A është njëlloj ai që kohën e natës e kalon në adhurim, duke bërë sexhde e duke qëndruar në këmbë, që i ruhet (dënimit të) botës tjetër dhe shpreson në mëshirën e Zotit të vet (me ata që nuk i bëjnë këto)? -
Në këto ajete, Allahu i Madhëruar vendos përballë atë që e adhuron (bindet) dhe punon e jeton në bindje ndaj Tij dhe atë që nuk është i tillë; atë që është i ditur, me atë që është injorant. Të tilla krahasime janë të dobishme për mendjet e shëndosha, të cilat arrijnë të bëjnë qartë dallimin. Ato krijojnë bindjen se këta dy shembuj janë të ndryshëm dhe meritojnë të trajtohen ndryshe. I pabinduri që i ka kthyer shpinën adhurimit të Zotit dhe ndjek epshet e veta, kurrë nuk mund të jetë njësoj si ai që i është përkushtuar Zotit. I pari përkushtohet në adhurime të shumta, më e rëndësishmja e të cilave është falja e namazit. Ai zgjedh kohën më të mirë për këtë lloj adhurimi, gjatë natës. Ky është përshkrimi i të përzgjedhurve: ata bëjnë veprat më të mira, në formën dhe kohën më të mirë. Më pas, ata përshkruhen me dy cilësi: frika ndaj Zotit dhe shpresa për shpërblimin e Tij. Allahu i Lartësuar na tregon se nga frikësohen këta të zgjedhur. Ata frikësohen nga dënimi i ahiretit, për gjynahet që kanë kaluar. Ndërsa kur flet për shpresën, Ai na tregon se shpresa e tyre është e lidhur dhe me mëshirën e Allahut. Kështu na i përshkruan Allahu i Madhëruar këta fatlumë, me punët e shfaqura dhe me ndjenjat që fshihen brenda zemrave të tyre.
Thuaj (O Muhamed): “A janë njëlloj ata që dinë dhe ata që nuk dinë?” -
Këta e njohin Zotin e tyre, e njohin mirë fenë dhe ligjet e saj, i dinë mirë kriteret e shpërblimit dhe ndëshkimit të Tij. Ata arrijnë të shikojnë dhe kuptojnë të fshehtat dhe urtësitë e Tij në të gjitha këto ligje. Ndërsa të paditurit nuk dinë asgjë nga këto dhe nuk e kuptojnë urtësinë e Zotit në ligjin e Tij. Atëherë, këto dy grupe nuk mund të jenë njëlloj, ashtu siç nuk janë njëlloj dita me natën, drita dhe errësira, uji dhe zjarri.
Por vetëm të mençurit marrin mësim. -
Ata që përfitojnë kur u tregohet vërteta dhe paralajmërohen, janë ata që Zoti i quan: "të mençurit", pra, ata që kanë mendje dhe logjikë të shëndetshme dhe të pastër. Ata dinë të dallojnë dhe t'i japin përparësi asaj që është e lartë, kundrejt asaj që është e ulët dhe e parëndësishme. Kështu, ata e vlerësojnë diturinë mbi injorancën, bindjen ndaj Zotit mbi kundërshtimin e Tij. Ata gjykojnë drejt dhe arrijnë të kuptojnë përfundimin e gjërave, ndryshe nga ata që nuk kanë logjikë dhe nuk dinë të mendojnë dhe gjykojnë me urtësi e mençuri. Të paditurit kanë për zot veçse epshet dhe dëshirat e tyre të shfrenuara. Vetëm atyre iu binden dhe i nënshtrohen dhe vetëm ato i adhurojnë.