Mesihu, biri i Merjemes, qe veçse një i dërguar, ashtu siç pati edhe shumë të dërguar para tij. -
Kjo është cilësia më e lartë që mund të ketë një njeri: Isai (a.s)ishte njëri nga të zgjedhurit e Zotit, që Ai i veçoi për t’i bërë profetë të zgjedhur të Tij. Në fakt, profetëve nuk u takon asgjë prej pushtetit të Zotit. Ata nuk kanë asnjë grimcë pushteti në dorën e tyre dhe asnjë të drejtë në vendosjen e ligjeve, përveç ligjeve që Zoti i urdhëroi të përcillnin te njerëzit. Isai (a.s)ishte i njëjtë me të gjithë profetët para tij dhe nuk kishte asnjë shkak dhe arsye që ta nxirrte atë nga natyra njerëzore në gradën e hyjnores. Zotërimi, mbretërimi dhe pushteti janë cilësi të Zotit, e po kështu edhe merita e adhurimit dhe përunjësisë ndaj Tij.
Nëna e tij ishte e sinqertë. -
Edhe për nënën e Isait a.s, kjo është e shumta që mund të thuhet. Ajo ishte e sinqertë, grada kjo më e lartë pas asaj të profetëve. Sinqeriteti është siguria në besim dhe kryerja e veprave të mira sipas kësaj sigurie, për të kënaqur Allahun e Madhëruar. Kjo është provë që dëshmon se Merjemja nuk ka qenë profete, por grada më e lartë që arriti ajo ishte siddikije - sinqeriteti. Mjafton kaq si nderim dhe mirësi për Merjemen. Po kështu, asnjë nga gratë e tjera të dalluara të botës nuk ka qenë profete, sepse Allahu i Madhëruar e caktoi profetësinë për llojin më të plotë të njerëzve, te burrat, sikurse thotë në këtë ajet: “Ne dërguam para teje si të dërguar vetëm se burra nga banorët e qyteteve, të cilët i pajisëm me shpallje.” [Jusuf 109]. Mesazhi i këtij ajeti është shumë i qartë: Nëse Isai (a.s)nuk kishte asnjë ndryshim nga gjithë profetët e tjerë dhe nëna e tij ishte thjesht një grua e sinqertë, atëherë përse të krishterët i konsiderojnë ata si zota, që meritojnë të adhurohen ashtu si Allahu?!
Që të dy hanin ushqim. -
Ky fakt është provë e qartë se ata ishin thjesht dy njerëz të varfër dhe nevojtarë, ashtu si çdo krijesë tjetër prej bijve të Ademit a.s. Ata kishin nevojë për ushqim e pije. Nëse do të ishin zota, nuk do të kishin nevojë për ushqim e pije, ose nuk do të kishin nevojë për asgjë, sepse Zoti i Madhëruar është dhe duhet të jetë i Pasur, Jonevojtar, i Lavdëruar dhe i Lartësuar nga mangësitë. Pasi Allahu i Madhëruar sjell këtë provë, thotë:
Shih se si Allahu ua sqaron atyre argumentet e Tij! Shih pastaj se si ata ia kthejnë shpinën së vërtetës! -
Kështu e qartëson Allahu i Madhëruar të vërtetën, kështu e zbardh dhe ndriçon atë, pa lënë asnjë grimë dyshimi rreth saj. Nëpërmjet këtyre fakteve dhe argumenteve, i Madhëruari mbjell sigurinë për të vërtetën e sjellë prej Tij. Por argumentet e Tij nuk u bëjnë dobi arrogantëve. Ata vazhdojnë të jenë të zhytur në mashtrimet dhe shpifjet e tyre. Kjo, pa dyshim, është thjesht kokëfortësi dhe padrejtësi nga ana e tyre.