Ata thonë: “Përse nuk na sjell ai ndonjë Argument nga Zoti i vet? - Kundërshtuesit e Profetit e pyesnin atë: “Pse nuk na sjell ndonjë shenjë nga Zoti i Tij?” Ata kishin për qëllim mrekullitë që ata propozonin vetë, si për shembull kur thoshin: “Ne nuk do të të besojmë ty, derisa të na nxjerrësh burime prej tokës; ose të kesh kopshte me hurma e me rrush, e të bësh që mes e tyre të rrjedhin vazhdimisht lumenj; ose, ashtu sikurse mëton ti (se do të na dënojë Zoti), le të bjerë mbi ne qielli copa-copa; ose derisa të na sjellësh Allahun dhe melekët pranë nesh (t’i shohim haptazi); ose të kesh një shtëpi prej ari, ose të ngjitesh lart në qiell. Madje, edhe sikur të ngjitesh lart në qiell, ne nuk do të të besojmë, derisa të na sjellësh një libër që ta lexojmë.” Thuaju: “I madhëruar qoftë Allahu! A mos jam unë tjetër, përveçse një njeri profet?” [Isra 90-93]. Kjo ishte mendjemadhësi, inat dhe padrejtësi e madhe nga ana e tyre. Si ata, ashtu edhe profetët janë njerëz e robër të Zotit, prandaj edhe ata e dinë se nuk duhet të kërkojnë të tilla shenja e mrekulli sipas dëshirave të tyre. Ai që zgjedh mrekullitë e duhura për t’ia dhënë një profeti është vetëm Allahu i Madhëruar. Me urtësinë e Tij, Ai i jep profetit shenja të mjaftueshme që vërtetojnë atë si profet dhe Shpalljen që ai sjell nga Zoti. Ato shenja janë mëse të mjaftueshme për t’i besuar bindshëm. Ata pyesnin: “Përse nuk na sjell ai ndonjë shenjë nga Zoti i vet? Sipas tyre, Profeti nuk kishte sjellë asnjë shenjë për të provuar vërtetësinë e tij si Profet i Zotit. Kjo ishte një shpifje e paskrupullt, sepse Profeti i zgjedhur u solli atyre mrekulli mahnitëse dhe të pakundërshtueshme. Madje, edhe një pjesë e vogël e atyre mrekullive do të ishin mëse të mjaftueshme për të treguar se ai ishte Profet i Zotit dhe fliste në emër të Tij, prandaj tha:
A nuk u erdhi atyre (në Kur’an) Argument i qartë për gjithçka që qe në Librat e mëparshëm të shpalljeve?”. - Nëse vërtet dëshirojnë të vërtetën me argumente, le të shohin këtë libër dhe faktin se ai është vërtetues dhe garantues i shpalljeve dhe ligjeve të Zotit të sjella në librat më të hershëm. Shiko ngjashmërinë e madhe mes Kur'anit dhe shpalljeve të para, si Teuratit, Ungjillit etj. Ai përmend të njëjta histori ashtu si ata. Madje, edhe në librat e mëhershëm paralajmërohej për Kur'anin dhe ligjin e Zotit, që do të jetë gjithmonë me njerëzit. Në to flitej për Profetin e fundit, që sipas parashikimeve, nuk dinte të shkruante e të lexonte. Përveç këtyre, Kur'ani është mrekullia më e madhe që garanton udhëzimin dhe besimin e njerëzve, siç thotë Allahu i Madhëruar: “Po a nuk u mjaftoi atyre që Ne të shpallëm një libër, i cili u lexohet atyre (qartësisht)? Nuk ka dyshim se kjo është mëshirë e kujtim për njerëzit që besojnë”. [Ankebut 51]. Mrekullitë u bëjnë dobi vetëm besimtarëve dhe mrekullia më e madhe është vetë Kur'ani. Nëpërmjet shenjave dhe argumenteve, besimtarëve u shtohet besimi dhe u forcohet siguria në premtimet e Zotit. Ndërsa ata që refuzojnë shpalljet e Zotit dhe jetojnë në kundërshtim me to, ata nuk besojnë dhe as që mund të përfitojnë prej Kur'anit dhe shenjave të Zotit, siç thuhet në Kur'an: “Me të vërtetë, ata të cilët e merituan vendimin e Zotit tënd (për ndëshkim), ata nuk do të besonin, edhe sikur t’u vinin të gjitha Shenjat, derisa ta shohin vetë dënimin e rëndë.” [Junus 96, 97]. E vetmja gjë që ndodh kur ata dëgjojnë Kur'anin dhe faktet e Zotit është se ata nuk do të kenë më justifikim para Zotit kur mbi ta të zbresë dënimi. Atë ditë nuk do të mund të thonë: