…jo për të shpërblyer dikë, që i ka bërë mirë më parë, por vetëm për të fituar kënaqësinë e Zotit të vet, më të Lartit. Pa dyshim, ai do ta gëzojë atë kënaqësi. -
Këta të devotshëm nuk u lënë hapësirë njerëzve që të jenë bamirës ndaj tyre, sepse përpiqen që gjithmonë ta kthejnë të mirën me më të mirë. Ata u bëjnë mirë njerëzve më shumë sesa njerëzit bëjnë mbi ta. Ata janë vetëm robër të Zotit dhe të bamirësisë së Tij. Ata nuk e kërkojnë shpërblimin nga njerëzit, por vetëm nga Zoti. Nëse do të kishin ndonjë borxh dhe bamirësi pa shlyer ndaj krijesave, kjo do ta cenonte sadopak sinqeritetin e tyre në fjalë dhe në vepra. Por ata, përkundrazi, nuk u kanë asnjë borxh krijesave. Qëllimi i tyre i vetëm është vetëm Krijuesi dhe ata janë borxhlinj vetëm ndaj Bujarisë së Tij. Ky ajet përfshin këdo që ka të tilla cilësi, edhe pse shkaku i shpalljes së tij është Ebu Bekri. Pra, ajeti bën fjalë në mënyrë të veçantë për Ebu Bekrin, - Allahu qoftë i kënaqur me të! Ai ishte një njeri tejet i devotshëm dhe i sinqertë me Zotin e tij, aq sa u quajt Ebu Bekër el Siddik, pra, i Sinqerti. Ai nuk ishte borxhli ndaj askujt, madje as ndaj vetë Profetit (a.s.), veç për mirësinë e profetësisë dhe ftesës në Islam, borxh të cilin askush prej krijesave nuk mund t’ia shlyejë atij. Megjithatë, ajo hyn në mirësinë e Allahut të Lartësuar, për të cilat krijesat i janë borxhli dhe kurrë nuk mund ta falënderojnë dhe lavdërojnë, ashtu sikurse e meriton Dhuruesi i saj, Allahu i Madhëruar. Atëherë, ashtu si Ebu Bekri, çdo adhurues i Zotit që ka këtë cilësi të vyer meriton të njëjtin shpërblim dhe gradë të lartë. Cila është kjo cilësi? Të jesh borxhli vetëm ndaj Zotit të Madhëruar dhe i sinqertë vetëm për Të. Veprat e tua të mos kryhen për të shpërblyer dikë për mirësinë e tij ndaj teje, por vetëm për të kënaqur Zotin. Dhe kjo mund të realizohet plotësisht vetëm nëse krijesat i ke shpërblyer tërësisht për ndonjë mirësi që të kanë bërë, madje edhe më shumë se aq, dhe kështu veprat e tua të mira mbeten thjesht vetëm për Zotin e gjithësisë. Këta të sinqertë do të gëzohen dhe kënaqen me mirësitë dhe dhuratat, që Zoti do t’u japë.