Shpenzoni nga ajo që Ne ju kemi dhënë,... -
Këtu flitet për të gjitha llojet e shpenzimeve, qofshin të detyrueshme, qofshin të pëlqyeshme. Ndër shpenzimet e domosdoshme mund të përmendim zekatin, kompensime të ndryshme për vepra të caktuara, shpenzimet për gruan, fëmijët, shërbëtorët, robërit etj. Ndërsa shpenzimet e pëlqyeshme e vullnetare janë të shumëllojshme e me gamë të gjerë. Ato duhen kryer duke synuar dobinë e fesë së Allahut të Lartësuar dhe bamirësinë ndaj krijesave, sipas rëndësisë dhe meritës së tyre. Allahu i Lartësuar na urdhëron që të shpenzojmë “prej asaj që Ai na ka dhënë”, për të treguar se nuk kërkon prej nesh të shpenzojmë të gjithë pasurinë tonë, nuk kërkon të na rëndojë me këtë detyrim të vështirë. Ai urdhëron që të shpenzojmë vetëm një pjesë të pasurisë, aq sa të na vijë më lehtë, pa u dëmtuar. Në këtë mënyrë, Allahu i Lartësuar i udhëzon besimtarët që të tregohen mirënjohës ndaj Tij, që ua ka dhuruar pasurinë që kanë, por, gjithashtu, i porosit që të ndihmojnë vëllezërit e tyre në nevojë. Kështu, ata do të jenë bamirës qoftë në aspektin e përkryerjes së adhurimit ndaj Allahut të Lartësuar, qoftë në aspektin e ndihmës ndaj krijesave, para se t’i kapë vdekja në befasi. Me vdekjen, njeriut i ndërpritet mundësia për të kryer më vepra të mira, prandaj Allahu i Lartësuar na e kujton këtë fakt, duke na nxitur që të rendim në kryerjen e veprave të mira:
...para se ndonjërit prej jush t’i vijë vdekja... -
Kur i vjen vdekja njeriut që nuk ka bërë vepra të mira, ai, i dëshpëruar nga shpërfillja e mundësive të tij të shumta për të kryer vepra të mira, dëshiron të kthehet edhe një herë në dynja, por kjo është e pamundur. Atëherë, ky njeri do të thotë:
O Zoti im, përse nuk ma shtyve edhe pak afatin, që të jepja sadaka e të bëhesha prej të mirëve?! –
Kuptimi: Më lër të jetoj edhe ca, që të mund të rregulloj ato që shpërfilla deri tani: të besoj drejt, të punoj me sinqeritet sipas këtij besimi dhe të shpenzoj prej pasurisë time, që të shpëtoj nga ndëshkimi dhe të arrij shpërblimin e madh të premtuar nga Allahu për vepërmirët.
Por koha për të tilla qëllime tashmë ka përfunduar dhe nuk mund të kthehet më pas, siç thotë Allahu i Lartësuar tha: