Nëse ata refuzojnë, dije (o Muhammed) se Ne nuk të kemi dërguar ty si përgjegjës të tyre. -
Kuptimi: Nëse ata, pas qartësimit të plotë të së vërtetës, të kthejnë shpinën dhe shpërfillin ftesën tënde për në rrugën e Allahut, kujto që Allahu nuk të ka dërguar ty që të jesh përgjegjës për veprimet e tyre. Nuk është përgjegjësia jote që ata nuk e pranojnë udhëzimin e Allahut. Detyra jote është vetëm kumtimi dhe qartësimi i të vërtetës për ta.
Ti ke për detyrë vetëm kumtimin (e shpalljes). -
Nëse t’i bën detyrën tënde të transmetimit të plotë të së vërtetës, do të marrësh shpërblimin tënd tek Allahu i Lartësuar, pavarësisht a i përgjigjen njerëzit ftesës tënde apo nuk i përgjigjen, e pranojnë atë apo nuk e pranojnë. Llogaria e veprave të tyre është tek Allahu i Drejtë, i Cili do të shpërblejë gjithësecilin për çfarë ka bërë në këtë jetë, të vogël a të madhe, të dukshme a të fshehur. Më poshtë, Allahu i Lartësuar flet për gjendjet në të cilat kalon njeriu dhe për mënyrën se si ai sillet në këto gjendje:
Vërtet, kur Ne i dhurojmë njeriut nga ana Jonë ndonjë të mirë, ai gëzohet për të ... -
Kur Allahu i Lartësuar, nga bujaria e Tij, i dhuron njeriut mirësi të ndryshme, si: shëndet, qetësi, pasuri, fëmijë, famë, pushtet, etj., njeriu gëzohet. Allahu i Lartësuar thotë: “... ai gëzohet për të”, pra, gëzohet me mirësinë që ka, dhe vetëm kaq. Me fjalë të tjera, kënaqësia e tij lidhet veçse me mirësinë e dhënë, ndërkohë që njeriu duhet ta gjejë gëzimin, kënaqësinë dhe lumturinë veçse me Zotin e tij, me Allahun e Lartësuar. Vetëm duke u afruar pranë të Gjithëmëshirshmit me adhurime dhe vepra të mira, vjen qetësia dhe lumturia. Edhe mirësitë e shumta që njeriu ka, nuk janë gjë tjetër veçse dhurata të Allahut të Lartësuar, prandaj ato duhet që ta shtojnë më shumë dashurinë dhe madhërimin për Të. Nëse ne gëzohemi thjesht dhe vetëm me mirësitë që kemi, duke harruar Allahun e Lartësuar që na i ka falur, kjo është vërtet një mosmirënjohje ndaj Tij, që patjetër do të sjellë trishtim dhe vuajtje.
...e kur e godet ndonjë e keqe, që e ka merituar vetë, atëherë njeriu bëhet mohues (i të mirave të Zotit). -
Kur njeriu goditet me ndonjë fatkeqësi, si sëmundje, varfëri, etj., ai menjëherë i harron të gjitha mirësitë që gëzonte para kësaj fatkeqësie. Sprovat vijnë si pasojë e vetë punëve të këqija të robit. Madje, për shumë gjynahe, i Madhërishmi fal dhe afatizon. Sikur Zoti ta dënonte njeriun për çdo gjynah që bën, atëherë nuk do të mbetej askush mbi faqen e dheut, por Zoti i Lartësuar është Mëshirues dhe Falës. Allahu e sprovon njeriun, me qëllim që ai të kthejë rrugë dhe të reflektojë për mosmirënjohjen e treguar deri në atë çast, para se të vijë dita kur nuk bën më dobi reflektimi dhe pendimi. Por sërish, njeriu ka një natyrë mosmirënjohëse, prandaj sapo goditet nga një fatkeqësi, i harron të gjitha mirësitë që Zoti i ka dhuruar. Në vend të durimit dhe falënderimit, ai shpreh zemërimin dhe pakënaqësinë për caktimin e Zotit të Urtë dhe të Gjithëmëshirshëm.