“...kur Ai ju krijoi në disa etapa?!” -
Është Allahu i Lartësuar Ai që ju krijoi dhe që përkujdeset për ju në çdo moment të jetës tuaj. Ai ju krijoi dhe formësoi në barkun e nënës. Pastaj vjen koha e mëkimit në gji, më pas fëmijëria, pastaj adoleshenca, mosha e pjekurisë, e kështu me radhë; në çdo kohë, është i Lartësuari që përkujdeset e që ju mëshiron. Ai është i vetmi që krijon dhe që përkujdeset për krijesat, me mëshirën e Tij gjithëpërfshirëse dhe madhështore. Për këtë arsye, Ai duhet të jetë i vetmi që duhet të njësohet në përkushtimin e adhurimeve. Duke u kujtuar krijesave krijimin e tyre të parë, Allahu i Lartësuar u tërheq vërejtjen se Ai është i plotfuqishëm që t’i ringjallë dhe t’i rikrijojë sikurse kanë qenë. Ai që i krijoi nga hiçi, kur nuk ekzistonin fare, është i plotfuqishëm që t’i krijojë nga mbetjet e tyre në tokë, pasi të kenë vdekur. Më pas, Allahu i Lartësuar u argumenton atyre për ringjalljen edhe me madhështinë e krijimit të qiejve dhe të tokës: