O ju që keni besuar! Pijet dehëse, bixhozi, idhujt dhe hedhja e shigjetës (për fall) janë vepra të ndyra nga Shejtani. Largohuni prej tyre, që të jeni të shpëtuar! Nëpërmjet pijeve dehëse dhe bixhozit, Shejtani dëshiron veçse të hedhë armiqësi mes jush, t’ju pengojë nga përmendja e Zotit dhe t’ju largojë nga namazi. Atëherë, a nuk po hiqni dorë? -
Allahu i Madhëruar tregon se sa të këqija janë këto vepra të shëmtuara dhe na bën të ditur, gjithashtu, se ato janë prej Shejtanit. Ato janë të ndyra dhe të poshtra. Allahu i Madhëruar na urdhëron që t’u largohemi atyre gjërave, pasi nëse e bëjmë këtë, Ai na premton suksesin në dynja dhe në ahiret. Ky sukses arrihet veçse duke u larguar nga çdo gjë të cilën i Lartësuari e ka bërë haram, e në mënyrë të veçantë prej atyre që janë përmendur në këtë ajet. Fjala “el hamr” (vera) në ajet nënkupton çdo lloj pijeje dehëse. “El mejsir” (bixhoz) quhen të gjitha llojet e lojrave, në të cilat vendoset një shumë parash ose pasuri nga të dyja palët, me qëllimin për t’i fituar njëra palë. “El ensab” quhen idhujt, putat e statujat, që adhurohen veç Allahut. Ndërsa “el ezlamu” (hedhja e shigjetës) janë shigjetat apo mjetet e tjera, që shërbejnë për të hedhur short. Këto janë katër gjëra, nga të cilat Allahu i Madhëruar na ka ndaluar t’u afrohemi. Gjithashtu, Allahu i Madhëruar tregon edhe të këqijat që ato sjellin, që të na motivojë më shumë në lënien e tyre. Ai i ka quajtur ato “rixhsun” - “të ndyra” në aspektin e vlerës etike të tyre, edhe nëse nuk janë të tilla nga ana fizike. Ndyrësitë janë gjëra nga të cilat ne duhet të largohemi. Ne nuk duhet të lejojmë kurrë që të ndotemi prej tyre. Allahu i Madhëruar i ka përshkruar ato, gjithashtu, si vepra prej Shejtanit, i cili është armiku më i përbetuar dhe i pamëshirshëm i njeriut. Nuk ka dyshim që njeriu duhet të ruhet dhe të jetë i kujdesshëm ndaj këtij armiku dhe nga kurthet e tij. Ai nuk duhet t’i përngjasë dhe ta shoqërojë armikun e vet në punët e tij të ndyra dhe të dëmshme, sidomos kur bëhet fjalë për ato punë, nëpërmjet të cilave Shejtani e nënshtron dhe e shkatërron prenë e tij. Duhet kujdes dhe shumë durim për të mos bërë asnjë vepër që e ndihmon këtë armik të pamëshirshëm. Allahu i Madhëruar na njoftoi se suksesi i vërtetë mund të arrihet veçse duke u larguar prej këtyre punëve. Në të kundërt, kryerja e tyre e privojnë njeriun nga arritja e mirësive, që i dëshiron, dhe e zhyt në mjerim, të cilit i druhet. Këto vepra nxisin urrejtjen, armiqësinë dhe përçarjen mes vëllezërve. Kjo është arsyeja që i mallkuari kujdeset në mënyrë të veçantë për përhapjen e tyre, sidomos pijet dehëse, kumarin dhe bastet. Ato janë mjetet më efikase për futjen e armiqësisë dhe urrejtjes mes njerëzve. Kështu, i dehuri nuk është i aftë të gjykojë dhe arsyetojë drejt dhe me qetësi. Më pas, fjalët e pamenduara nxisin zemërim dhe armiqësi, dhe përfundimi mund të shkojë deri në vrasje. Edhe në baste e kumare, kur njëra palë fiton mbi tjetrën, pa bërë asnjë shkëmbim, nxitet urrejtja dhe armiqësia. Po ashtu, këto punë të këqija, si pijet dehëse dhe kumari, e pengojnë zemrën e robit nga përmendja e Allahut të Madhëruar dhe nga namazi, ndërkohë që adhurimi i Allahut është rruga e lumturisë së robit dhe qëllimi pse është krijuar. Ato e shpërqendrojnë mendjen e robit, aq sa ai nuk është në gjendje të angazhohet me gjë tjetër veç tyre. Madje, ai arrin deri aty sa nuk e di se ku ndodhet. E ku ka punë më të keqe sesa ajo që e ndyn vepruesin e saj, e bën atë mik të Shejtanit dhe viktimë të kurtheve të tij, aq sa të shndërrohet në një bagëti të nënshtruar dhe të pafuqishme në duart e bariut të saj; një vepër që e pengon dhe e privon robin nga arritja e çdo të mire dhe shpëtimi nga të këqijat, që nxit armiqësinë dhe urrejtjen ndaj besimtarëve dhe që pengon nga përmendja e Allahut, nga namazi e nga adhurimet e tjera! A ka të keqe më të madhe se kaq?! Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar iu drejtohet mendjeve të kthjellëta dhe të shëndosha, duke u thënë: “A nuk po hiqni dorë?” Njeriu me logjikë mjafton që të shohë vetëm disa prej këtyre ligësive që sjellin haramet, që të frenohet dhe të ndalet. Ai nuk ka nevojë për vërejtje më të fortë apo të përsëritur. I zgjuari, edhe me një shenjë kupton!