Kush i bindet Allahun dhe të dërguarit të Tij dhe kush ka frikë Allahun dhe i përmbahet udhëzimit të Tij, - ata do të jenë fitimtarët (që do të arrijnë çdo të mirë). -
Këta i besojnë mesazhet dhe kumtet e Zotit dhe Profetit si të vërteta dhe u përmbahen me korrektësi dhe sinqeritet urdhëresave dhe ndalesave të tyre. Ata gjithashtu ia kanë frikën Allahut. Ata i frikësohen Zotit me një frikërespekt që buron nga njohuria e thellë për Të dhe madhështinë e Tij, me emrat, cilësitë dhe veprat e Tij. Kjo frikë dhe njohuri e plotë i bën që gjithmonë të jenë të kujdesshëm në çdo ndalesë të Zotit dhe ta frenojnë veten, prandaj Allahu thotë: "...dhe i përmbahet udhëzimit të Tij." Ata i ruhen dhe i druhen zemërimit dhe dënimit të Zotit të tyre, që e njohin mirë, duke lënë çdo gjë të ndaluar. Termi “takua” (devotshmëri), kur përmendet i vetëm në një tekst Sheriati, nënkupton kryerjen e urdhëresave dhe lënien e ndalesave. Ndërsa kur përmenden së bashku me terma të tjerë, si birru (bamirësi) dhe ta’atu (bindje), atëherë takua nënkupton lënien e poshtërsive e ndalesave të Zotit, ndërsa bamirësia e bindja nënkuptojnë kryerjen e urdhëresave. Ata fatlumë të cilët i kanë të dyja këto cilësi, bindjen ndaj Zotit e Profetit (kryerjen e urdhëresave) dhe frikën ndaj Tij, dituri dhe takua, ata janë el faizunë - të shpëtuarit. El feuzu është shpëtimi nga ndëshkimi. Ata janë të shpëtuar nga ndëshkimi, sepse bëjnë atë që konsiderohet si mburojë nga ndëshkimi, pra:
1. "El hashije", që është frika nga Zoti, e cila ndërtohet nga njohuria e plotë për Të dhe
2. El takua, që është ruajtja nga gjynahet e ndalesat.
Ata arritën gjithashtu edhe shpërblimin, sepse bëjnë atë që është shkak për të, pra, realizojnë bindjen ndaj Zotit e Profetit, duke kryer urdhëresat e tyre me sinqeritet vetëm për të kënaqur Zotin dhe korrektësisht siç janë urdhëruar. Prandaj el feuzu është i kufizuar veç për ta. Ndërsa ata që nuk janë përshkruar me cilësitë e këtyre të zgjedhurve, nuk e arrijnë kurrë ‘el feuzi’-n, për shkak të neglizhimit dhe cenimit të atyre cilësive të lavdërueshme (el hashije, el takua). Në këtë ajet përmendet një e drejtë që njerëzit duhet ta plotësojnë, në lidhje me Zotin dhe Profetin, dhe një e drejtë e veçantë vetëm ndaj Zotit. E drejta e përbashkët ndaj Zotit dhe Profetit është bindja e plotë në atë që ata urdhërojnë e ndalojnë dhe të gjykuarit sipas ligjeve të Sheriatit. Në varësi të kësaj bindjeje është edhe grada e imanit, sepse imani e presupozon bindjen ndaj Zotit dhe Profetit. Ndërsa haku i veçantë vetëm për Zotin është el hashijetu, - pra, frika ndaj Zotit, si pasojë e diturisë për madhështinë e Tij, dhe el takua - pra ruajtja nga zemërimi dhe dënimi i Tij. Ndërsa për sa i përket të drejtës që ka Profeti në mënyrë të veçantë, ai është respektimi dhe nderimi i figurës së tij. Të trija këto lloj të drejtash Allahu i Madhëruar i ka përmendur në suren Fet'h (ajetet 8, 9), kur thotë: "Ne të dërguam ty si dëshmitar, si përgëzues dhe paralajmërues. Që ju (o njerëz) ta besoni Allahun dhe të Dërguarin e Tij, të cilin ta përkrahni e ta respektoni, dhe që ta lartësoni (Allahun) mëngjes e mbrëmje.". Pra, e drejta e Zotit dhe Profetit është besimi në Zotin dhe Profetin me iman korrekt e të plotë, që presupozon gjithashtu edhe bindjen e nënshtrimin. E drejta e Profetit në mënyrë të veçantë është të ndihmojmë, t’i qëndrojmë në krah dhe ta respektojmë figurën e tij. E drejta e Zotit në mënyrë të veçantë është: t’i bëjmë lavde mëngjes e mbrëmje, ta lavdërojmë përmes emrave, cilësive e veprave të tij dhe ta dëlirësojmë e të dëshmojmë se është i pastër nga çdo mangësi dhe e metë.