Ai është përgatitur si shpërblim dhe ai do të jetë vendqëndrimi i tyre (i përjetshëm). -
Ky është shpërblimi i devotshmërisë, Xheneti i përjetësisë, ku do të qëndrojnë pafundësisht mes mirësive të pashembullta.
Ata do të kenë në të gjithçka që dëshirojnë, e aty do të banojnë përjetë. -
Atje do të kenë gjithçka që dëshirojnë dhe ëndërrojnë ta shijojnë, si ushqime të shijshme e pije të këndshme, veshje të bukura, bashkëshorte të hijshme, kështjella të larta, kopshte e pyje të lulëzuara, fruta të cilat të kënaqin me pamjen dhe me shijen e tyre nga bukuria dhe larmishmëria e tyre, lumenj që rrjedhin përmes pyjeve dhe kopshteve, ku dhe kur ata të dëshirojnë. Ata janë lumenj prej uji që nuk prishet e as merr erë të keqe, lumenj prej qumështi, që nuk i ndryshon shija ose të prishet, lumenj prej pijesh shumë të këndshme për ata që i pijnë, dhe lumenj prej mjalti të kulluar. Ata do të jenë mes aromash të papërshkrueshme dhe të pashembullta dhe mes vendbanimeve të zbukuruara. Gjatë gjithë kohës dhe kur të dëshirojnë, ata do të dëgjojnë tingujt e zërave të bukur, që këndojnë në Xhenet, që nga bukuria e tyre, do t’ua rrëmbejnë zemrat. Atje ata do të vizitojnë vëllezërit dhe të dashurit e tyre, dhe do të kënaqen me këto takime. Por mbi të gjitha këto kënaqësi qëndron kënaqësia e shikimit në fytyrën e Zotit Mëshirëplotë dhe dëgjimit të Fjalës së Tij drejtuar me dashuri banorëve të Xhenetit. Ata fatlumë do të hedhin hapat pranë Zotit të botëve në afërsi të Tij, do të kenë një lumturi të papërshkrueshme kur Ai të njoftojë se është i kënaqur prej tyre dhe se kurrë nuk ka për t’u zemëruar më nga ata. Të gjitha këto mirësi do të jenë të vazhdueshme dhe gjithmonë në shtim e zbukurim të përjetshëm, me kalimin e kohës në përjetësi. Mbërritja dhe hyrja në këto kopshte dhe mirësi është një premtim që Zoti nuk e thyen.
Ky është, për Zotit tënd, një premtim (i rëndësishëm) që nuk e thyen. -
Është një përjetim i sigurt dhe për të cilin duhet të lutesh e të përgjërohesh shumë. Për të i janë lutur Allahut robërit e Tij të devotshëm me të dyja mënyrat e lutjes, me gjuhën e gjendjes dhe veprave të tyre dhe me gjuhën e fjalëve dhe lutjeve të sinqerta. Mendohuni, o njerëz, cili prej këtyre dy vendeve duhet të preferohet? Punëtorët e cilës botë janë më të logjikshëm dhe të nderuar? Gjykoni, ju të urtë e të mençur! Tashmë është qartësuar e vërteta dhe është ndriçuar rruga, kurse mospërfillësit e saj nuk kanë më asnjë justifikim, nëse nuk pyesin më argumentet dhe Shpalljen e Zotit dhe nuk respektojnë ftesën e Tij bujare. Të lutemi dhe vetëm tek Ti shpresojmë, o Zot. Ti i ke gjykuar me drejtësinë Tënde shumë popuj për të qenë të humbur dhe, me Mëshirën e bamirësinë Tënde, shumë të tjerë i ke bërë të lumtur, duke u dhënë Xhenetin, dhe, më shumë se kaq, shikimin në fytyrën Tënde dhe kënaqësinë ndaj tyre! O Zoti ynë! Ty të përgjërohemi të na ruash nga gjendja e fatzinjve të humbur dhe të lutemi të na shpëtosh nga zemërimi yt e të na dhurosh mëshirën dhe Xhenetin Tënd!