Thuaj: “O robërit e Mi që keni besuar! Kijeni frikë Zotin tuaj!” -
Allahu i Madhëruar iu drejtohet më të nderuarve dhe të zgjedhurve mes krijesave, me më të dashurin emërtim: "O robërit e Mi, që keni besuar! O ju që besoni, me besimin e pastër dhe të sinqertë!” Domethënë, drejtojuni këtyre të zgjedhurve, duke i urdhëruar për të përmbushur më të mirin e më të rëndësishmin e urdhërave, atë për devotshmëri. Kur t'i urdhërosh për devotshmëri, kujtoju edhe arsyen përse duhet ta bëjnë: sepse ata janë rob të Allahut, i Cili është Zoti dhe Krijuesi i tyre, që kujdeset dhe u ka dhuruar çdo mirësi. Për këtë arsye, ata duhet t'i frikësohen dhe t'i ruhen zemërimit dhe dënimit të Tij. Ky është kuptimi i devotshmërisë: t’i ruhesh zemërimit dhe dënimit të Zotit që të krijoi, duke zbatuar urdhëresat e Tij dhe duke u larguar nga ndalesat e Tij. Ata duhet ta kuptojnë se është Allahu Ai që e meriton t'i frikësohesh dhe nënshtrohesh, ta adhurosh me dashuri dhe madhërim, sepse është Ai që ju bekoi duke ju dhuruar imanin dhe ju quajti adhurues dhe besimtarë të Tij. Ky besim, nëse është i sinqertë, duhet të prodhojë devotshmëri në mënyrë të pashmangshme. Ajeti: “O robërit e Mi që keni besuar, kijeni frikë Zotin tuaj." është njëlloj si të thuash: "O njeri bujar, jep diçka nga bujaria që të karakterizon!" Ose: "O trim dhe i guximshëm, lufto në rrugën e Zotit me trimërinë tënde!". Ndërsa këtu thotë: "O adhurues i Zotit e besimtar i vërtetë, plotësoje dhe përmbushe devotshmërinë ndaj Allahut, ashtu siç të urdhëron dhe e kërkon imani i sinqertë!". Pas kësaj porosie, Allahu i Madhëruar përmend një shpërblim, i cili do t'i bëjë besimtarët që të jenë më të gjallë dhe me vullnet për të bërë vepra të mira.
“Ata që bënë mirë në këtë jetë, do të kenë mirësi.” -
Ata që janë bamirës dhe arrijnë gradën e ihsanit në adhurimin e Zotit të tyre, në këtë dynja Zoti do t'u japë të mira, rizk të gjerë, shpirt të qetë dhe të rehatuar, zemër të çliruar dhe të mbuluar nga prehja dhe siguria. I Lartësuari thotë: "Kujtdo që bën një vepër të mirë, qoftë mashkull ose femër, duke qenë besimtar, Ne do t’i japim një jetë të mirë (në këtë botë), e (në botën tjetër) do t’i japim shpërblimin më të mirë për veprat e mira." [Nahl 97].
“E gjerë është Toka e Allahut.” -
Nëse pengoheni që të adhuroni Allahun në një vend, atëherë emigroni për hir të Allahut në një vend tjetër, ku mund ta adhuroni Zotin dhe praktikoni fenë tuaj lirisht. Mendo pak në fjalën e Allahut: "Ata që bëjnë mirë në këtë jetë, kanë mirësi të madhe." Disa, duke u mbështetur në faktin se kjo është një fjalë gjithpërfshirëse, dhe si e tillë, çdokush që bën punë të mira do të ketë mirësi të mëdha, kanë paqartësi dhe mund të pyesin: “Po ata që bëjnë punë të mira dhe tregohen bamirës në adhurimin e Allahut, por ndodhen në një vend ku persekutohen dhe sprovohen, ku është mirësia që u premtohet në këtë dynja? Këtyre nuk u jepet dhe as u mundësohet kjo mirësi e premtuar." Atëherë, kësaj pyetjeje i vjen si përgjigje fjala e Allahut, që i udhëzon besimtarët në këto mirësi të panumërta. Allahu i Lartësuar thotë: "Me të vërtetë, toka e Allahut është e gjerë." Në lidhje me këtë, është sjellë edhe një përgëzim nga Profeti (a.s), i cili thotë: "Një grup nga umeti im do të vazhdojë që t'i përmbahet së vërtetës dhe ta shfaqin haptas atë. Ata nuk mund t'i dëmtojnë as ata që i tradhtojnë (e i lënë në baltë) dhe as ata që i kundërshtojnë. Kështu do të vazhdojnë, derisa të vijë çështja e Zotit dhe ata do të jenë në atë rrugë." Në të tilla vende i udhëzon ajeti besimtarët që të shkojnë, nëse persekutohen, përndiqen e luftohen në fenë e tyre. Allahu i Lartësuar na njofton se toka e Tij është e gjerë dhe kurdo që besimtarët të luftohen dhe u ndalohet që të adhurojnë Zotin, atëherë të emigrojnë në një vend tjetër. Ky urdhër është i vlefshëm për çdo kohë dhe për çdo vend. Në çdo kohë dhe çdo vend do të gjendet një vend emigrimi, ku muslimanët të shkojnë e të strehohen, që të adhurojnë Zotin dhe të zbatojnë fenë e tyre haptazi. Më pas, Allahu i Madhëruar përgëzon besimtarët durimtarë:
“Durimtarëve do t’u jepet shpërblim pa masë.” -
Kjo është e përgjithshme, për të gjithë llojet e durimit, si për shembull: durimi në caktimet dhe sprovat e sjella nga Zoti, duke mos u rebeluar dhe shprehur zemërimin për to, por duke shprehur kënaqësinë me caktimin e Allahut dhe duke shpresuar shpërblimin e Tij. Gjithashtu, durimi përballë gjynaheve, duke e përmbajtur veten dhe duke u larguar nga ato. Po ashtu, durim në bindje ndaj urdhërave të Allahut, duke i përmbushur ato me formën më të plotë, të saktë dhe të sinqertë për Allahun. Të gjithë këtyre durimtarëve Allahu ua premton shpërblimin "pa masë", domethënë, me shumicë e në mënyrë të begatshme. Kjo tregon për vlerën dhe rëndësinë e madhe të sabrit tek Allahu. Durimi është ai që të ndihmon në plotësimin e çdo pune të mirë.