Atë Ditë, sundimi i vërtetë i takon krejtësisht të Gjithëmëshirshmit. -
Si mendon për njerëzit, këto krijesa kaq të dobëta? Po për ata të mjerë, që në dynja kanë patur guximin të kundërshtojnë të Plotpushtetshmin duke bërë gjynahe të mëdha dhe padrejtësi dhe nuk janë penduar për ato?! Si do ta përballojnë, kur Mbreti i Plotpushtetshëm të gjykojë për ta, Ai që kurrë nuk bën as padrejtësinë më të vogël?!
Për jobesimtarët ajo do të jetë një ditë e vështirë. -
Vështirësia e asaj dite është torturuese dhe e dhimbshme për jobesimtarët. Ndërsa për besimtarët, ajo ditë do të jetë e lehtë, sikurse thotë i Lartësuari: "Ditën, kur Ne do t’i tubojmë të devotshmit te i Gjithëmëshirshmi si mysafirë të nderuar dhe keqbërësit do t'i shtyjmë drejt Xhehenemit si tufë e etur për ujë, askush nuk do të ketë të drejtë ndërmjetësimi, përveç atij që e ka lejuar i Gjithëmëshirshmi." [Merjem 85 - 87]. Allahu i Madhëruar thotë: "Atë Ditë, sundimi i vërtetë i takon krejtësisht të Gjithëmëshirshmit." Pra, Ditën e Kijametit i gjithë pushteti sundimi e mbretërimi është në dorë të Zotit. Krijesave nuk u mbetet asnjë lloj mbretërimi, qoftë edhe me emër, siç ndodh në dynja. Tashmë janë njëlloj mbretërit dhe skllevërit, të lirët dhe robërit, të fismit dhe jo të fismit. Në këtë ajet është një detaj që ta qetëson shpirtin, ta rehaton zemrën dhe të zgjeron gjoksin: fakti që pushteti dhe mbretërimi është në dorën e Rahmanit - të Gjithëmëshirshmit, në dorën e Atij, mëshira e të Cilit ka përfshirë çdo gjë, të gjitha krijesat. Me këtë mëshirë u ngrit dhe u ndërtua dynjaja dhe ahireti. Kjo mëshirë plotëson çdo mangësi dhe largon çdo të metë. Emrat e Allahut që tregojnë për mëshirën e Tij janë më shumë se emrat që tregojnë për zemërimin e Tij. Mëshira e Tij është më e madhe se zemërimi i Tij. I Gjithëmëshirshmi e krijoi këtë krijesë të dobët e të varfër, që quhet njeri dhe më pas e nderoi, me qëllimin që ta plotësonte mirësinë e Tij mbi të dhe për ta mbuluar me mëshirën e Tij të gjerë. Nevoja për këtë mëshirë del shumë e qartë, sidomos atë ditë të madhe, kur njeriu ka dalë para Zotit, i vetmuar, i poshtëruar, i përulur, i frikësuar, i pafuqishëm dhe nevojtar për mëshirën dhe faljen e Tij. Krijesat presin me zemër të ngrirë se si do të gjykojë Mbreti për ta dhe çfarë do të ndodhë me ta. Por Ai është më i mëshirshëm me ta sesa ata janë me veten e vet apo sesa prindërit e tyre me ta. Atëherë, si mendon se do të veprojë i Gjithëmëshirshmi me ta? Me një Zot të tillë, shkatërrohet dhe humbet veçse i shkatërruari dhe i mbushuri me ligësi. Nga mëshira e Tij përjashtohet veçse ai që është zhytur në mohim, mbi të cilin bëhet i pakthyeshëm vendimi i Zotit për ndëshkim.