Allahu i Lartësuar u bën besimtarëve një përshkrim të Profetit, që ata të njohin gradën dhe cilësitë e tij të larta dhe të sillen me të me respekt, ashtu siç e meriton ai. Allahu i madhëruar thotë:
Profeti është më i mëshirshëm (e i kujdesshëm) për besimtarët se sa ata vetë për veten e tyre, ndërsa gratë e tij janë si nënat e tyre (pra nuk lejohet martesa me to). -
Njeriu më i rëndësishëm, madje edhe më i rëndësishëm se vetja jonë, është Profeti i Zotit. Kështu duhet parë dhe trajtuar Profeti i Zotit, sepse ai na ka ofruar dhembshurinë, mëshirën dhe këshillat më të mira, si njeriu më i dashur. Ai ka qenë më i mëshirshmi dhe më i dhembshuri për ne, madje edhe më i dhembshur sesa ne për veten tonë. Profeti (a.s) është njeriu që na ka ofruar shembullin dhe mirësinë më të madhe që mund ta ofrojë një krijesë. Mjafton të mendosh se çdo grimcë mirësie dhe çdo ligësi, nga e cila kemi shpëtuar, ka ndodhur nga udhëzimi që Profeti solli nga Zoti ynë. Ai është rruga e porta e çdo mirësie që Zoti solli ndër ne. Prandaj duhet që dëshirat tona të mos bien ndesh me udhëzimet e këtij Profeti dhe asgjëje nuk duhet t'i jepet përparësi para asaj që dëshiroi Profeti i Zotit. Përparësi i duhet dhënë vetëm dëshirës dhe porosive të tij. Fjalës dhe udhëzimit të tij i duhet dhënë pëparësi mbi fjalën e çdokujt prej njerëzve, kushdo qoftë ai. Besimtari e shkrin gjithë pasurinë, madje dhe jetën e tij dhe të familjes e fëmijëve të tij para jetës së Profetit dhe nderit të figurës së tij. Nuk ka në zemrën e besimtarit dashuri më të madhe për ndonjë krijesë sesa dashuria për Profetin e Zotit. Ata nuk flasin para Profetit dhe kurrë nuk dalin para gjykimit dhe qëndrimit të Profetit, në çdo çështje që ai ka gjykuar. Profeti (a.s) është si prind për besimtarët, sipas disa leximeve që sahabët i kanë bërë ajetit kuranor. Ai është kujdesur për çdokënd dhe për udhëzimin e të gjithë besimtarëve, ashtu si prindi për fëmijët e vet. Nga kjo rrjedh edhe ligji që gratë e tij konsiderohen si nëna të besimtarëve; si nëna qoftë në aspektin që e kanë haram të martohen me to, por edhe në aspektin e respektimit dhe nderimit të tyre. Megjithatë, nuk lejohej që burrat e huaj të veçoheshin me to apo që ata të shërbenin si shoqërues (mahrem) në udhëtimet e tyre. Me sa duket, këto ajete janë si një parathënie e historisë së Zejdit, të birit të Harithit, i cili më parë quhej Zejdi i biri i Muhamedit. Kështu vazhdoi, derisa u shpallën ajetet: "Muhamedi nuk është babai i asnjërit prej burrave tuaj por (ai është) i dërguari i Allahut dhe vula e të gjithë Profetëve." [Ahzab 40]. Atëherë, ata u thirrën sipas atësisë biologjike. Në këtë ajet, Allahu i Lartësuar na njofton se besimtarët janë të gjithë si fëmijë të Muhamedit (a.s) dhe ai është si prind për ta; askush nuk ka ndonjë status e vend të veçantë, në këtë aspekt. Kështu, edhe pse Zejdi nuk quhet më Zejdi i biri i Muhamedit në aspektin e atësisë biologjike, ai vazhdon të jetë djali i Muhamedit në Islam, ashtu si të gjithë besimtarët. Për këtë arsye, nuk ka shkak për pakënaqësi e shqetësim për dispozitat rreth birësimit. Duke qenë se gratë e Profetit janë si nëna për besimtarët, atëherë nuk lejohej martesa me to pas Profetit (a.s), ashtu siç edhe thotë shprehimisht Allahu i Madhëruar: "Ju nuk duhet ta mundoni të dërguarin e Allahut, e nuk ju lejohet të martoheni kurrë me gratë e tij, pas tij. Këto janë gjynah shumë i madh tek Allahu." [Ahzab 53]. Pastaj Allahu i Madhëruar thotë:
Në ligjin e Allahut, farefisi juaj ka më shumë të drejta mbi ju (në çështjen e trashëgimisë) sesa besimtarët e tjerë dhe muhaxhirët (të mërguarit). -
Farefisi, të afërmit apo të largëtit qofshin "... kanë më shumë të drejta mbi ju (në çështjen e trashëgimisë), sesa besimtarët e tjerë dhe muhaxhirët (të mërguarit).” Kështu, ata trashëgojnë njëri-tjetrin dhe kujdesen për njëri-tjetrin. Ata janë më parësorë se çdo aleancë e lidhje tjetër, në këtë aspekt. Në fillim të Islamit, edhe fëmijët e birësuar merrnin pjesë nga trashëgimia e adoptuesit, ashtu si trashëgimtarët e farefisit. Por më pas Allahu i Lartësuar e kufizoi trashëgiminë veçse në farefis dhe i përjashtoi të birësuarit. Kjo tregon butësinë, mëshirën dhe urtësinë e madhe të Allahut. Nëse do të vazhdonte siç ishte në fillim, atëherë do të kishte konflikte dhe përçarje të madhe ndër njerëz, sepse nga trashëgimia mund të përjashtoheshin njerëz të farefisit dhe gjakut. Vëreni me kujdes! Allahu i Madhëruar thotë: "... farefisi juaj ka më shumë të drejta mbi ju (në çështjen e trashëgimisë) sesa besimtarët e tjerë dhe muhaxhirët (të mërguarit)." Pra, nuk ka rëndësi a janë të afërmit prej muhaxhirëve apo jo, farefisi është parësor në këto aspekte. Ky ajet tregon se afërsia me farefisin është më e madhe dhe ata janë përgjegjës dhe sipërmarrës më parësorë për njëri-tjetrin mbi çdo njeri tjetër, në të gjitha llojet e sipërmarjeve, si ajo për martesë, në lidhje me kujdestarinë ligjore, kujdestaria mbi pasurinë etj. etj. Farefisi janë sipërmarës dhe përgjegjës për njëri-tjetrin. (Sigurisht, nëse janë besimtarë). Pastaj i Madhëruari thotë:
Megjithatë, lini çfarë të jetë e mirë për miqtë tuaj të ngushtë (nëpërmjet testamentit, dhuratës etj). -
Kjo është në dëshirën tuaj, nëse e bëni vullnetarisht, por jo me detyrim dhe të sanksionuar. Mund t'u jepni atyre nëse dëshironi t'u bëni bamirësi.
Kjo është e shkruar në Libër. -
Ky gjykim është i shkruar dhe vendosur në Librin e Zotit dhe është renditur në Kur'anin e Tij. Kështu që duhet që të veprojmë dhe ta zbatojmë atë.