Ky ajet është ajeti më madhështor i Kur’ânit. Ai është ajeti më i mirë, më i vyer dhe më i dobishëm, sepse ai bart në vetvete shpjegime për çështje madhështore. Ai përmban cilësitë më të bukura të Zotit të Lartësuar. Janë të shumta hadithet e përcjella nga Profeti (a.s) për dobitë dhe mirësitë e këtij ajeti. Në këto hadithe jemi nxitur që ta shpeshtojmë leximin e këtij ajeti në gjendje dhe momente të ndryshme, madje në mënyrë të përditshme. Ne nxitemi që ta lexojmë këtë ajet në mëngjes e në mbrëmje, para gjumit, pas namazeve farze etj. Vërtet, ky ajet është shumë i rëndësishëm dhe i dobishëm.
Allâhu, lã ilâhe il-lâ huel Ĥaj-jul Ķaj-jûm. - “Allahu është Një! Nuk ka të adhuruar tjetër (me meritë) përveç Tij. Ai është (El Hajju) i Gjallë dhe (El Kajûm) i Përjetshëm.” -
Allahu i Lartësuar na tregon për Veten e Tij, se nuk ka të adhuruar tjetër me meritë përveç Tij. Askush tjetër nuk meriton të adhurohet me dashuri e madhërim, veç Allahut. Të gjitha adhurimet duhen bërë veçse për Të, sepse vetëm Ai është Absoluti në cilësitë e Tij. Mirësitë e Tij janë madhështore e të pakufishme. Vetëm Allahu e meriton të adhurohet, sepse çdo gjë tjetër është krijesë, dhe çdo krijesë e ka të domosdoshme që të jetë e nënshtruar dhe e bindur ndaj urdhrave të Tij. Robi e meriton që të jetë i nënshtruar dhe adhurues i Zotit të vet. Ai nuk duhet kurrsesi t’i shpërfillë urdhrat e Allahut dhe kurrë nuk duhet të guxojë që t'u afrohet ndalesave të Tij. Çdo gjë tjetër, veç Allahut, është e kotë dhe nuk e meriton që të adhurohet, t'i nënshtrohesh dhe t'i bindesh. Çdo gjë, veç Krijuesit, është krijesë, dhe si e tillë, ajo është e mangët e nënshtruar dhe nevojtare në çdo aspekt për kujdesin e Krijuesit të saj. E si mund t'i adhurosh krijesat?! Asnjë lloj adhurimi nuk lejohet që t'ua përkushtosh krijesave. El Haj-ju dhe El Kaj-jûm janë dy emrat më të mëdhenj të Allahut. Ata përmbajnë në vete të gjithë emrat dhe cilësitë e Zotit të gjithësisë, nëse i sheh në dy aspektet e tyre kuptimore: në aspektin e drejtpërdrejtë dhe në aspektin e nënkuptuar. Kështu, në kuptimin e drejtpërdrejtë, El Haj-ju quhet ai që gëzon jetën e plotë nga çdo aspekt, pa asnjë mangësi. Nëse Allahu ka këtë emër dhe cilësi, atëherë kjo nënkupton patjetër që duhet të ketë edhe cilësi të tjera absolute të Qenies së Tij, sikurse janë: të dëgjuarit, të shikuarit, dituria, pushteti, fuqia etj., sepse ndryshe Ai nuk do ta meritonte të quhej El Haj-ju, me kuptimin e plotë të kësaj fjale. Emri i Allahut El Kaj-jûm tregon se Ai nuk ka nevojë për asgjë dhe për asnjë përkujdesje, ndërkohë që gjithçka tjetër ka nevojë për përkujdesjen e Tij. Ky është kuptimi i drejtpërdrejtë i emrit El Kaj-jûm. Nga ana tjetër, prej kuptimit të këtij emri rrjedh se Allahu, që quhet i tillë, duhet të ketë edhe emra e atribute të tjera që tregojnë se Ai është absolut në veprat e Tij. Çdo vepër e Zotit për të cilën Ai vetë na e ka përshkruar në Kur’ân ose nëpërmjet Profetit të Tij, është tregues dhe rrjedhojë e të qenurit të Tij El Kaj-jûm. Nuk ka cilësi absolute që të mos i përkasë El Kaj-jûm-it, sepse emri El Kaj-jûm kërkon që të jesh i cilësuar me atribute, të cilat tregojnë madhështinë dhe përsosmërinë e veprave dhe të urtësisë. Këtu përfshihen, gjithashtu, të gjitha atributet e Zotit që tregojnë për veprimet e Tij, si për shembull, fakti që Ai bën gjithçka që dëshiron, apo që Ai ngrihet lart dhe zbret, apo që Ai i flet ndonjë krijese ku dhe kur të dëshirojë Ai, apo që Ai krijon, furnizon, jep jetë, jep vdekje e ringjall. Çdo lloj përkujdesjeje vjen prej Atij që është i quajtur El Kaj-jûm. Gjithçka që ndodh në botë bën pjesë në veprimet e El Kaj-jûm-it. Për këtë kuptim kaq të gjerë e gjithëpërfshirës që kanë këta dy emra, disa dijetarë të mëdhenj kanë thënë se ata të dy bashkë përbëjnë atë emër të madh të Allahut, që, nëse i lutesh Atij me të (El Haj-ju - El Kaj-jum), Allahu nuk ta kthen mbrapsht lutjen dhe të përgjigjet; nëse i kërkon Allahut diçka duke iu drejtuar me këtë emër (të përbërë), Ai ta jep atë gjë. Allahu i Lartësuar është vërtet El Haj-ju El Kajjum, dhe këtë fakt Ai e shtjellon në vijim, duke thënë:
Lâ te'ħudhuhû sinetu-ue lâ neûm - “Atë nuk e kap dremitja dhe as gjumi.” -
E si mund ta kapë dremitja apo gjumi Atë që quhet El Haj-ju El Kaj-jum dhe çdo gjë është e varur dhe nevojtare për të?!
lehû ma fis-semâuâti ue mâ fil erđ - “Vetëm e Tij është gjithçka, në qiej dhe në Tokë.” -
Allahu është Sunduesi dhe Pronari i gjithçkaje. Çdo gjë është e nënshtruar dhe pronë e Tij. Ai është Krijuesi, Furnizuesi, Administrues e Kujdestari i gjithçkaje. Çdo gjë tjetër, veç Atij, është krijesë, që ka nevojë për furnizimin dhe përkujdesjen e të Mëshirshmit. Krijesat nuk kanë në dorë asnjë grimcë pushteti, as në qiej dhe as në Tokë. Prandaj i Madhëruari thotë më tej:
Men dhal-ledhî jeshfeu indehũ il-lâ bi idhnih - “Askush nuk mund të ndërmjetësojë tek Ai, përveçse me lejen e Tij.” -
Askush nuk mund të ndërmjetësojë tek Allahu, pa i dhënë leje vetë Ai, Sunduesi i botëve. Ndërmjetësimi dhe ndihma janë plotësisht në dorën e Allahut të Lartësuar. Nëse i Madhëruari dëshiron të mëshirojë ndonjë prej krijesave të Tij, atëherë Ai lejon dikë tjetër, që është prej krijesave të nderuara dhe të zgjedhura të Tij, që të ndërmjetësojë për të parin. Po ashtu, ndërmjetësuesi nuk mund ta fillojë ndërmjetësimin pa i dhënë leje Allahu i Lartësuar.
jea'lemu mâ bejne ejdîhim ue mâ ħalfehum. Ue lâ juĥîŧûne bi shejim-min ilmihĩ il-lâ bimâ shãe - “Ai e di të tashmen dhe të ardhmen. Të tjerët dinë vetëm aq sa Ai ka dëshiruar t'u mësojë, nga ajo që Ai di.” -
Ai i di në hollësi të gjitha gjërat: të shkuarat, të sotmet dhe të ardhmet. Allahu përfshin me dijen e Tij të gjitha çështjet, në imtësi. Ai i njeh të dukshmet dhe të fshehtat. Ndërsa krijesat dinë dhe veprojnë veçse aq sa u ka mundësuar Ai.
Uesia Kursij-juhus-semâuâti uel erđ. Ue la je'ûduhû ĥifđhuhumâ - “Froni (Kursijj-i) i Tij përfshin qiejt dhe tokën dhe Atë nuk e lodh përkujdesi për të dyja.” -
Kursij-j (kuptimi i drejtpërdrejtë gjuhësor: “karrige, stol, ndenjëse”) quhet vendi në këmbët e Fronit (Arshit) të Allahut. Kjo tregon për madhështinë e Tij dhe për pushtetin e Tij absolut. Kursijj-a nuk është krijesa më e madhe që Allahu ka krijuar. Froni (Arshi) i Tij është, për shembull, shumë herë më i madh se Kursijj-a, por ka edhe krijesa të tjera që janë më të mëdha se ajo, të cilat i di veçse Allahu i Madhëruar. Pra, duke qenë se Kursijj-a përfshin qiejt e gjerë e madhështorë, tokën dhe gjithçka që gjendet mes qiejve dhe tokës, atëherë ç'mund të thuash për Fronin (Arshin) e Allahut? Çfarë mund të thuash për ato që janë më të mëdha se Kursijj-a?! Të gjitha këto dëshmojnë për madhështinë e Krijuesit. Vetëm madhështia e këtyre krijesave trullos mendjen, verbon shikimin, trondit malet dhe habit burrat më të mençur. Atëherë, çfarë mund të themi për madhështinë e Krijuesit të tyre. Çfarë do të mendonim për Atë që, mes këtyre krijesave, ka vendosur urtësi dhe të fshehta të mrekullueshme? Çfarë do të mendonim për Atë që përkujdeset për botën dhe gjithë krijesat e Tij, pa u lodhur dhe pa e patur të vështirë? Thotë i Lartësuari:
ue huel alij-jul Ađhîm. - “Ai është i Larti, i Madhi.” -
Allahu është i Larti (El alijju), që ndodhet mbi Fronin e Tij. Ai është i Larti, që ka nënshtruar çdo krijesë me pushtetin e Tij. Ai është i Larti, me emrat dhe cilësitë më të larta të Tij. Allahu është i Madhi, Madhështori (El Adhîm). Para madhështisë së Tij zhduket pushteti dhe mbretërimi i tiranëve më të mëdhenj. Përpara madhështisë së Tij nënshtrohen e poshtërohen edhe mbretërit më të ashpër. I lavdëruar qoftë Allahu, i Madhërishmi, Krenari, i Lartësuari, i Pushtetshmi, Ngadhënjimtari dhe Nënshtruesi i gjithçkaje. Ky ajet i përfshin të trija llojet e teuhidit: rububije, uluhije dhe teuhidin e emrave dhe të cilësive të Allahut. Ai tregon për gjithëpërfshirjen e pushtetit, pasurisë dhe dijes së Allahut. Ajeti tregon për lartësinë dhe fuqinë e Tij mbi çdo krijesë. Ky ajet është sqarues i besimit të muslimanit në emrat, cilësitë dhe veprat e Zotit të tij. Në të gjenden emrat dhe cilësitë më madhështore të Allahut.