Është Ai që Diellin e bëri shndritës, ndërsa Hënën e bëri të shkëlqejë dhe i përcaktoi fazat e saj, që ju të dini numrin e viteve dhe të bëni përllogaritje (të kohës). Allahu e krijoi këtë veçse me të vërtetën e madhe. Ai i sqaron Argumentet për një popull të ditur. Me të vërtetë, në ndërrimin e natës me ditën dhe në atë që krijoi Allahu në qiej e në Tokë, ka fakte për njerëzit që i frikësohen (Allahut). -
Pasi përmendi faktin se Ai është i vetëm në aspektin e uluhije-s dhe rububije-s, Allahu i Lartësuar vijon me argumente të shumta, logjike dhe reale, nga krijimi i Tij që e vërtetojnë këtë fakt. Këto argumente të sjella nga i Lartësuari tregojnë se ai është i Plotë dhe Absolut në emrat dhe cilësitë e Tij. Dielli, Hëna, qiejt, Toka dhe çdo gjë që Zoti ka krijuar tregojnë se Ai është i vetmi Krijues, Pronar, Sundues e Kujdestar i gjithësisë. Është Ai që çdo çështje e ka në dorën e Tij dhe nuk i ka lënë askujt asnjë thërmijë pushteti; kjo nga njëra anë. Nga ana tjetër, ata tregojnë se Ai është i vetmi i Adhuruar me meritë, që duhet lavdëruar dhe t’i nënshtrohesh me bindje të plotë në ligjin që ka urdhëruar dhe sipas të cilit Ai pëlqen që ne të jetojmë. Por Ai na njoftoi se këto argumente e shenja u bëjnë dobi veçse atyre që janë të ditur dhe atyre që kanë takua, pra, që nënshtrohen ta adhurojnë Zotin sipas porosive dhe mënyrës që Ai e ka treguar përmes profetëve. Njerëzit e ditur arrijnë t’i kuptojnë argumentet që ofrojnë këto shenja të shfaqura në krijimin e Zotit. Ata dinë të përfitojnë nga argumentet dhe t'i përkufizojnë ato me dituri dhe urtësi në formën më të kuptueshme dhe të saktë. Këtë të fal dituria. Ndërsa devotshmëria (takua) mbjell në zemër dëshirën e mirë dhe dashurinë për të mirën, si dhe frikën dhe ruajtjen nga e keqja. Kjo dëshirë dhe vullneti i mjaftueshëm për të arritur të mirën dhe për t'u larguar nga e keqja e kanë pikënisjen nga njohja dhe analiza e sinqertë që robi u bën argumenteve të përfituara nga dituria. Me fjalë të tjera, pasi i analizon faktet e Zotit dhe krijimin e Tij me një analizë të sinqeritë dhe me qëllimin për të kuptuar të mirën, kjo të sjell dituri dhe siguri të plotë në çështjet e analizuara. Pasi zemra fillon t’i shprehë Zotit dashurinë përmes adhurimeve të porositura nga Ai e të përkushtuara Atij, kjo i jep zemrës atë që quhet devotshmëri. Kjo i jep njeriut aftësinë për të dalluar të mirën dhe të keqen, të dallojë rrugën e mbarë dhe të gjejë forcën, ambicien dhe vullnetin e nevojshëm për të jetuar sipas porosive të Zotit. Mjafton të vështrosh këto krijesa të mrekullueshme të Zotit me ato cilësi dhe rregulla fantastike, për të kuptuar se Ai që i krijoi është i Plotë në pushtetin dhe fuqinë e Tij, në diturinë dhe urtësinë e Tij. Ai është i Gjallë e i Përjetshëm, përkujdeset për krijesat e Tij vazhdimisht e në çdo çast. Rregullsia, përpikmëria, përsosmëria, bukuria dhe hijeshia e krijimit të Tij tregojnë për urtësinë e Tij të pamatë e diturinë e Tij të gjerë. Dobitë dhe mirësitë që përmbajnë krijesat e Allahut tregojnë për mëshirën e madhe dhe bamirësinë e pakufishme të Allahut, si dhe kujdesin e Tij për krijesat. Të tilla janë p.sh., Dielli, Hëna dhe çdo mirësi tjetër e domosdoshme për jetën në Tokë. Nga ana tjetër, çdo krijesë që shfaqet jashtë rregullave bazë të krijimit të Tij, tregon se Ai është i Plotpushtetshëm dhe vepron çfarë të dëshirojë; ligji dhe dëshira e Tij realizohet dhe sundon mbi gjithçka.[1] Të gjitha këto tregojnë se Allahu është i vetëm në meritën e adhurimit. Vetëm Ai meriton të adhurohet dhe të duhet me gjithë shpirt; Ai është i Madhërishmi, Bujari, i përshkruar me të gjitha atributet madhështore. Ai është i vetmi tek i Cili duhet të shpresohet, e të Cilit duhet t'i druhesh dhe frikësohesh. Lutjet dhe sinqeriteti i drejtohen veçse Atij. E si mund t’u lutesh, përgjërohesh e kërkosh ndihmë krijesave të dobëta, të varfra e të pafuqishme?! Ata vetë janë të varfër dhe nevojtarë për mëshirën e Zotit, në të gjitha çështjet e tyre. Në këto ajete gjejmë argument se është i pëlqyeshëm meditimi rreth krijesave të Allahut dhe nxjerrja e mësimeve prej tyre. Kjo sjell forcim dhe përmirësim të arsyetimit, forcës logjike dhe të imanit. Shpërfillja e këtij lloji të adhurimit është pakujdesi dhe shpërfillje e njërit prej urdhërave të Allahut, pakujdesi e cila të pengon nga forcimi i imanit. Ajo, gjithashtu, është shkak për ngurtësim të arsyes dhe të inteligjencës.
[1] tillë është, p.sh., rasti i Ibrahimit që nuk e dogji zjarri, ose të gjitha mrekullitë dhe ngjarjet e jashtëzakonshme të profetëve.