Mâliki jeumid-dîn - “Sunduesit…” –
Allahu quhet El Mâlik (Sundues, Mbret), sepse Ai sundon e mbretëron. Kjo cilësi i jep të drejtën Atij për të urdhëruar dhe për të ndaluar, për të shpërblyer dhe për të ndëshkuar, për të vepruar mbi të nënshtruarit, mbi mbretërinë dhe pasurinë e Tij, në të gjitha aspektet dhe përmasat që i lejon mbretërimi dhe pushteti i Tij absolut.
“Sunduesit të Ditës së Gjykimit” -
Me këto fjalë, Allahu i Madhëruar tregon pushtetin, sundimin dhe mbretërimin e Tij në Ditën e Gjykimit, e cila është edhe Dita e Kijametit. Kjo është Dita kur njerëzit do të shpërblehen sipas veprave që do të paraqesin në dynja, të mira apo të këqija qofshin. Ai e përmend pushtetin e Tij në Ditën e Gjykimit, sepse atë ditë, pushteti, mbretërimi dhe sundimi i Allahut do t’u shfaqet krijesave i kthjellët dhe i pastër. Atë ditë, ato do ta shohin të plotë dhe të kthjellët mbretërimin, por edhe drejtësinë e urtësinë e Krijuesit. Atë ditë do të zhduket çdo lloj pushteti e mbretërimi nga duart e krijesave, dhe i gjithë pushteti do të jetë në dorë të Krijuesit, ndonëse kështu ka qenë gjithmonë. Ai ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë Sunduesi dhe Mbretëruesi i Ditës së Gjykimit dhe i të gjitha ditëve të tjera. Atë ditë, përpara Tij do të jenë të barabartë mbretërit dhe ata poshtë tyre, skllevërit dhe të lirët. Të gjithë do të jenë të përulur e të nënshtruar ndaj madhështisë së Tij, syulur para Krenarisë së Tij. Të gjithë do të jenë në pritje të gjykimit të Allahut, duke shpresuar shpërblimin e Tij dhe të frikësuar, njëkohësisht, nga ndëshkimi i Tij.