Hipokritët dhe ata, që kishin zemër të sëmurë, thanë: “Këta njerëz i ka mashtruar feja e tyre.” -
Këtu flitet për sëmundjen e dyshimit dhe të pasigurisë në besim. Munafikët, të mbushur me dyshime për besimin e tyre, kur panë muslimanët që, edhe pse të pakët në numër, u lëshuan në luftë kundër idhujtarëve, thanë: “Feja e tyre i ka mashtruar. Feja që ata pasojnë i solli në këtë lloj beteje të pabarabartë, përballë atyre që askush nuk guxon t’i sfidojë.” Kjo ishte një formë talljeje me besimtarët dhe logjikën e tyre, por mendjelehtët e vërtetë ishin pikërisht munafikët e mjerë. Nuk ka dyshim se besimi i vërtetë e bën njeriun që t’i hyjë përballjeve më të fuqishme, të cilave u shmangen edhe ushtritë më të mëdha. Besimtari i vërtetë i mbështetet tërësisht Allahut të Madhëruar, sepse është i bindur se nuk ka ndryshim të gjendjes, nuk ka forcë dhe as fuqi e mundësi ndryshe, por veçse me ndihmën dhe forcën e Allahut. Ai është i bindur se, edhe nëse bashkohen të gjitha krijesat për të ndihmuar dikë, qoftë edhe sa një thërrmijë, nuk kanë për t'ia arritur pa lejen dhe ndihmën e Zotit. Po ashtu, edhe nëse bashkohen të gjithë së bashku për ta dëmtuar, kanë për ta dëmtuar veçse aq sa Zoti e ka shkruar për të. Veç kësaj bindjeje, nëse robi është i sigurt se mbron të vërtetën dhe nuk ka asnjë fije dyshimi se Allahu është i Gjithëditur, i Urtë dhe i Mëshirëplotë në gjithçka që ka shkruar dhe përcakton, atëherë ai ndërmerr çdo iniciativë të dobishme dhe nuk shqetësohet aspak nëse armiku i tij është i pakët apo i shumtë në numër. Në çdo ndërmarrje të bazuar në dituri të saktë dhe udhëzim të drejtë, ai është thjesht i qetë e besimplotë në Zotin e tij. Në zemrën e tij nuk ekziston frika e ankthi, por ajo është e mbushur me guxim, trimëri, qëndrueshmëri dhe e pushtuar nga qetësia dhe malli për takimin me të madhërishmin. Prandaj i Madhëruari tha:
Ata që i mbështeten Allahut le ta dinë se Allahu është Ngadhënjimtar e i Urtë. -
Allahu është Azizun - Krenar e Ngadhnjimtar. Fuqinë dhe pushtetin e Tij nuk mund ta mposhtë askush. Allahu është gjithashtu Hakim - i Urtë në gjithçka që ka përcaktuar në Ligjet e Tij dhe i ka bërë të ekzistojnë.