... dhe për detin e mbushur plot! -
Allahu betohet për detin ‘mesxhur’, domethënë, e mbushur përplot me ujë, të cilin Ai e ka mbledhur dhe grumbu- lluar, duke e ndaluar që të shpërthejë dhe të përmbytë tokën. Nëse do të lihej i lirë, natyrshëm ai do të dilte nga vendi i vet dhe do të mbulonte tokën. Por ligji i vendosur nga i Gjithëdituri dhe i Urti e bën që ai të qëndrojë i grumbulluar, duke mos dalë nga shtrati i tij. Në këtë mënyrë, Zoti ruan bimësinë, botën shtazore dhe jetën në përgjithësi mbi faqen e dheut. Ky është njëri nga kuptimet e mbiemrit ‘mesxhur’, që cilëson fjalën ‘det’ në ajet. Sipas disa komentuesve të tjerë, ‘mesxhur’ do të thotë “i ndezur flakë”. Ashtu siç është deti, aq i madh, i thellë dhe i gjerë, ai do të mbushet me zjarr dhe ndëshkime të larmishme. Të gjitha këto betime madhështore tregojnë fillimisht se ato janë disa nga shenjat e Allahut të Lartësuar, që dëshmojnë për njëshmërinë e Tij. Së dyti, ato tregojnë se Allahu i Madhëruar është i Plotfuqishëm për gjithçka, për të ringjallur të vdekurit dhe për t’i llogaritur e shpërblyer ata.