A nuk shohin ata çfarë ka para dhe pas tyre në qiell dhe në tokë? -
Allahu i Madhëruar i udhëzon njerëzit në një argument, që tregon se ringjallja nuk është diçka kaq e largët dhe e pabesueshme, siç pretendojnë. Mjafton që njerëzit të shohin pushtetin e Allahut në qiell dhe në Tokë, për të kuptuar madhështinë dhe fuqinë e Tij për gjithçka që dëshiron. Ky pushtet dhe kjo madhështi i habit dhe lë pa fjalë dijetarët më të mëdhenj. Ata e kuptojnë se krijimi i gjithë kësaj gjithësie me madhështinë e saj dhe ato krijesa të shumta në to është diçka shumë më e madhe sesa thjesht rikrijimi i një njeriu që ka vdekur. Një njeri i logjikshëm që beson dhe dëshmon pushtetin e Allahut për gjithë këto krijesa madhështore, kurrë nuk do të vinte në dyshim pushtetin e Tij për të ringjallur krijesat. Por këta, përsëri e mohojnë ringjalljen, sepse ky është një lajm për të fshehtën dhe deri tani nuk kanë parë gjë me sytë e tyre. Ky është arsyetimi i tyre. I Lartësuari thotë:
Nëse do të dëshironim, Ne do t’ua shembnim tokën nën këmbë ose do të bënim që të binin copa (dënimi) nga qielli mbi ta. -
Ai mund t'u zbresë ndonjë dënim nga qielli ose t'i përpijë toka nën këmbët e tyre, sepse Ai është Pronari i qiejve dhe Tokës dhe ato janë nën sundimin e Tij. Nëse Ai do t'i urdhëronte, ato kurrë nuk do ta bënin dysh fjalën e Tij. Për këtë arsye, kini kujdes dhe mos këmbëngulni në mohimin tuaj, sepse kështu do të meritoni më të ashprin ndëshkim.
Me të vërtetë, në këtë ka argument për çdo rob që kthehet (tek Allahu) i penduar e i bindur. -
Në krijimin e qiejve të Tokës dhe në krijesat e shpërndara në to ka shenja dhe argumente për çdo njeri që do të kthehet tek Zoti dhe t'i përulet Atij. Sa më i përulur dhe i nënshtruar të jetë robi ndaj Zotit, aq më shumë do të përfitojë nga shenjat dhe argumentet e Tij, sepse i penduari dhe i përuluri i përkushtohet Zotit të vet. Të gjitha dëshirat dhe synimet, vullneti dhe ambiciet e tij janë drejtuar për tek Zoti dhe kënaqësia e Tij. Ai i kthehet Zotit për çdo çështje dhe në çdo çast. Kështu, ai është gjithmonë pranë Zotit dhe i vetmi shqetësim dhe qëllim i tij është si ta kënaqë Krijuesin e tij. Për këtë arsye, vështrimi dhe meditimi në krijesat e Zotit është diçka që atij i sjell dobi dhe nuk është thjesht një shikim i pavëmendshëm e i padobishëm.