Është përmendur shumë herë në këtë tefsir se adhuruesi duhet patjetër që t'i kushtojë rëndësi të madhe urdhrave dhe ndalesave të Allahut të Lartësuar, që kanë lidhje me Allahun vetë, por edhe me krijesat. Nëse Allahu i Lartësuar jep një urdhër të caktuar, adhuruesi ka detyrë parësore që ta njohë hollësisht dhe ta kuptojë mirë atë për të cilën urdhërohet. Pasi ta njohë dhe kuptojë mirë urdhrin, besimtari përpiqet maksimalisht dhe kërkon ndihmën e Allahut që ta plotësojë sa më mirë detyrimin. Përveç kësaj, ai përpiqet me të gjitha mënyrat që edhe të tjerët ta zbatojnë urdhrin e të Adhuruarit. Në të njëjtën mënyrë vepron besimtari edhe me ndalesat e përcaktuara nga Allahu i Lartësuar. Fillimisht, ai përpiqet që ta kuptojë qartë atë për të cilën ndalohet. Ai mundohet ta përkufizojë saktë të ndaluarën dhe përpiqet të kuptojë se çfarë bën pjesë në atë ndalesë, prej të cilës duhet të largohet në shenjë adhurimi për Allahun e Lartësuar. Besimtari nuk e tepron dhe të fusë në rrethin e të ndaluarave atë që nuk është e tillë, por edhe është i kujdesshëm që të mos neglizhojë asgjë që hyn tek të ndaluarat dhe të mos e konsiderojë si të tillë. Pas qartësimit, ai përpiqet që, jo vetëm ai, por edhe të tjerët të distancohen nga ato gjëra që i Adhuruari i ka ndaluar. Edhe kësaj here, ai kurrë nuk harron që të kërkojë ndihmën dhe mbështetjen e plotë të të Adhuruarit, që ta ndihmojë dhe t'ia lehtësojë largimin nga haramet. Kështu duhet vepruar me të gjitha urdhrat dhe ndalesat e ligjëruara nga Allahu i Lartësuar. Asnjë nga ato nuk duhet neglizhuar. Këto ajete të mrekullueshme përmbajnë këshilla të çmuara dhe nxisin adhuruesit që t’i zbatojnë ato. Këtu përmendet edhe shpërblimi i njerëzve që përpiqen sinqerisht t'i zbatojnë porositë e Zotit të tyre. Ajetet përmbajnë edhe ndalesa nga disa vepra të këqija, duke i nxitur adhuruesit që të largohen prej tyre. Ndërfutja në historinë e Uhudit e ajeteve të mbushura me urdhra dhe ndalesa ka urtësinë e saj. Ndoshta qëllimi është pikërisht përforcimi i atyre mësimeve të vyera që Allahu i Lartësuar u dha besimtarëve në luftën e Uhudit. Sikurse u përmend më parë, Allahu i Lartësuar u premtoi adhuruesve të Tij të sinqertë se, nëse do të tregohen gjithmonë të duruar e të qëndrueshëm, nëse do të jenë të pajisur me devotshmëri dhe nëse do të kenë sistematikisht këto cilësi, Ai do t'i ndihmojë kundër armiqve të tyre dhe do t'u falë fitoren. Nëse ata i përmbushin porositë e Tij, Ai do t’i poshtërojë dhe shpartallojë armiqtë e tyre. Kështu, me sa duket, pas përmendjes së devotshmërisë, nëpërmjet së cilës zbret ndihma, suksesi, lumturia dhe mirësia nga Zoti, shpirtrat duan të dëgjojnë me shumë kureshtje se cilat janë ato cilësi kaq të mrekullueshme, që të bëjnë të jesh i devotshëm. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar përmend në vijim cilësitë më të rëndësishme të devotshmërisë. Nëse adhuruesi pajiset me to, atëherë ai duhet t’i ketë edhe cilësitë e tjera plotësuese, që nuk janë përmendur, por që janë pjesë e atyre të përmendurave. Për rëndësinë e madhe të devotshmërisë tregon fakti që Allahu i Lartësuar e ka përsëritur tri herë gjatë këtyre ajeteve porosinë për të qenë të devotshëm.
O ju që keni besuar! -
Dijeni se çdo ajet në Kur’ân që fillon me thirrjen: “O ju që keni besuar” tregon se është pikërisht besimi forca shtytëse e kryerjes së urdhrit apo ndalesës që vijon më pas. Të besosh do të thotë të pohosh dhe të pranosh sinqerisht, pa dyshime, gjithçka që duhet besuar dhe pranuar. Ky besim është nxitës për të kryer veprat që e konkretizojnë dhe e shprehin hapur atë. Në vazhdim, Allahu i Lartësuar i ndalon besimtarët që të merren me fajde ose me kamatë. Pasuria e mbledhur me fajde është haram të hahet. Allahu i Lartësuar përmend në këtë ajet një lloj fajdeje që përdorej shumë në kohën e injorancës paraislamike, kur njerëzit nuk shqetësoheshin aspak për dispozitat dhe porositë e Zotit. Asokohe, nëse dikujt i afrohej koha e shlyerjes së borxhit dhe ai nuk ishte në gjendje ta shlyente atë, huadhënësi i jepte atij dy mundësi: ose ta shlyente borxhin në afatin e caktuar, ose ta shlyente më vonë, por shuma e borxhit do të shtohej. Pra, po të zgjatej afati, shtohej shuma për të shlyer. I varfëri i shkretë, për t’i shpëtuar situatës së ngushtë të momentit, detyrohej që të pranonte mundësinë e dytë, të shlyerjes së borxhit bashkë me fajdenë. Kur na ka udhëzuar nga ndalimi i fajdeve ka thënë:
Mos e hani kamatën që ju vazhdimisht e shumfishoni! -
Pra, mos hani fajdetë, që janë disa herë të shumëfishuara. Nga cilësimi: “eđ'âfem-muđâ'afeh” - “që ju vazhdimisht e shumfishoni” kuptojmë se sa i shëmtuar dhe i padrejtë është ky veprim. Ne kuptojmë nga ky cilësim edhe urtësinë e ligjërimit të kësaj ndalese nga Allahu i Lartësuar e i Mëshirshëm. Kjo ndalesë shërben që t’i mbyllet porta kësaj vepre të ulët, të pamëshirshme dhe të padrejtë ndaj krijesave. Allahu i Lartësuar e ka bërë të detyrueshme afatizimin e atij që është ngushtë dhe nuk ka mundësi që ta lajë borxhin, por e ka ndaluar rreptësisht që, për shkak të zgjatjes së afatit, të rritet edhe masa e borxhit. Këtë shtesë mbi shumën e borxhit Allahu i Lartësuar e ka konsideruar si padrejtësi të shumëfishtë. Për besimtarin e devotshëm nuk duhet të ketë mëdyshje për largimin nga një vepër e tillë e shëmtuar dhe e poshtër. Largimi nga padrejtësitë është kusht për të qenë i devotshëm. Nuk ka mundësi që të jesh i devotshëm, pa u larguar nga padrejtësitë e çdo lloji. Qëllimi i çdo njeriu është arritja e gjithçkaje të mirë e të dobishme dhe ruajtja nga çdo gjë e keqe dhe e dëmshme. Por ky sukses është i pamundur nëse mungon devotshmëria. Prandaj i Lartësuari thotë:
Kini frikë Allahun, që të gjeni shpëtim! -
Është shumë e kuptueshme se arritja e shpëtimit dhe suksesit kërkon devotshmëri. Edhe urdhri për t’u larguar nga fajdetë, është në kuadër të udhëzimit të adhuruesve për të arritur shpëtimin dhe suksesin. Pastaj Allahu i Lartësuar na sjell edhe një arsye më shumë për t’u pajisur me devotshmëri: