Këto janë argumentet e Allahut, që po t’i lexojmë ty me vërtetësi. -
Këto janë ngjarje e argumente të Allahut, të cilat Ai na i tregon me vërtetësi, sikurse kanë ndodhur në realitet. Kjo bëhet që ne të marrim informacione të sigurta, dhe pastaj të nxjerrim mësime nga këto histori të vërteta.
S’ka dyshim se ti je prej të dërguarve. -
Kjo është një dëshmi madhështore, e dhënë prej Allahut të Lartësuar për Muhamedin. Ai dëshmon se Muhamedi (a.s.) është profet i Zotit të botëve. Ndër argumentet e faktet më të qarta që vërtetojnë se Muhamedi (a.s.) ishte profet i Zotit të gjithësisë, janë edhe këto ngjarje historike të kohës së hershme, për të cilat Muhamedi nuk dinte asgjë më parë. Në këto rrëfime flitet për profetët e Zotit, për pasuesit e tyre të denjë, për armiqtë e profetëve, për luftërat e zhvilluara në rrugën e Zotit etj. Nëse Allahu i Lartësuar nuk do t'ia shpallte atij këto ngjarje, ai vetë nuk do të kishte mundësi që t'i tregonte me aq vërtetësi, imtësi dhe saktësi, sepse si ai, si populli i tij, mes të cilit jetonte, nuk kishin asnjë lloj njohurie rreth atyre ngjarjeve. Kjo tregon se, me të vërtetë, ai ishte profet i zgjedhur prej Zotit të botëve. Ai ishte profet që nuk fliste nga mendja e vet, por thoshte atë që dëgjonte, atë që i shpallej prej Allahut. Ai ishte Profeti i madh, të cilin Zoti e dërgoi me të vërtetën e sigurt, me fenë e përkryer, për ta bërë të triumfojë mbi çdo fe tjetër, edhe pse këtë gjithashtu gjë e urrejnë idhujtarët.
***
Në ngjarjen e mësipërme ka shumë mësime për ata që dinë të mendojnë. Kështu, nëse një popull kërkon të përparojë dhe të arrijë synimet e veta, është e domosdoshme që të mençurit dhe paria e tij të mblidhen së bashku dhe të diskutojnë qetësisht rreth problemeve dhe çështjeve që duan të zgjidhin. Ata duhet ta kuptojnë mirë çdo problem dhe pastaj të gjejnë rrugët e zgjidhjes së tij, duke punuar sipas rregullave dhe detyrave të vendosura. Kështu vepruan paria dhe të mençurit e bijve të Israilit, të cilët, për arritjen e qëllimeve që kishin, iu drejtuan Profetit të tyre. Ata dinin se ku ta kërkonin urtësinë dhe mënyrën për t'u bashkuar dhe për të gjetur një mënyrë të përbashkët. Vetëm duke ndjekur ato këshilla, ata do të bashkonin radhët, duke qenë të sigurt në kauzën e tyre. E vërteta qartësohet më shumë kur bëhen pyetje rreth saj. Pas përgjigjes së pyetjeve, fitohet një siguri e plotë dhe qetësuese. Kështu ndodhi edhe me bijtë e Israilit, të cilët kërkuan sqarime të hollësishme rreth meritës së Talutit për të qenë mbret i tyre. Pas përgjigjeve që morën, atyre nuk u mbeti më asnjë dyshim tjetër. Nëse te një udhëheqës bashkohen mençuria e lartë dhe fuqia e madhe, atëherë udhëheqja e tij do të jetë e përsosur dhe efikase. Nëse nuk është njëri prej këtyre elementëve, udhëheqja e tij do të jetë e mangët. Këtë mësim e përfitojmë nga fakti se Allahu i Lartësuar, për të argumentuar meritën e Talutit për të qenë mbret, thotë se i kishte dhënë atij këto dy cilësi: dijen dhe pushtetin, apo forcën për të ekzekutuar këtë dije. Po ashtu, mbështetja thjesht në forcat e veta, duke e harruar dhe shpërfillur ndihmën e Allahut, është shkak për humbje dhe dështim në çdo punë të nisur. Ndërsa kërkimi i ndihmës nga Allahu, lutjet drejtuar Atij, durimi dhe qëndrueshmëria janë shkaqet e suksesit dhe të fitores. Në ngjarjen e mësipërme, në fillim, disa prej bijve të Israilit thanë: “E pse të mos luftojmë në rrugën e Allahut, kur dihet se ne jemi dëbuar nga atdheu dhe fëmijët tanë?!” Me sa duket, ky vetëbesim i tepruar i çoi ata në humbje dhe bëri që t'i kthejnë shpinën sfidës, siç thotë Allahu i Lartësuar: “Por kur u ngarkuan me detyrën për të luftuar, ata u sprapsën, përveç një pakice prej tyre.” Ndërsa grupi tjetër i besimtarëve, të cilët iu mbështetën Zotit dhe kërkuan ndihmën e Tij me durim dhe vendosmëri, merituan ndihmën e Tij dhe fitoren: “Kur dolën përballë Xhalutit dhe ushtrisë së tij, thanë: “Zoti ynë! Na dhuro durim! Na i përforco këmbët tona dhe na ndihmo kundër jobesimtarëve!” Në të tilla sprova del qartë urtësia e madhe e Zotit, i Cili nuk do t'i lejonte kurrë njerëzit të pretendonin besimin pa i sprovuar. Prej urtësisë së Tij, është vendosur ky kriter, i cili dallon qartë të mirin nga i keqi, të sinqertin nga mashtruesi dhe të duruarin nga frikacaku. Prej mëshirës së Tij, Allahu i Lartësuar e ka bërë detyrë për besimtarët që të luftojnë kundër qafirëve dhe hipokritëve, që të frenojnë të keqen dhe padrejtësitë që ata përhapin nëpër tokë. Madje, Allahu i Lartësuar na tregon se, nëse nuk do të kishte një qëndresë të forcave të mira kundër forcave të errëta, toka do të shkatërrohej. E pra, është mëshira e Allahut që përcaktoi këtë mirësi për njerëzimin. Më pas, i Lartësuari thotë: