Po kështu (siç i zbritëm librat e mëparshëm), Ne të zbritëm edhe ty Librin. -
Kështu ta zbritëm ty këtë libër madhështor, që përmban lajme të mëdha dhe fton në virtyte të larta dhe urdhëresa të mrekullueshme e të urta. Ky libër vërteton Shpalljen e mëparshme dhe për këtë libër kanë njoftuar të gjithë profetët e shkuar.
Ata të cilëve Ne ua kemi dhënë librin më parë, e besojnë këtë Kur'an. -
Ata të cilët u patëm dhënë Libër dhe kanë njohuri të plotë rreth tij, dhe të cilët nuk u prekën nga smira dhe as nuk ndjekin dëshirat e tyre, ata besojnë këtë Kur'an. Ata e besojnë atë, sepse janë të sigurt për vërtetësinë e tij, nga vetë ngjashmëria e ligjeve e porosive që gjenden në to, si dhe nga përgëzimet e profetëve të parë për këtë shpallje madhështore dhe këtë Profet të fundit të kohës. Ata e dallojnë se ai është i vërtetë, sepse ata janë dijetarë të dalluar në fushën e njohjes dhe dallimit të së mirës dhe të keqes, të vërtetës dhe gënjeshtrës.
Edhe nga këta (fiset arabe) ka të tillë që e besojnë këtë Kur'an. -
Ata kanë iman të vërtetë të nxitur nga dituria dhe siguria e plotë për të vërtetën, pra, jo të frikësuar ose për ndonjë interes dynjaje.
Argumentet Tona i refuzojnë veçse jobesimtarët. -
Domethënë, vetëm ata që e kanë zakon ta refuzojnë padrejtësisht të vërtetën dhe të tregohen kryeneçë ndaj saj. Kjo ndodh veçse nga ata që janë të mbushur me mohim dhe nuk kanë asnjë grimë qëllimi për të gjetur të vërtetën dhe për ta pasuar atë. Atëherë, është e sigurt se, çdokush që ka një qëllim të mirë dhe synon vërtet që të gjejë udhëzimin, ka për ta gjetur atë udhëzim dhe ka për ta besuar këtë Kur'an. E si të mos besojë në këtë libër, i cili ka përmbledhur brenda tij argumente shumë të qarta, për çdo njeri që ka logjikë, që dëgjon me vëmendje dhe dëshmon vetëm të vërtetën. Ndër faktet që tregojnë për vërtetësinë e Kur'anit është edhe fakti që atë e solli prej Zotit një profet besnik, sinqeritetin dhe besnikërinë e të cilit populli i tij e dinin dhe e njihnin shumë mirë. Ata e njihnin mirë atë njeri dhe e shihnin në të gjitha gjendjet dhe në jetën e tyre të përditshme. Për dyzet vjet, që ai kishte jetuar mes tyre, ata e kishin parë dhe e dinin që ai nuk dinte të shkruante dhe as të lexonte ndonjë libër të shkruar. Kësisoj, sjellja prej tij e një libri të tillë është nga më të qartat dhe të prerat argumente, që nuk pranojnë asnjë dyshim, se ai është prej Zotit, që është Ngadhnjimtar dhe i Lavdëruar: