Nëse i druheni ndarjes midis burrit e gruas, dërgoni një ndërmjetës të urtë nga familja e tij dhe një ndërmjetës të urtë nga familja e saj. -
Nëse i druheni divorcit të bashkëshortëve, atëherë dërgoni nga secila palë dy burra muslimanë të mençur e të drejtë, të cilët i njohin të dyja palët dhe të dinë të gjykojnë drejt për bashkimin apo ndarjen e tyre. Këto cilësi të përmendura janë përftuar nga kuptimi i fjalës “hakemun”. Kështu, këta burra duhet të shohin se çfarë urren secila palë tek pala tjetër, dhe pastaj të përcaktojnë përgjegjësitë dhe detyrimet e secilës palë për të pasur një jetë të denjë bashkëshortore. Nëse ndonjëri prej tyre nuk i përmbahet plotësisht këtyre përgjegjësive, atëherë punohet me palën tjetër që të jetë tolerante dhe të kënaqet me nivelin e palës tjetër aq sa të jetë e mundur. Kështu vazhdohet me harmonizimin dhe rregullimin. Megjithatë, nëse gjendja e çiftit ka arritur aq sa nuk bëhet i mundur rregullimi i marrëdhënieve të tyre dhe të dy të urtët e shohin se ndarja e tyre është më e dobishme, sepse përndryshe do ketë padrejtësi, atëherë çifti ndahet. Në një rast të tillë nuk është kusht që burri të pranojë apo jo ndarjen, Ata që vendosin për ndarjen janë dy të urtët dhe jo burri, sepse Allahu i Lartësuar i ka quajtur ata “hakemen”, domethënë ata që duhet të gjykojnë dhe vendosin, edhe nëse dikujt mund të mos i pëlqejë gjykimi.
Nëse ata të dy kanë për qëllim pajtimin, Allahu e mundëson afrimin mes tyre (çiftit).” -
Pas ndërhyrjeve dhe urtësisë së burrave, pas fjalëve të mira dhe nxitëse për një jetë të denjë bashkëshortore, nëse palët vërtet do të duan bashkimin dhe të mirën, Allahu i Lartësuar do t’i bashkojë ata. Me fjalë të tjera, nëse ndodh ndarja, atëherë kjo, në njëfarë mënyre, tregon mungesën e dëshirës për të vazhduar.
Allahu është i Gjithëditur e Zbulon gjithçka. -
Allahu i Lartësuar është i Gjithëditur, për çfarë duket dhe çfarë mbahet fshehur. Allahu i Lartësuar është Mbikëqyrës i çdo imtësie, në çdo çështje në këtë botë. Prej dijes së Tij të madhe dhe mirësive të Tij të mrekullueshme janë edhe këto ligje të drejta dhe të bukura, që rregullojnë jetën e njerëzve dhe marrëdhëniet e tyre me Atë dhe me të tjerët.