Duke gjykuar rreth grupeve të cilëve u dha libra hyjnorë, i Madhëruari thotë:
Vërtet, ata që besojnë (në Kur’anin), çifutët, të krishterët, sabi'inët… –
Domethënë, gjykimi që do të vijojë vlen vetëm për ata të cilëve u është dhënë libër qiellor. Edhe sabi'iinët konsiderohen si grupacionet e krishtera. Më tej, i Madhëruari tregon cilësitë e të shpëtuarve prej tyre:
kushdo që beson në Allahun dhe në Ditën e Fundit dhe bën vepra të mira… -
Kështu, i Madhëruari përshkruan me këto cilësi besimtarët e këtij umeti (muslimanët) dhe ata të umeteve të shkuara, që ishin çifutët, të krishterët dhe sabi'inët:
1. besojnë Allahun dhe botën tjetër:
2. bëjnë vepra të mira. Pikërisht këta do të fitojnë shpërblimin e madh që u ka përgatitur Allahu, si dhe prehjen dhe sigurinë e madhe pranë Tij:
…do ta kenë shpërblimin te Zoti i tyre. Për ta nuk ka frikë dhe as nuk do të brengosen -
Ata nuk do ta provojnë frikën dhe as do të brengosen. Ndërsa çdo pjesëtar i këtyre umeteve që ka mohuar Allahun, profetët dhe Ditën e Fundit, ai do të fitojë të kundërtën e atyre që u përmendën, pra: do të jetë i pushtuar nga frika dhe trishtimi. Është shumë e rëndësishme të kuptohet se ky është thjesht një njoftim rreth këtyre umeteve, i cili i referohet periudhës para dërgimit të Muhamedit (a.s). (Sepse pas dërgimit të Muhamedit (a.s), askush nuk ka për të shpëtuar nëse nuk e pranon dhe nuk e pason atë (a.s.), si profet të Allahut). Ky është një pasqyrim i gjendjes së tyre, me të dyja anët e monedhës, që bëhet për të larguar ndonjë keqkuptim që mund të lindë në shpirtrat e njerëzve, kur lexojnë ajetet e Kur’ânit. Allahu e di më së miri, por shkaku i këtij pasqyrimi vjen për të sqaruar se, jo të gjithë pjesëtarët e atyre popujve, – të parët e të cilëve u qortuan dhe mangësitë e shumta të të cilëve u trajtuan këtu, – hynin në një kategori. Pra, Allahu i Lartësuar deshi që t’i dallonte ata të cilët nuk përfshiheshin në kategorinë e përshkruar me cilësi dhe vepra të ulëta. Ndoshta, nga përmendja e sjelljeve të poshtra të brezave të parë të çifutëve, dikush mund të kuptonte gabimisht se cilësi të tilla mund të kishin vetëm çifutët. Për këtë arsye, i Madhëruari i përmend popujt në përgjithësi, duke treguar cilësitë e pjesëtarëve që do të shpërblehen dhe cilësitë e atyre që do të ndëshkohen, nga secili popull. E gjithë kjo, për të larguar çdo keqkuptim dhe për të qartësuar të vërtetën. I lavdëruar qoftë Ai, që brenda Librit të Tij ka sjellë gjëra që habisin mendjet e të gjithë botës! Më pas, i Madhëruari i rikthehet qortimit të bijve të Israilit për veprat e ulëta të të parëve të tyre. Ai thotë: