Ata do të përgjigjen: “Lavdia qoftë për ty! - Ata e lavdërojnë dhe e dëlirësojnë Allahun kundër shirkut që kanë bërë idhujtarët dhe distancohen nga një vepër e tillë.
Kurrë nuk do të parapëlqenim që përveç Teje të kemi ndonjë mbrojtës tjetër,... -
Kurrë nuk do t’ia lejonim vetes të merrnim mbrojtës, mik e ndihmëtar tjetër, veç Teje, o Zot! Ne nuk njohim zot tjetër që të meritojë ta adhurojmë, t’i mbështetemi dhe t’i lutemi, përveç Teje! Duke qenë se ne nuk adhurojmë asnjë dhe asgjë veç Teje dhe përderisa nuk i mbështetemi e as i lutemi e kërkojmë ndihmë askujt tjetër veç Teje, atëherë si mund të urdhërojmë të tjerët për një padrejtësi të tillë?! Kjo kurrë nuk mund të ndodhë dhe Ti je shumë i madhëruar dhe i dëlirë që të mund të zgjedhim ndonjë tjetër si të adhuruarin e kujdestarin tonë. Ky i ngjan ajetit tjetër: “Allahu do të thotë: “O Isa, biri i Merjemes! Ti, vallë, u the njerëzve: “Më besoni mua dhe nënën time si dy zota veç Allahut!?” Ai do të thotë: “Qofsh i lartësuar (o Zoti im)! Kurrë nuk mund ta thosha unë atë për të cilën nuk kam asnjë të drejtë. Po ta kisha thënë atë, Ti do ta kishe ditur. Ti e di çfarë ka në shpirtin tim, ndërsa unë nuk e di atë që është tek Ty. Ti i di të gjitha të fshehtat. Unë nuk u kam thënë atyre asgjë tjetër, veç asaj që Ti më urdhërove: “Adhuroni Allahun, Zotin tim dhe Zotin tuaj!” Unë isha dëshmitar i tyre, sa isha ndër ta. Por pasi Ti më more mua, ishe Ti mbikëqyrësi i tyre. Ti je Dëshmitar për gjithçka.” Nëse Ti i ndëshkon ata, ata janë robt e Tu. E nëse i fal ata, Ti je i Plotfuqishmi e i Urti. Allahu thotë: “Kjo është dita kur të sinqertëve u sjell dobi sinqeriteti i tyre. Atyre u takojnë kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj, ku do të qëndrojnë përgjithmonë. Allahu është i kënaqur me ta dhe ata janë të kënaqur me Të. Ky është shpëtimi i madh.” Vetëm Allahut i takon sundimi i qiejve dhe i tokës dhe gjithçka që është ndërmjet tyre. Ai është i Plotfuqishëm për gjithçka." [Maide 116 - 120]. Ose: "Ditën kur Ai do ti tubojë ata të gjithë do t'u thotë melekëve: “Këta janë ata që ju adhuronin juve?” Ata (melekët) thonë: “I dëlirë je o i Madhëruar! Ti je Zoti ynë, dhe je i pastër nga ajo që ata thonë! Por ata adhuronin xhindet dhe shumica e tyre besonin në ta”. Sot nuk keni gjë në dorë t’i bëni dobi e as dëm njëri-tjetrit. Atyre që ishin zullumqarë do t'u themi: “Shijoni dënimin e zjarrit, të cilin e konsideruat gënjeshtër!” [Sebe'e 40 - 42]. Pasi rrëfehen se janë të pastër nga idhujtaria dhe që nuk kanë lidhje me ftesën e njerëzve në këtë padrejtësi, ata përmendin shkakun e vërtetë të idhujtarisë së atyre të mjerëve:
... por Ti i begatove me të mira ata dhe të parët e tyre... - Ata u zhytën në kënaqësitë e kësaj bote, të shfrenuar në përmbushjen e epsheve dhe kënaqësive të tyre tokësore. Aq shumë u përhumbën në këto kënaqësi saqë:
dhe ata i harruan paralajmërimet e tua... -
Ata ishin tërësisht të përhumbur në kërkimin e kënaqësive të kësaj dynjaje, ishin dehur me përmbushjen e epsheve, saqë e harruan ahiretin dhe e shitën atë për të blerë dynjanë. Ata u bënë, ashtu siç thotë Zoti:
... dhe u bënë popull i shkatërruar.” -
Ata u bënë "kaumen bura" - njerëz të këqinj, në të cilët nuk ka asnjë grimë mirësie dhe të cilët nuk meritojnë dhe as janë të denjë për ndonjë të mirë. Ata vlejnë dhe meritojnë veçse shkatërrimin e dëshpërimin. Në këto ajete përmendet shkaku që i pengon ata nga pasimi i udhëzimit të Zotit, e që është kënaqësia e tepruar me stolitë e kësaj bote. Është përmendur edhe një pengesë tjetër për mospërqafimin e udhëzimit të Zotit: fakti që ata janë njerëz që nuk kanë mirësi në shpirt. Ata pranojnë veçse ligësinë dhe e refuzojnë me forcë mirësinë. Kështu, me këto dy shkaqe, çdo lloj sherri e shkatërrimi që të të vijë ndër mend, ke për ta gjetur tek ata të mjerë. Më pas, Allahu i Madhëruar u drejtohet idhujtarëve dhe u thotë: