Dhe ata thonë: “Përse nuk i vjen atij (Muhamedit) ndonjë shenjë nga Zoti i tij?”. -
Mohuesit e të vërtetës dhe urrejtësit arrogantë të saj thanë: "...Përse nuk i vjen atij (Muhamedit) ndonjë shenjë nga Zoti i tij?" Me këtë kishin për qëllim shenjat që ata i propozonin me mendjet e tyre, sikurse thotë në një ajet tjetër: "Ata gjithashtu thonë: “Ata thonë, gjithashtu: “Ç’është ky i dërguar, i cili ha ushqim dhe ecën nëpër tregje?! Përse nuk i është dërguar atij një melek dhe të bëhet me të paralajmërues?! Ose, përse nuk i është zbritur një thesar, ose përse nuk ka një kopësht për t'u kënaqur me të?! Të ligjtë thonë: “Ju, vërtet po pasoni një njeri të magjepsur. Shiko çfarë shembujsh sjellin për ty! Por (me këtë) ata humbën (shumë larg) dhe ata kurrë nuk mund ta gjejnë rrugën e drejtë." [Furkan 7 - 9]. Dhe thotë në suren El isra: “Ata thanë: “Ne nuk do të të besojmë ty, derisa të na nxjerrësh burime prej tokës; Ose të kesh kopshte me hurma e me rrush, e të bësh që mes e tyre të rrjedhin vazhdimisht lumenj; Ose, ashtu sikurse mëton ti (se do të na dënojë Zoti), le të bjerë mbi ne qielli copa-copa; ose derisa të na sjellësh Allahun dhe melekët pranë nesh (t’i shohim haptazi); Ose të kesh një shtëpi prej ari, ose të ngjitesh lart në qiell. Madje, edhe sikur të ngjitesh lart në qiell, ne nuk do të të besojmë, derisa të na sjellësh një libër që ta lexojmë.” Thuaj: “I madhëruar qoftë Allahu!” A mos jam unë tjetër, përveçse një njeri profet?” Njerëzit nuk i pengoi asgjë që të besojnë, kur u erdhi shpallja, por ata thoshin: “A thua Allahu e dërgoi njeriun si profet?!” [Isra 90 - 94].
Por ti thuaj: “E fshehta i takon vetëm Allahut." -
Nëse ata kërkojnë prej teje mrekulli, thuaj: E fshehta është veçse në dorën e Zotit. Ai përfshin me diturinë e Tij gjithçka rreth robërve dhe krijesave. Është Ai që administron dhe gjykon rreth çështjeve të tyre, sipas diturisë së Tij absolute rreth tyre dhe sipas urtësisë së Tij të mrekullueshme. Askush nuk mund të ndërhyjë në Ligjin dhe gjykimin e Tij, as në argumentet me të cilat mbështet profetët dhe Shpalljen e Tij, as në qëllimet që synohen nga shpalljet dhe argumentet e Tij dhe as në shkaqet pse Ai i sjell pikërisht ato në mbështetje të profetëve të Tij, e jo të tjera.
"Prandaj, ju prisni, sepse edhe unë po pres së bashku me ju!” -
Secili le të presë se çfarë do të ndodhë me kundërshtarin e vet, pastaj le të shohin se kujt do t'i takojë përfundimi i mirë dhe ai i keq.