Allahu i Madhëruar i urdhëron robërit e Tij besimtarë për diçka që ua dikton edhe imani: t’i përgjigjen me bindje dhe nënshtrim Allahut dhe të Dërguarit të Tij, për zbatimin e urdhrave të Tij dhe për të ftuar edhe të tjerët në këtë rrugë.
O ju që keni besuar! Përgjigjjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij, kur Ai ju fton tek ajo që ju jep jetë... -
Kjo vlen për çdo porosi që jep Allahu dhe Profeti i Tij, sepse kështu kuptojmë dobinë dhe urtësinë e ligjeve të Tij. Nuk ka dyshim se jeta e zemrës është e lidhur ngushtë me adhurimin e Zotit dhe bindjen e vazhdueshme ndaj Tij dhe Profetit të Tij. Pastaj i Madhëruari na paralajmëron që të jemi të kujdesshëm dhe të mos i kthejmë shpinën ftesës së Tij dhe Profetit të Tij:
...dhe dijeni se Allahu ndërhyn ndërmjet njeriut dhe zemrës së tij,.... -
Kini kujdes dhe mos e refuzoni ftesën e Zotit kur ajo ju bëhet për herë të parë, dhe kështu të meritoni që të privoheni prej saj atëherë kur ta dëshironi më pas. Nëse nuk e pranoni ftesën e Zotit për besim, atëherë zemrat tuaja do të prishen dhe do të bëhen kundërshtuese. Mos harroni se Allahu, Zoti juaj, ndërhyn mes jush dhe zemrave tuaja. Ai i rrotullon dhe i ndryshon ato ashtu siç dëshiron, me urtësinë e Vet. Me nxitimin tuaj për të refuzuar ftesën e Zotit, mos u bëni shkak që Ai të ndërhyjë mes jush dhe zemrave tuaja, e kështu të mos i kontrolloni më ato. Kjo është arsyeja që besimtari duhet ta bëjë sa më shpesh këtë lutje: “Ja Muķal-libel kulûb, theb-bit ķalbi alâ dinik! Ja Musar-riifel ķulûb, sar-rif ķulûbena ilâ tâ’atik!” Domethënë: “O Rrotullues i zemrave, forcoje zemrën time në fenë Tënde! O Ndryshues i zemrave, udhëzoje zemrën time në bindjen ndaj Teje!”
...dhe se është Ai tek i cili ju do të tuboheni (të gjithë). -
Para Allahut do të grumbulloheni të gjithë një ditë, e për këtë nuk ka asnjë dyshim. Atë ditë, bamirësit do të shpërblehen me bujari, ndërsa punëkëqijtë do të marrin me drejtësi atë që meritojnë.