Nëse vërtet do të kishin dashur të shkonin, me siguri do të kishin bërë ndonjë përgatitje. -
Allahu i Lartësuar na qartëson se të gjithë ata munafikë që i bënë bisht luftës, edhe më parë kishin shfaqur shumë shenja, nga të cilat kuptohej se ata asnjëherë nuk kishin qëllim të shkonin në luftë. Allahu i Lartësuar tregon se justifikimet e tyre për të mos dalë në luftë ishin të kota, të pabaza dhe të pavlefshme. Justifikim i vërtetë është kur njeriu ka bërë gjithçka të mundshme, me pasurinë dhe aftësitë e tij, për të marrë pjesë në luftë, dhe nuk ka arritur ta bëjë një gjë të tillë, me arsye të pranueshme nga Sheriati. Ndërsa për munafikët, Allahu i Lartësuar thotë: "Nëse vërtet do të kishin dashur të shkonin, me siguri do të kishin bërë ndonjë përgatitje." Ata do të kishin marrë të gjitha masat, duke shfrytëzuar çdo rrugë të mundshme për të arritur një gjë të tillë. Por duke qenë se ata nuk u përgatitën dhe nuk bënë asgjë për hir të këtij qëllimi, kjo tregon se ata kurrë nuk e kishin dëshiruar vajtjen në këtë luftë.
Por Allahu nuk e pëlqeu pjesëmarrjen e tyre; prandaj i sprapsi, duke u thënë: “Qëndroni aty me ata që rrinë!” -
Allahu i Madhëruar nuk deshi që ata të vinin së bashku me ju në këtë luftë për hir të Tij. Për këtë arsye, me përcaktimin e Tij të urtë dhe të drejtë, Ai i bëri që të rëndoheshin dhe të mos e dëshironin pjesëmarrjen në luftë, edhe pse në Sheriat Ai i kishte urdhëruar për luftë. Madje, Ai i pajisi me të gjitha gjërat e nevojshme për të arritur diçka të tillë, nëse vërtet do të dëshironin. Por, me urtësinë e Tij, Allahu i Lartësuar nuk dëshiroi që ata të merrnin pjesë në atë luftë, prandaj i bëri që të rëndoheshin në tokë dhe të mos e dëshironin atë. Kështu, me urtësinë dhe diturinë e Tij absolute, Allahu vepron mbi dëshirat dhe veprat të hapura apo të fshehta të njerëzve. I Gjithëdituri tha: “Qëndroni aty me ata që rrinë!” Ai i bëri që të qëndronin me gratë dhe të pamundurit, të cilët vërtet kishin arsye. Pastaj Allahu i Lartësuar përmend urtësinë e këtij vendimi për këtë kategori njerëzish: