyrje të një lugine, u ul poshtë hijes së
një peme. Atje kaluan dy burra prej fisit
Kilab dhe u ulën për të pushuar pranë tij.
Kur ata i zuri gjumi, ai shkoi dhe i vrau në
befasi, duke menduar se në këtë mënyrë
po merrte hak për shokët e vrarë. Por kjo
përbënte shkelje, sepse ata kishin qenë
nën mbrojtjen që u jepte një marrëveshje
paqeje me Profetin (a.s.), edhe pse Amri
nuk e dinte një gjë të tillë. Kur u kthye, ai
e lajmëroi Profetin (a.s.) për veprën e tij,
ndërsa ai i tha: “Ke vrarë dy vetë, për të
cilët duhet të jap shpagim.”
[2]
Ngjarja e mësipërme shënon edhe
shkakun e fillimit të betejës me Benu
Nadirët. Ishte Profeti (a.s.) i pari që u nis
në këtë luftë. Atje i mbajti të rrethuar ata
gjashtë net. Gjatë kësaj kohe, në Medinë
la si mëkëmbës Ibn Ummu Mektumin. Kjo
ndodhi në muajin rabiul euel. Ibn Hazmi
thotë që pikërisht në këtë periudhë u
ndaluan edhe pijet alkoolike. Në fund,
Benu Nadirët u dorëzuan, duke pranuar
gjykimin e Profetit (a.s.), i cili i lejoi ata që
të largoheshin, por nuk i lejoi të merrnin
me vete më shumë sesa mbanin devetë e
tyre, përveç armëve. Kështu pra, ata u
dëbuan prej viseve të tyre, për shkak të
prishjes së paktit me Profetin (a.s.).
Krerët e çifutëve, si Hujej Ibn Ahtabi dhe
Selam Ibn Ebu Ukajki, shkuan drejt
Hajberit, ndërsa disa të tjerë iu drejtuan
Shamit. Prej tyre pranuan Islamin veçse
dy vetë, Jamin Ibn Amri dhe Ebu Sad Ibn
Uehbi, pasuria e të cilëve u ruajt e
paprekur. Pasurinë e fisit Benu Nadir,
Profeti (a.s.) ua shpërndau kryesisht
muhaxhirëve të parë, sepse ajo plaçkë
nuk ishte fituar në betejë. Prej ensarëve
nuk mori kush nga kjo pasuri, përveç Ebu
Duxhanes dhe Sehl Ibn Hunejfit, për
shkak të gjendjes së tyre shumë të varfër.
Në përshkrim të kësaj lufte zbriti edhe
sureja Hashër, sipas versionit më të saktë
të pranuar nga historianët dhe studiuesit.
Muhamed Ibn Shihab el Zuhri pretendon
se ndeshja me Benu Nadirët ndodhi
gjashtë muaj pas Luftës së Bedrit, por ky
është një gabim dhe keqkuptim nga ana e
tij. Është e sigurt dhe e padiskutueshme
se beteja me Benu Nadirët ndodhi pas
betejës së Uhudit. Në fakt, beteja që u
zhvillua gjashtë muaj pas Luftës së Bedrit,
ishte beteja me fisin Benu Kajnuka.
Beteja me Benu Kurejdhat ndodhi pas
Luftës së Hendekut, ndërsa Beteja e
Hajberit ndodhi pas Hudejbies. Profeti
(a.s.) zhvilloi kundër çifutëve katër
luftëra. E para ishte lufta kundër Benu
Kajnuka, që ndodhi gjashtë muaj pas
betejës së Bedrit. E dyta ishte beteja me
Benu Nadirët, që ndodhi pas Luftës së
Uhudit. E treta ishte beteja kundër Benu
Kurejdhave, që ndodhi pas Luftës së
Hendekut, ndërsa beteja e katërt ishte
ajo Hajberit, e cila ndodhi pas Hudejbies.
[Shih “Zadul Mead”, v. 3.]