Ata thoshin: “O Shuajb! Vallë, namazi yt po të thotë të na urdhërosh që ta braktisim atë që kanë adhuruar prindërit tanë dhe të mos veprojmë me pasurinë tonë si të duam vetë?”. –
Kjo qe një formë përçmimi e talljeje për profetin dhe porositë e tij, si dhe për të shprehur mosbindjen e vendosur të tyre ndaj ftesës së tij. Me fjalë të tjera, ata i thoshin Profetit: Nuk kanë asnjë arsye këto ndalesa që ti po na vendos. E vetmja arsye që ne shohim është fakti që ti po i falesh Zotit. Mos vallë, meqë ti po kryen këtë punë, neve na u dashka që të lëmë zakonet tona të vjetra dhe të mos adhurojmë idhujt, që i adhuronin edhe të parët tanë?! Sipas tyre, ftesa e Profetit për adhurimin e një Zoti të vetëm, Allahut të Madhëruar, nuk na paskësh asnjë bazë, përveç faktit që ajo i shkonte për shtat adhurimit të Profetit dhe besimit të tij. Si mundet – pyesnin ata – që, për këtë shkak, ne të lëmë traditën e të parëve tanë “të ndritur” dhe “të mençur”?! Ky ishte arsyetimi i tyre për të mos pranuar ftesën e Profetit për njësimin e Allahut të Madhëruar në adhurim. Të njëjtin arsyetim bënë edhe për të mos iu bindur Profetit në këshillat e tij për të respektuar të drejtat e njerëzve. Logjika e tyre e sëmurë thoshte: Ne nuk kemi për të hequr dorë nga mënyra e përdorimit të pasurive tona. Porositë e tua për peshën dhe matjen me saktësi e ndershmëri apo për respektimin e të drejtave dhe detyrimeve ndaj njerëzve, nuk kemi pse t’i dëgjojmë vetëm sepse ti i falesh Zotit dhe sepse kështu të shkon pas oreksit tënd. Pasuria është e jona dhe ne veprojmë me të si të dëshirojmë. Ti nuk ke asnjë të drejtë për të na mësuar se si të veprojmë me gjërat që na përkasin ne. Pas këtij arsyetimi të ulët, duke e shtuar edhe më shumë masën e talljes, ata thanë:
“Ti na qenke ai i buti e i mençuri?!” -
Kuptimi: Ti na qenke i urti, i mençuri dhe i udhëzuari?! Ti na qenke ai që udhëzon veçse për drejtësi e bamirësi dhe ndalon nga rruga e keqe?! Ti nuk je aspak i tillë dhe ne nuk të besojmë. Kështu, ata donin të shprehin se, sipas tyre, ai kishte pikërisht të kundërtat e cilësive të përmendura. Sipas tyre, ai nuk ishte i butë, i mençur dhe i udhëzuar në rrugën e drejtë, por mendjelehtë, i çoroditur dhe i devijuar. Pra, me fjalë të tjera, kuptimi ishte: E si na qenke ti i urti e i udhëzuari, ndërsa të parët tanë mendjelehtë e të devijuar?! Pa dyshim që kjo tallje dhe shpifje e tyre ishte një krim shumë i shëmtuar. Profeti është i udhëzuar nga Allahu i Madhëruar dhe i veshur me të gjitha virtytet e larta. Është e vërtetë që namazi dhe adhurimet ndaj Allahut e udhëzojnë profetin në rrugën e drejtë. Është e vërtetë, gjithashtu, se adhurimet e shtyjnë profetin që të këshillojë popullin e tij për vepra të mira, në krye të së cilave është teuhidi, dhe t'i ndalojë ata nga veprat e këqija dhe padrejtësitë. E ku ka poshtërsi më të madhe sesa adhurimi i diçkaje tjetër veç Allahut të Madhërishëm dhe sesa përdhosja e të drejtave të krijesave?! Përvetësimet duke vjedhur në peshë e matje apo me çdo mënyrë tjetër janë padrejtësi e madhe, që Zoti e ka ndaluar dhe ka kërcënuar se do të ndëshkohet si vepër e ulët.