O populli im! Unë kam frikë për ju Ditën kur do ti thërrisni njëri-tjetrit, -
Kjo është Dita e Kijametit, ditë kur banorët e Xhenetit do t’u thërrasin banorëve të Zjarrit e do të flasin me ta, sikurse thotë i Madhëruari: “Banorët e Xhenetit do t'u thërrasin banorëve të Zjarrit e do t'u thonë: “Ne e gjetëm të vërtetë atë që na kishte premtuar Zoti ynë. Po ju, a e gjetët të vërtetë atë që ju kishte premtuar Zoti juaj?” Ata do të thonë: “Po”. Atëherë, një thirrës do të shpallë mes tyre: “Mallkimi i Allahut qoftë mbi zullumqarët!" Të cilët i penguan njerëzit nga rruga e Allahut, që kërkuan shtrembërimin e saj dhe mohuan botën tjetër.” Mes tyre (dy grupeve) do të jetë një mur ndarës, mbi të cilin do të qëndrojnë burra që e njohin secilin grup sipas shenjave të tyre. Ata do t'u thërrasin banorëve të Xhenetit: “Selami qoftë mbi ju!”. Ata nuk do të kenë hyrë në të, por do të shpresojnë. Kur shikimi i tyre do të shkojë nga ata të Xhehenemit, do të thonë: “Zoti ynë, mos na bashko me keqbërësit!” Këta të murit do t'u thërrasin pastaj disa burrave të tjerë, që do t'i njohin nga shenjat e tyre, dhe t'u thonë: “Sa ju vlejti ajo që grumbullonit dhe mendjemadhësia që tregonit? Ja. A nuk janë këta njerëzit për të cilët ju betoheshit se mëshira e Allahut nuk kishte për t’i përfshirë kurrë?”. Hyni në Xhenet, se për ju nuk do të ketë as frikë e as brenga!” Banorët e Zjarrit do t'u thërrasin banorëve të Xhenetit: “Na jepni ndopak ujë ose diçka nga ato që ju ka dhënë Allahu!” Ata do të përgjigjen: “Allahu i ka ndaluar këto gjëra për jobesimtarët!” Këta janë ata që fenë e tyre e merrnin si tallje e lojë dhe që u mashtruan nga jeta e dynjasë. Atë ditë Ne do t'i harrojmë ata, siç e harruan ata takimin e kësaj dite dhe për shkak se kundërshtuan Shenjat Tona!” [El ea'raf 44 - 51]. Banorët e Zjarrit do t’i luten Malikut, melekut të Xhehenemit, që ta lusë Zotin që t’i japë fund e t’i asgjësojë ata. Por përgjigjja do t’ju vijë e dhimbshme e dëshpëruese, sikurse thotë i Madhëruari: “Ata do të thërrasin: “O Malik! Le të na e marrë shpirtin Zoti yt!”. Ai u thotë: “Aty do të jeni përgjithmonë. Ne jua sollëm të vërtetën, por shumica juaj treguan urrejtje ndaj saj.” [Zuhruf 77, 78]. Ata i luten edhe Zotit që t’i nxjerrë nga Zjarri dhe t’i kthejë në dynja, por koha e pendimit dhe e reflektimit përfundon me jetën në dynja. I Lartësuari thotë: “Ata do të thonë: “O Zoti ynë! Ne na mundën të këqijat, prandaj u bëmë njerëz të humbur. O Zoti ynë! Na nxirr prej këtu! E, nëse gabojmë përsëri, atëherë, vërtet jemi të padrejtë.” Ai do t'u thotë: “Heshtni aty e mos më flisni! Disa prej robërve të Mi thanë: “O Zoti ynë, ne besojmë. Prandaj na fal dhe na mëshiro, sepse Ti je më i miri i mëshiruesve!” Por ju i tallët ata, saqë ajo tallje ju bëri të harronit Mesazhin Tim. Ju qeshnit me ta. Unë do t'i shpërblej ata sot, sepse u treguan durimtarë. Ata janë, vërtet fitimtarët.” [Muminun 106 - 111]. Atë ditë, idhujtarëve dhe mohuesve do t’u thuhet: “Atyre do t'u thuhet: “Lutjuni zotave tuaj!”. Ata do t'u luten atyre, por ata nuk do t'u përgjigjen dhe do të shohin Dënimin. Ah, sa do të dëshirojnë të kishin qenë në Rrugën e Drejtë! Atë Ditë, Ai (Allahu) do t’u thërrasë atyre e do t’u thotë: “Ç'përgjigje u keni dhënë të dërguarve të Mi?” Atë ditë, ata nuk do të mund të gjejnë përgjigje dhe nuk do të mund as të pyesin njëri-tjetrin. E, për sa i përket atij që është penduar (në këtë jetë), që ka besuar dhe ka bërë vepra të mira, ai le të shpresojë se është nga të shpëtuarit.” [Kasas 64 - 67]. Kështu, ai burrë besimtar (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i paralajmëroi ata për ndëshkimin e kësaj dite të frikshme e të vështirë, nëse ata nuk ndaleshin nga idhujtaria e mosbindja e tyre. Atë ditë, jobesimtarët nuk do të gjejnë asnjë rrugë për shpëtim: