Pasi i përmendi me nënçmim idhujtarët, për shkak të trillimeve të tyre rreth hallallit dhe haramit, Allahu i Lartësuar e urdhëron Profetin e Tij që t’u qartësojë njerëzve atë që vërtet u është ndaluar atyre. Nëse ata mësojnë se cilat janë ndalesat e Zotit, - që në fakt janë shumë pak në numër, - do të kuptojnë shumë thjesht se gjithçka tjetër veç tyre është e lejuar. Pas kësaj, kush pretendon se Allahu ka ndaluar këtë apo atë send, i tilli është një mashtrues e shpifës, që trillon të pavërteta rreth Zotit dhe Ligjit të Tij. Ndalesat vijnë vetëm prej Allahut të Lartësuar nëpërmjet Profetit të Tij. Allahu i Lartësuar i drejtohet Profetit të Tij dhe i thotë:
Thuaj: “Në Shpalljen që më është dhënë nuk gjej ushqime të ndaluara, veç mishit të ngordhur, gjakut që derdhet vrullshëm dhe mishit të derrit, sepse janë të ndyrë dhe mishit që nuk therret me emrin e Allahut, që është shkelje e kufijve të Tij.” -
Këtu përmenden ato gjëra që janë të ndaluara të përdoren si ushqim. Në këtë ajet nuk përcaktohet në janë të lejuara mënyrat e tjera të përfitimit prej tyre apo jo. ‘Mish i ngordhur’ quhet mishi i kafshës që ka ngordhur pa u therur me mënyrën e caktuar nga Sheriati.[1] Pa dyshim që ajo është e palejueshme, sikurse thotë Allahu i Lartësuar në një ajet tjetër: “Haram janë për ju: të ngordhurat, gjaku, mishi i derrit, ajo kafshë që theret jo në emrin e Allahut, ... “ [Maide 3]. ‘Gjaku i derdhur vrullshëm’ i përmendur në ajet është gjaku venoz (el demu), i cili del me forcë gjatë therjes së kafshës. Nëse ky gjak bllokohet dhe nuk del jashtë nëpërmjet therjes sipas rregullit, është shumë i dëmshëm. Po nëse nxirret nga trupi, ky dëm largohet dhe ngrënia e mishit nuk sjell më ndonjë rrezik. Përcaktimi i këtij gjaku si ‘i derdhur vrullshëm’ na jep të kuptojmë se gjaku i cili mbetet në mish dhe nëpër damarë pas therjes së rregullt nuk përbën rrezik, sepse është i pastër dhe hallall.
“...dhe mishit të derrit, sepse janë të ndyrë” -
Këta artikuj janë të ndaluar, sepse janë të pistë, të këqij dhe të dëmshëm. Allahu i Lartësuar i bëri të ndaluar, si shprehje të butësisë dhe përkujdesit të madh për robërit e Tij, duke i ruajtur ata nga çdo gjë e keqe dhe e dëmshme për fenë, besimin, dynjanë dhe ahiretin e tyre.
“...dhe mishit që nuk therret me emrin e Allahut, që është shkelje e kufijve të Tij.” -
Nëse mishi i therur iu kushtohet idhujve dhe çdo gjëje tjetër që adhurohet veç Allahut të Lartësuar, kjo vepër quhet fisk, pra, shkelje e kufijve të Allahut të Lartësuar. Megjithatë, në kushte domosdoshmërie dhe nevoje të madhe, kur njeriu nuk ka çfarë të hajë tjetër dhe ka frikë vdekjen, Allahu i Lartësuar e ka lejuar konsumimin e tyre, por me kushte:
“E për atë që është i detyruar të hajë nga këto, por duke mos pasur për qëllim shijimin dhe duke mos e tepruar...” -
Allahu i Lartësuar ka vendosur dy kushte: 1. Të mos hahen pa qenë i detyruar, në atë masë sa të rrezikosh vdekjen. 2. Të mos hahet më shumë sesa thyerja e urisë dhe mbajtja e vetes gjallë. Për këta, Allahu i Lartësuar thotë:
Zoti yt është Falës i Madh e Mëshirëplotë. -
Pra, Ai ka për t’i falur dhe toleruar ata. Dijetarët - Allahu i mëshiroftë! - kanë dhënë mendime të ndryshme për sa i përket përkufizimit të gjërave të ndaluara në këtë ajet, pasi ka edhe artikuj të tjerë që nuk lejohet të hahen, veç atyre të përmendur këtu, si për shembull, mishi i kafshëve ose i shpendëve mishngrënës etj. Kështu, disa janë të mendimit që ky ajet ka zbritur përpara shpalljes së dispozitave që ndalojnë artikujt e tjerë. Disa të tjerë janë të mendimit se ky ajet i përmbledh të gjitha llojet e ushqimeve haram, por disa prej tyre janë përmendur shprehimisht, ndërsa të tjerat kuptohen në mënyrë indirekte, duke marrë parasysh shkakun e ndalimit të tyre. Kështu për shembull, Allahu i Lartësuar e ka përshkruar mishin e ngordhur, gjakun dhe derrin si rrixhs - domethënë, të pista, të ndyra. Ky është një kriter dallues për të gjykuar rreth harameve. Pa dyshim, të gjitha haramet janë të pista e të dëmshme, dhe Allahu i Lartësuar i bëri ato të ndaluara për robërit e Tij për t’i mbrojtur nga e keqja e tyre. Dispozita më të hollësishme lidhur me këto ndalesa i gjen në Traditën e Profetit a.s, e cila është shpjeguesja e Kur'anit dhe treguese e qartë e qëllimeve të tij. Duke qenë se Allahu i Lartësuar ka bërë ushqime të ndaluara veçse ato që u përmendën në ajet, si e drejtë absolute e Tij, atëherë kjo tregon se idhujtarët, - të cilët bënë të ndaluara ato që bënë, - thjesht shpifnin për dispozitat e Allahut, duke thënë gjëra që Ai nuk i ka thënë. Nëse do ta shohim kontekstin e ajeteve me kujdes, do të vërejmë se ai është sjellë si kundërpërgjigje për veprimet e shëmtuara të idhujtarëve rreth hallallit dhe haramit. Këto ajete i kanë përcaktuar mirë se çfarë janë vërtet të ndaluara prej bagëtive, duke dashur që të hedhin poshtë pretendimet e pabaza të idhujtarëve. Me fjalë të tjera, për sa u përket bagëtive, në Sheriat janë të ndaluara për t’u ngrënë vetëm të ngordhurat dhe ato të cilat theren për hir të dikujt tjetër veç Allahut të Madhëruar. Ndërsa për sa u përket ndalesave të tjera, ato janë shpjeguar në ajete të tjera kuranore dhe Traditën e Profetit a.s. Dikush mund të thotë: Nëse këtu është qëllimi vetëm për t’u kthyer përgjigje pretendimeve të idhujtarëve për bagëtitë dhe jo përkufizimi i të gjitha ndalesave, atëherë përse është përmendur mishi i derrit? Përgjigjja e kësaj pyetjeje do të ishte: Ndoshta arsyeja është se disa injorantë e konsideronin derrin njëlloj si bagëtitë e imta apo të trasha. Kështu veprojnë të krishterët injorantë dhe të ngjashmit me ta, të cilët merren me rritjen e derrave njëlloj sikurse veprojnë me bagëtitë e lejuara nga Zoti, duke mos bërë asnjë dallim mes tyre. Sidoqoftë, Sheriati islam është më i kompletuari dhe më i thjeshti që Zoti ka zbritur për njerëzit. Çdo gjë për të cilën Zoti ka urdhëruar të bëhet në këtë Sheriat, e ka urdhëruar se ajo është e pastër, e mirë dhe e dobishme për njerëzit, dhe çdo gjë të cilën ai e ka ndaluar, e ka ndaluar sepse ajo gjë është e pisët, e pështirë, e keqe dhe e dëmshme. Ky ligj i mrekullueshëm kurrë nuk urdhëron të bëhet diçka që është e keqe dhe e dëmshme, dhe kurrë nuk ndalon diçka që është e mirë dhe e dobishme. Në ligjet e shkuara mund të ndodhte që Zoti t’u ndalonte njerëzve ndonjë gjë që ishte e pastër, e mirë dhe e dobishme, dhe këtë i Lartësuari e bënte si masë ndëshkimore për gabimet e njerëzve. Ndërsa në Ligjin e fundit të Tij, i Lartësuari e ka plotësuar mirësinë, butësinë dhe mëshirën e Tij për ne, duke mos ndaluar asgjë që është e këndshme dhe e mirë. Duke treguar për ndalesat që i Lartësuari solli për popujt e shkuar në formë ndëshkimore thotë:
[1] Sipas mënyrës së përcaktuar nga Sheriati, kafshës i priten damarët e qafës, me qëllim që t’i dalë gjaku. Kafsha që ngordh pa i dalë gjaku është e pisët dhe shumë e dëmshme, për shkak të gjakut të bllokuar brenda saj. Shpeshherë, kafshët ngordhin për shkak të ndonjë sëmundjeje, gjë e cila ia shton rrezikun. Megjithatë, nga ky gjykim përjashtohen karkalecat e tokës dhe peshqit, të cilët nuk kanë nevojë për mënyrën e lartpërmendur të therjes, që të jenë hallall. Veç kësaj, dijetarët kanë përmendur edhe kushte të tjera që kanë të bëjnë me therësin e kafshës. Këto janë shpjeguar më hollësisht në librat e fikh-ut. (Sh.p.)