Feja e pranueshme tek Allahu është Islami. -
Allahu i Lartësuar, pasi argumentoi bindshëm se vetëm Ai është Zoti që meriton të adhurohet me dashuri, madhërim, përkushtim, nënshtrim e bindje, vijon që të sqarojë fenë, domethënë ligjin dhe mënyrën e adhurimit që Ai pëlqen dhe e ka përzgjedhur për njerëzimin. Ai na tregon se feja, me anë të së cilës njerëzit duhet të adhurojnë Atë, është Islami. Islami është: dorëzim, përkushtim dhe nënshtrim ndaj Zotit të vetëm. Islam do të thotë që t’i dorëzohesh një Zoti të vetëm, duke e adhuruar me dashuri dhe me bindje, ashtu sikurse të është shtjelluar prej Profetit të Zotit. Islam do të thotë të zbatosh gjithçka që Zoti e ka sqaruar në Librin e Tij ose nëpërmjet Profetit dhe traditës së tij. Islami është feja e vetme e pranuar nga Zoti i gjithësisë. Kjo fe ndërtohet mbi bazën e sinqeritetit ndaj Zotit në dashurinë ndaj Tij, frikërespektin për Të, në shpresën, pendimin dhe lutjet e shprehura Atij. Islami mbështetet, gjithashtu, mbi sinqeritetin në pasimin e traditës dhe udhëzimit të sjellë prej Profetit të Zotit. Ky është thelbi i fesë së vetme, që e kanë sjellë të gjithë profetët. Të gjithë kanë ftuar për sinqeritet në adhurimin e Allahut, dhe që ky adhurim të jetë sipas mësimeve dhe udhëzimeve të Tij. Megjithatë, ithtarët e Librit filluan të kishin kundërshtime mes njëri-tjetrit, për shkak të urrejtjes dhe smirës së tyre.
Njerëzit e Librit kundërshtuan veçse të nxitur nga zilia mes tyre, pasi u erdhi e vërteta. -
Urrejtja dhe smira e tyre shkaktoi padrejtësi dhe armiqësi mes njëri-tjetrit, edhe pse Allahu i kishte urdhëruar që të bashkoheshin të gjithë në fenë e Tij. Shkak i kësaj fatkeqësie ishin ata vetë, sepse refuzuan të vërtetën që u erdhi prej Zotit, e cila është mundësia e vetme e shpëtimit dhe mëshirës. Ata e refuzuan Muhamedin (a.s) dhe Kur’ânin, dhe kjo ndodhi prej mosbindjes së tyre.
E kush i mohon argumentet e Allahut, le ta dijë se Allahu është i shpejtë në llogarinë e Tij. -
Allahu është Llogaritës i shpejtë i veprave të robit dhe Gjykues i drejtë. Allahu do t’i japë secilit atë që i takon dhe që e ka fituar me duart e veta. Në mënyrë të veçantë do të trajtohen ata që nuk e kanë pranuar të vërtetën, pasi e kanë njohur në fillim; këta lloj njerëzish meritojnë dënim të dhembshëm. Më pas, Allahu i Lartësuar e urdhëron Profetin e Tij që, kur të diskutonte e polemizonte me të krishterët apo me të tjerë si ata, t’u deklaronte atyre hapur Islamin: