Allahu i Madhëruar na njofton për mirësinë që bën ndaj nesh dhe për faktin se nuk ka bërë ndonjë vështirësi në fenë e Tij, përkundrazi, na ka dhënë lehtësimet më të mëdha. Ai thotë:
Nuk është gjynah për të verbrin, as për të çalin, as për të sëmurin dhe as për ju vetë, që të hani në shtëpitë tuaja, ose në shtëpitë e etërve tuaj, në shtëpitë e nënave tuaja, në shtëpitë e vëllezërve tuaj dhe të motrave tuaja, në shtëpitë e xhaxhallarëve, të hallave, të dajave tuaj, në shtëpitë e tezeve tuaja ose të atyre që jua kanë besuar çelësat e tyre, ose në shtëpitë e miqve tuaj. -
Nuk ka asnjë gjynah dhe përgjegjësi për këto kategori njerëzish në vështirësi, nëse lënë ndonjë detyrë të Zotit, si xhihadi etj., që nuk mund të përmbushet për shkak të mangësisë dhe pamundësisë së tyre. Çdo lloj detyre e cila nuk mund të realizohet për shkak të paaftësisë të të shikuarit, paaftësisë për të ecur dhe sëmundjes, hiqet si detyrim nga këto kategori, për shkak të paftësisë së tyre për të plotësuar urdhëresën e Zotit. Të trija këto raste i bashkon i njëjti përshkrim: pamundësia për të përmbushur detyrimet nga Zoti. Ajeti fjalë për fjalë vjen kështu: “Nuk është gjynah për të verbërin, nuk është gjynah as për të çalin, nuk është gjynah as për të sëmurin dhe as për ju vetë,..." Pra, për kategorinë e katërt të përmendur në ajet, Zoti nuk thotë se “nuk është gjynah”, por e kufizon atë, duke thënë: "dhe as për ju vetë, që të hani në shtëpitë tuaja,..." Për tri kategoritë e para nuk e përkufizon gjykimin se në ç'rast nuk kanë gjynah, ndërsa për kategorinë e fundit thotë se nuk kanë gjynah veçse për rastet e përmendura në vijim, pra: "dhe as për ju vetë, që të hani në shtëpitë tuaja, ose në shtëpitë e etërve tuaj...". Pra, nuk ka gjynah që të hahet nga shtëpitë e fëmijëve tuaj. Kjo përkon me hadithin e Profetit (a.s), kur thotë: “Ti dhe pasuria jote jeni të babait tënd”. Ose në hadithin tjetër, kur thotë: “Me të vërtetë, ndër më të mirat ushqime që keni ngrënë ndonjëherë është ai që e keni fituar me punën tuaj dhe nga fëmijët tuaj, që janë nga fryti i punës suaj." Në fakt, në ajet thuhet: “nga shtëpitë tuaja” dhe, sigurisht, që nuk e ka fjalën për shtëpinë e vetë personit, sepse është normale që kjo të jetë e lejuar, ndërkohë që në fjalën e Allahut nuk mund të gjesh asgjë që është e panevojshme. Kështu, është fjala për shtëpitë e fëmijëve tanë, në të cilat mund të mendohet se mund të jetë gjynah nëse hamë në to. Pastaj Allahu i Madhëruar thotë: "...që të hani në shtëpitë tuaja, ose në shtëpitë e etërve tuaj, në shtëpitë e nënave tuaja, në shtëpitë e vëllezërve dhe të motrave tuaja, në shtëpitë e xhaxhallarëve, të hallave, të dajave tuaj, në shtëpitë e tezeve tuaja ose të atyre që ju kanë besuar çelësat e tyre, ose në shtëpitë e miqve tuaj." Të gjitha këto kategori janë të njohura. Ajo që ka nevojë për sqarim është fjala e Tij: "...ose të atyre që ju kanë besuar çelësat e tyre". Bëhet fjalë për shtëpitë që janë nën ruajtjen tonë, me cilësinë e kujdestarit. Disa janë të mendimit se është fjala për shtëpitë e skllevërve, por mendimi i parë është më i saktë, sepse për rastin e pronarëve nuk thuhet "...ose të atyre që ju kanë besuar çelësat e tyre", por thuhet “të atyre që i keni në pronësinë tuaj”. Pastaj shtëpia e skllavit dhe ai vetë i përkasin zotërisë së tij. Pra, është e panevojshme të thuhet se nuk është gjyjah që njeriu të hajë nga shtëpia e vet, siç e sqaruam më sipër. Kur Allahu i Madhëruar thotë se nuk është gjynah që të hamë nga këto kategori, është për qëllim ngrënia pa leje, gjë e cila kuptohet nga konteksti. Kështu, është mëse e zakonshme dhe e pranueshme që muslimanët të hanë e të pinë nga ushqimi i njëri-tjetrit, për shkak të afërsisë mes tyre dhe tolerancës së ndërsjelltë, që të përfitojnë nga njëri-tjetri përmes afërsisë farefisnore, administrimit të përbashkët ose sadakasë. Nëse supozohet se dikush nuk e lejon këtë lloj përfitimi për shkak të kopracisë së tij, atëherë nuk lejohet të hash dhe është gjynah nëse e bën duke marrë parasysh urtësinë e këtij lejimi dhe kuptimin e tij.
Nuk është gjynah të hani bashkërisht ose veças. -
Të gjitha këto janë të lejuara. Kështu, lejohet që pjesëtarët e një familjeje të hanë të gjithë së bashku dhe lejohet që secili të hajë më vete. Me fjalë të tjera, nuk ka gjynah në një rast të tillë, por bashkimi është më i mirë dhe më i dobishëm, sesa ngrënia më vete.
Kur të hyni në ndonjë shtëpi përshëndetini (ata që janë në to) me një përshëndetje të caktuar nga Allahu (Es-selamu alejkum!) që është e bekuar dhe e bukur. -
Ky lloj formulimi është përgjithësuar dhe përfshin të gjitha shtëpitë, si shtëpinë e vetë personit, ashtu edhe shtëpitë e tjera, qoftë në rastin kur ka njerëz në atë shtëpi, qoftë kur nuk ka njerëz në të. Domethënë, kur hyjmë në një shtëpi, urdhri është: "...përshëndetini (ata që janë në to) me një përshëndetje të caktuar nga Allahu (Es-selamu alejkum), që është e bekuar dhe e bukur." Pra, jepini selam njëri-tjetrit. Allahu i Madhëruar ka thënë “përshëndetni me selam "veten tuaj", sepse të gjithë muslimanët janë si një trup i vetëm. Gjithashtu, muslimani e trajton muslimanin si veten e vet, në lidhje me mëshirën që tregon e ndien për të, në dashurinë e dëshirën për të mirë dhe dhembshurinë për njëri-tjetrin. Kështu, përshëndetja me selam është e ligjëruar kur hyn në çdo shtëpi, pa asnjë ndryshim. Sigurisht që, përpara hyrjes, është detyrë marrja e lejes, sipas shpjegimit dhe hollësive të sqaruara nga Zoti. Allahu i Madhëruar e lavdëron përshëndetjen me selam, kur thotë: "...përshëndetini (ata që janë në to) me një përshëndetje të caktuar nga Allahu (Es-selamu alejkum), që është e bekuar dhe e bukur!" Kjo përshëndetje është në formën: “Es-selamu alejkum ue rahmetullahi ue berekatuhu - Paqja, mëshira dhe bekimet e Allahut qofshin mbi ju”. Ose “Es-selamu alejna ue ala ibadil-lahis-salihin - Paqja qoftë mbi ne dhe mbi gjithë robërit e mirë të Allahut!” Allahu e ligjëroi atë për ju dhe e bëri të jetë përshëndetja juaj e përjetshme. Ajo është mubareke - e bekuar dhe begatisjellëse, sepse ajo përmban selamin, që është ruajtja nga çdo mangësi e cenim, përmban mëshirë, begati, shtim të të mirave dhe rritje në mirësi. Ajo është gjithashtu, tajjibeh - e mirë dhe e këndshme, sepse është e dashur për Allahun. Si e tillë, ajo e lumturon atë që përshëndetet, si dhe sjell dashurinë e afrimitetin mes të përshëndeturve. Pasi na sqaroi këto norma të mrekullueshme, Allahu i Madhëruar thotë:
Kështu jua qartëson Allahu urdhëresat e Tij që ju t’i kuptoni. -
Këto ajete jo vetëm tregojnë dispozitat e Sheriatit, por shpjegojnë edhe urtësitë dhe dobitë që ato na sjellin. Këta ajete janë me qëllimin që: "...ju t’i kuptoni", që të kuptoni mirë mesazhet e Tij dhe të nxirrni dobi prej tyre, me logjikën dhe mendjen tuaj, kur të meditoni dhe t’i analizoni ato. Kështu, ju do të ndriçoheni gjithmonë e më shumë dhe do të bëheni më të mençur e më të urtë. Ju do të ndriçoheni, sepse njohja e saktë e ligjeve të Zotit e bën njeriun më të mençur dhe të urtë dhe ia shton aftësinë e të menduarit dhe të logjikuarit drejt. Ligjet e Sheriatit dhe analiza e Shpalljes për të nxjerrë këto ligje janë nga llojet më të larta të të medituarit dhe të analizimit të çështjeve, sepse kjo është Shpallje e Zotit dhe, si e tillë, nuk ka fjalë më të madhe se ajo. Ato ftojnë në virtytet më të larta dhe ligjet më të përkryera. Shkak për këtë ndriçim dhe forcim të aftësisë së të menduarit është edhe fakti se shpërblimi i Zotit jepet sipas llojit të punës. Duke qenë se besimtari e vë në përdorim logjikën për të analizuar dhe kuptuar drejt Shpalljen e Tij dhe për të përnxjerrë ligjet e porositë në të cilat Ai i fton njerëzit, Allahu e shpërbleu duke i ndriçuar mendjen. Në këto ajete gjejmë mbështetje për rregullin e përgjithshëm të Sheriatit, që thotë se zakonet dhe doket e njerëzve shërbejnë si posaçëruese ose reduktuese të teksteve të përgjithshme e përgjithësuese të Sheriatit, ashtu siç posaçërohen ose reduktohen ato nëpërmjet teksteve të tjera. Kështu, origjina e teksteve tregon se është e ndaluar që muslimani të hajë ushqimin e dikujt tjetër pa leje, por Allahu i Lartësuar i njoftoi se nuk kanë gjynah nëse e bëjnë diçka të tillë nëse është diçka e pranuar sipas zakoneve të njerëzve, të pranuara gjerësisht mes tyre. Për çdo çështje përfitimi, lejimin e së cilës Sheriati e ka lidhur ngushtë me lejen e dhënë nga pronari, nëse dihet leja e tij me fjalë ose sipas zakonit të përhapur ndër njerëz, atëherë ajo është e lejuar. Nga ajeti kuptohet, gjithashtu, se babait i lejohet të përfitojë nga pasuria e fëmijës së tij, pa e dëmtuar atë, sepse Allahu e konsideroi shtëpinë e fëmijëve si familjen e vetë prindit.Ajeti tregon se ata që administrojnë punët në shtëpi, siç është gruaja, motra etj., sigurisht e kanë detyrim që t’u japin të hanë vizitorëve që zakonisht vizitojnë shtëpinë e tyre. Lejohet bashkimi i kontributeve për ushqim qoftë kur hanë të gjithë bashkë, ose kur hanë veç e veç, edhe nëse kjo mund të bëjë që dikush të hajë më shumë se pjesëmarrësit e tjerë.